Rafeti, luftëtari i tri luftërave shqiptare, vritet në Siri me uniformën e ISIS-it

Aktuale

Rafeti, luftëtari i tri luftërave shqiptare, vritet në Siri me uniformën e ISIS-it

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 17:52
Rafet Hyseni

Dje listës së rinjve të Kosovës të vrarë në Siri ju shtua edhe emri i Rafet Hysenit nga Vushtrria. Rafeti që kishte marrë rrugën për në zonën e konfliktit për të dytën herë nuk do të kthehet i gjallë nga atje. Media ka qëndruar gjatë ditës në familjen e tij, nga ku u bë e ditur se i ndjeri dikur kishte luftuar edhe me uniformë të UÇK’së

Dhjetëra persona ishin drejtuar për ngushëllim gjatë të premtes në familjen Kaqanolli nga Vushtrria. Një natë më herët, nga Siria atyre ju erdhi lajmi se iu është vrarë një pjesëtarë i familjes. Bëhet fjalë për Rafet Hysenin që tre vite më parë kishte marrë rrugën për në zonën e konfliktit.

Përderisa jashtë vendit ku po prisnin njerëzit që shkonin për krye shënosh gjendej edhe fotografia e Rafetit me rroba të ushtarit të UÇK’ së, aty rrinin edhe familjarët që për rastin kishin shumë pak fjalë.

Vëllai i tij, Avni Hyseni Kaqanolli i tha se nuk kanë koment për mënyrën se si ka ndodhur rasti, e këto ditë dhimbjeje për ta do të pranojnë vetëm ata që shkojnë për ngushëllim.

“Nashta edhe na kuptoni, kemi rast vdekje mundeni me na dhanë ngushëllim sa dush diçka më tepër jo, ju lutemi të na leni të qetë. Të mërzitur jena, po dojmë me nejt në mërzinë tonë”, tha ai shkurtimisht.

Përderisa nga familja e ngushtë sipas informacioneve të fqinjëve nuk qenë të pajtimit për rrugën që mori Rafeti, ata që gjatë ditës qëndruan për të pame, flisnin fjalë të mira për të ndjerin.

Qemajl Pantina duke folur për Express, pasi që ngushëlloi familjarët, tha se nuk do të komentojë arsyet pse ai shkoi në Siri, e shton se familja po kalon nëpër një mërzi të madhe.

“Mërziten se pjesë e jetës, pjesë e familjes, pjesë e shpirtit të tyne, kosovar mas pari, ka kontribuar në luftëra tona në Kosovë ka kontribu në Maqedoni, ka pas qef me shku atje, qysh u shku pse u shku, problem i tina, djalë i sjellshëm ka qenë sjelljet e tina kanë qenë tjetër qysh. Deri në 2016 e kena pa knena, tash as trupin logjikisht smunden me ja pru ktu”, përfundon fqinji i të ndjerit.

 Siç mëson media, Rafeti që me prejardhje është nga fshati Kaçanoll i Shalës së Bajgorës, kishte marrë pjesë edhe në disa luftëra para se të shkonte në Siri.

Ai kishte marrë pjesë në luftën e Kosovës, të Maqedonisë e të Preshevës, për të shkuar më pas edhe në atë të Sirisë.

I ndjeri me uniforme gjate luftes ne Maqedoni

Në Siri pati shkuar dy herë, e një shok i tij, po deklarohet se e kishte udhëzuar disa herë që të mos shkonte aty.

“Unë i kam thanë këtij vetë, mos shko atje u kthy njëherë apet i kum fol, u kanë njeri që ka shku në plot lufta, ska pas lidhje ky me islamin. I ka pas ato shenja, përmenke çiftin e Bin Ladenit”, po thotë njëri nga shokët, ndërkaq, një tjetër e kujton si mik të mirë.

“Ky me luftë u marrë gjithë, që tri vjet po u kanë me neve në luftë në Koshare, në Preshev, Bujanovc Medvegjë, djali i mirë u kanë, kojshi i mire. Në Koshare jam kanë vetë në luftë me të’’ shton shoku i të ndjerit, që deshi të mbetej anonim.

Për Rafetin që në luftë e njihnin si Komandant Mitrovica, të premten kishin ardhur edhe bashkëluftëtarë nga Tetova për ngushëllim të familjes.

Ngjarja që kishte ndodhur shqetësoi banorët e lagjes "Haxhi Zeka" të Vushtrrisë , ku dikur jetonte i ndjeri.

Një nga ta duke dashur të mbetet anonim po thotë se ka dëgjuar për grupe të organizuara fetare që vazhdojnë të merren me radikalizëm.

Aty xhemati po thotë se ka shumë persona të dyshimtë që i shqetësojnë gjatë faljes së namazit.

“Ka që vijnë me mjekra në xhami po të premteve nuk vijnë. Këtyre ditëve tjera vijnë e të xhumave jo, se atë ditë vijnë krejt qysh duhet. Na falëm bashkë këta me mjekra vetëm farzin e falin edhe lamtumirë”, po thonë ata.

Edhe për imamin e kësaj xhamie, Blerim Maliqi ngjarja është shqetësuese. Ai i tha se nuk e ka njohur të ndjerin duke u shprehur edhe kundër kësaj dukurie.

Rafet Hyseni ishte i bërë i njohur edhe më parë kur qe shpërndarë një video në rrjete sociale nga ku i ndjeri  zotohej se do t'i zhdukte të pafetë nga Siria dhe se atje do të zbatohej sheriati.

Deri më tani, numri i shtetasve të Kosovës të vrarë në Siri e Irak, raportohet të jetë rreth 80, nga afër 200 prej të cilëve raportohet se ndodhen ende në zonat e konflikteve në Azi. 

Kosova është e ranguar në mesin e shteteve me numrin më të madh të qytetarëve që iu kanë bashkuar organizatave terroriste "ISIS" e "Al-Nussra" në Siri e Irak, krahasuar me numrin e përgjithshëm të banorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat