Ky shtet mbyll qiellin për avionët luftarakë francezë

Afrika

Ky shtet mbyll qiellin për avionët luftarakë francezë

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 19:38
Foto ilustrim

Algjeria ka mbyllur hapësirën e vet ajrore për avionët luftarakë francezë dhe shkak është bërë një deklaratë e Presidentit francez, Emmanuel Macron që kritikonte versionin e ri të historisë që ka nisur të mësohet në vendin afrikano-verior.

"Këtë mëngjes, duke paraqitur planet e fluturimit për dy aeroplanë, ne mësuam se algjerianët po mbyllnin fluturimet e territorit të tyre për avionët ushtarakë francezë", tha koloneli Pascal Ianni më 3 tetor 2021. "Kjo nuk ndikon në operacionet, ose misionet e inteligjencës [të udhëhequr nga forcat franceze në Sahel]”.

Si pasojë e ndalimit të hapësirës ajrore, dy fluturimet logjistike të planifikuara për 3 tetor 2021, u pezulluan.

Avionët e Forcave Ajrore Franceze zakonisht fluturojnë përmes Algjerisë për të arritur në rajonin e sub Saharasë, ku ushtria franceze dhe aleatët e saj janë vendosur për të luftuar kryengritësit islamikë si pjesë e operacionit Barkhane. Një raport i fundit nga Parlamenti francez tha se rreth 1.000 orë fluturimi përmes Algjerisë u autorizuan vetëm në vitin 2019.

Pa këtë qasje të drejtpërdrejtë, rrugët e këtyre fluturimeve mbështetëse ka të ngjarë të kalojnë përmes Marokut dhe Mauritanisë, duke rritur si koston, ashtu edhe kohën e tyre të fluturimit. Tani për tani, fluturimet komerciale midis Algjerisë dhe Francës të kryera nga Air France dhe Transavia duket se nuk preken.

Vendimi i autoriteteve algjeriane pasoi një deklaratë të Presidentit Francez Emmanuel Macron, të raportuar nga Le Monde, në të cilën ai denoncoi "historinë zyrtare të rishkruar plotësisht [...] të Algjerisë", e cila "nuk bazohet në të vërtetën", por në "një tregim i cili mbështetet në një urrejtje ndaj Francës”.

Vendi i Afrikës Veriore e tërhoqi ambasadorin e tij pasi i përshkroi komentet e Presidentit Francez si një "ndërhyrje të papranueshme në punët e tij të brendshme". Algjeria, ish-koloni e Francës, në librat e rinj të historisë flet për gjenocidet dhe masakrat e kryera nga trupat franceze ndaj popullit algjerian. Parisi i ka njohur pjesërisht krimet, por thotë se përmasat e tyre janë të fryra në librat e historisë.

Në një tjetër përplasje, Algjeria mbylli hapësirën e saj ajrore për të gjithë avionët civilë dhe ushtarakë marokenë më 22 shtator 2021. Dy vendet e Magrebit janë përfshirë në një mosmarrëveshje diplomatike mbi statusin e Saharasë Perëndimore, të cilën Maroku e konsideron si pjesë të territorit të saj kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat