OBSH: Afrika mbetet prapa në vaksinim

Afrika

OBSH: Afrika mbetet prapa në vaksinim

Më: 1 tetor 2021 Në ora: 08:40
Pamje nga Afrika e Jugut

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se normat e vaksinimit kundër koronavirusit janë rritur në mënyrë modeste në Afrikë, por shtoi se kontinenti mbetet ende prapa shumicës së të tjerëve.

Sipas OBSH-së, gjysma e vendeve në Afrikë kanë vetëm 2 për qind ose më pak të popullsisë së tyre të vaksinuar plotësisht.

Pesëmbëdhjetë nga 54 kombet e kontinentit kanë arritur të vaksinojnë së paku 10 për qind të qytetarëve, tha OBSH-ja.

“Të dhënat e fundit tregojnë përparime modeste, por ka ende një rrugë të gjatë përpara, për të arritur objektivin e OBSH-së për të vaksinuar plotësisht 40 për qind të popullsisë deri në fund të vitit”, tha Richard Mihigo, koordinator i OBSH-së për vaksinimin në Afrikë.

Zyrtarët shëndetësorë konsiderojnë se për arritjen e imunitetit kolektiv ndaj koronavirusit, duhet të vaksinohet së paku 80 për qind e popullsisë së një vendi.

Deri më tash, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në të gjithë botën janë dhënë mbi gjashtë miliardë vaksina.

Shumica e tyre duhet të jepen në dy doza për të arritur efektin maksimal.

Disa vende kanë nisur tashmë të japin edhe doza përforcuese, me gjithë kundërshtimet e OBSH-së, e cila thotë se vendet e varfra nuk kanë doza të mjaftueshme për nisje të vaksinimit.

Koronavirusi ka prekur mbi 233 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 4.7 milionë kanë humbur jetën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat