Dhjetëra të vdekur në trazirat në Afrikë të Jugut

Afrika

Dhjetëra të vdekur në trazirat në Afrikë të Jugut

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 15:08
Ushtria e Afrikës së Jugut patrullon në një zonë të shkatërruar nga dhuna, 13 korrik, 2021.

Së paku 30 njerëz humbën jetën në dhunën që përfshiu disa pjesë të Afrikës së Jugut, qëkur ish-presidenti i këtij vendi, Jacob Zuma, u dorëzua në polici javën e kaluar.

Protestat u shndërruan në dhunë në provincat KuaZulu-Natal dhe Gauteng qysh në fundjavë, me zjarrvënie, bllokim rrugësh dhe plaçkitje biznesesh.

Ministri i Policisë, Bheki Cele, tha të martën se nëse plaçkitjet vazhdojnë, ka rrezik që disa zona të mbeten pa artikujt kryesorë.

Megjithatë, ministri i Mbrojtjes, Nosiviwe Mapisa-Nqakula, tha se nuk ka ende nevojë për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme për dhunën.

Disa zyrtarë thonë se disa grupe po përfitojnë nga zemërimi për burgosjen e Zumës, për të kryer veprime kriminale, ndërsa, sipas të tjerëve, zemërimi për papunësinë dhe varfërinë po nxit kaosin.

Zuma, 79 vjeç, u dënua për shpërfillje të gjykatës, muajin e kaluar, pasi nuk mori pjesë në një hetim për korrupsion gjatë presidencës së tij.

Zuma, i cili e mohon korrupsionin, u dënua me 15 muaj burgim.

Ai u dorëzua në polici të mërkurën vonë.

Afro 800 njerëz u arrestuan deri më tash në trazira, thanë autoritetet.

Në përpjekje për të rikthyer rendin, policinë tani po e ndihmon edhe ushtria./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat