Militantët po vrasin fëmijë në Mozambik

Afrika

Militantët po vrasin fëmijë në Mozambik

Më: 16 mars 2021 Në ora: 12:34
Një vajzë lexon një libër, teksa qëndron e ulur në një stol pranë një shkolle në Mozambik

Organizata për të drejtat e fëmijëve Save the Children thotë se militantët islamikë po ua prenë kokat fëmijëve në provincën Kabo Delgado të Mozambikut.

Një nënë i ka thënë kësaj organizate se ajo u detyrua të shikojë vrasjen e djalit të saj 12-vjeçar afër një vendi ku ajo ishte fshehur me fëmijët e saj të tjerë, raporton BBC.

Identiteti i dëshmitares është mbajtur i fshehur. Ajo tha se fëmijës së saj të madh i ishte prerë koka.

"Atë natë fshati ynë u sulmua dhe shtëpitë u dogjën", tha ajo.

"Unë isha në shtëpi me katër fëmijët e mi. Ne u përpoqëm të shpëtonim në pyll, por ata morën djalin tim të madh dhe ia prenë kokën. Ne nuk mund të bënim asgjë sepse edhe ne do të vriteshim", i tha ajo organizatës Save the Children.

Save the Children tha se kishte folur me familjet e zhvendosura dhe ata kishin raportuar për skena të tmerrshme në provincën e pasur me gaz, raporton BBC.

Edhe një dëshmitare tjerët tha se djali i saj ishte vrarë nga militantët. Sipas dëshmisë së saj, ajo bashkë me tre fëmijët tjerë ishin detyruar të largoheshin.

"Pasi djali im 11 vjeç u vra, ne kuptuam se nuk ishte më e sigurt të qëndronim në fshat. Ne ikëm në shtëpinë e babait tim në një fshat tjetër, por disa ditë më vonë sulmet filluan edhe atje", tha ajo.

Drejtori i Save dhe Children në Mozambik, Chance Briggs, tha se raportet e sulmeve ndaj fëmijëve janë të dhimbshme.

"Stafi ynë është përlotur kur ka dëgjuar historitë e vuajtjeve të treguara nga nënat në kampet e zhvendosjes", tha ai.

Një raportues i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për ekzekutimet jashtëgjyqësore i quajti "mizore" veprimet e militantëve.

Kush janë militantët?

Në vitin 2017, në këtë vend filloi një kryengritje islamike dhe deri më tani llogaritet se mbi 2.500 njerëz janë vrarë dhe rreth 700.000 janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Militantët janë të lidhur me grupin Shteti Islamik (IS).

Grupi tyre është i njohur si Al-Shabab, por nuk kanë lidhje me grupin xhihadist të Somalisë që ka të njëjtin emër.

Militantët në Mozambik janë betuar publikisht për besnikëri ndaj IS-it.

IS-i ka thënë se ka kryer një sërë sulmesh në Mozambik.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka shpallur kryengritësit si një organizatë terroriste.

Ushtria duke patrulluar në Mozambik, pas një sulmi, që dyshohet se u kry nga militantët më 2018 në Mocimboa de Praia.

Grupi rrallë ka dhënë ndonjë të dhënë në lidhje me motivin, udhëheqjen ose kërkesat e tij.

Kjo nuk është hera e parë që janë raportuar vrasje të tilla në rajon.

Në nëntor të vitit të kaluar, mediat shtetërore raportuan se mbi 50 njerëzve u ishte prerë koka në një fushë futbolli në Kabo Delgado.

Gjatë një sulmi në një fshat në prill të vitit të kaluar, dhjetëra personave u janë prerë kokat apo janë qëlluan për vdekje.

Qeveria e Mozambikut ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të shuar kryengritjen.

Shtetet e Bashkuara thanë të hënën përmes Ambasadës në Mozambik se personeli ushtarak amerikan do të trajnojë forcat e sigurisë si dhe do t'iu sigurojë "pajisje mjekësore dhe komunikimi".

"Mbrojtja civile, të drejtat e njeriut dhe përfshirja e komunitetit janë thelbësore për të luftuar në mënyrë efektive Shtetin Islamik në Mozambik", tha Ambasada përmes një deklarate./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat