Tërmetet në Kongo shkaktojnë çarje toke, shkatërrojnë ndërtesat – por banorët kanë një frikë tjetër, edhe më të madhe

Afrika

Tërmetet në Kongo shkaktojnë çarje toke, shkatërrojnë ndërtesat – por banorët kanë një frikë tjetër, edhe më të madhe

Më: 26 maj 2021 Në ora: 09:35
Foto

Një tërmet në kufirin e Kongos dhe Ruandës ka shkatërruar disa ndërtesa në qytetin e Goma të martën dhe nxiti frikën se një vullkan aty pranë do të shpërthente përsëri, tri ditë pasi dhjetëra njerëz gjetën vdekjen dhe 17 fshatra u shkatërruan nga lava.

Sipas mediave të huaja, tërmeti, i matur në 5.3 ballë nga Monitori Sizmik i Ruandës, ishte më i madhi nga mbi 100 dridhje që kanë pasuar shpërthimin të shtunën të vullkanit të Kongos në malin Nyiragongo, një nga më aktivët dhe më të rrezikshmit në botë.

“Ne e dimë që fëmijët u plagosën kur një ndërtesë u shemb të martën vetëm disa hapa nga zyra e UNICEF në Goma”, ka thënë agjencia e fëmijëve e OKB-së.

Tërmeti duket se shkatërroi disa ndërtesa në qytetin me dy milionë banorë dhe një dëshmitar tha se të paktën tre njerëz u tërhoqën nga rrënojat dhe u dërguan në spital.

Ai goditi në 11:03 të mëngjesit, me origjinë në Rugerero në Ruandën perëndimore, sipas Monitorit Sizmik të Ruandës.

Qyteti ka përjetuar 119 dridhje të hënën, por intensiteti ka filluar të ulet, tha Kasereka Mahinda, drejtor shkencor në Observatorin e Vullkaneve.

Tërmetet thuhet se u shkaktuan nga pllakat tektonike që kërkonin të rigjenin ekuilibrin e tyre pas shpërthimit, një fenomen i parë pas shpërthimeve në 2002 dhe 1977.

“Sapo çarja të rimarrë ekuilibrin e saj, dridhjet do të ndalen”, i tha ai Reuters.

Siç thuhet më tej, si pasojë, çarje të shumta në tokë janë shfaqur në Goma ditët e fundit, rreth disa qindra metra të gjatë që përshkojnë bulevardet kryesore të qytetit.

“Hapja e këtyre çarjeve në rrugë si kjo është e tmerrshme”, ka thënë Joseph Mapendo, një 32-vjeçar shofer taksie. “Ata duhet të na tregojnë nëse duhet ta evakuojmë qytetin ose nëse mund të qëndrojmë derisa të mbarojnë dridhjet”.

Rreth 1,000 shtëpi u shkatërruan dhe më shumë se 5,000 njerëz u zhvendosën nga shpërthimi, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

“Sipas autoriteteve, 32 njerëz kanë vdekur në incidente në lidhje me shpërthimin, duke përfshirë shtatë njerëz të vrarë nga rrjedha e lavës dhe pesë të tjerë të asfiksuar nga gazrat”, tha agjencia e refugjatëve e OKB-së, UNHCR. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat