Thaçit mund t’i dalë punë me Kushtetuesen rreth emërimeve në KQZ

Aktuale

Thaçit mund t’i dalë punë me Kushtetuesen rreth emërimeve në KQZ

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 20:33
Hashim Thaçi

Nëse presidenti i vendit, Hashim Thaçi, vendos të emërojë vetëm nga një anëtar të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti, ka thënë se tendenca e presidentit Thaçi, që pa baza ligjore e kushtetuese t’i garantojë koalicionit qeverisës shumicë në KQZ, po e dëmton këtë parti.

Sipas Hotit, LDK-ja është e vendosur të mbrojë të drejtën e saj për përfaqësim adekuat në KQZ.

Veç kësaj, vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, për këtë çështje u është drejtuar me një letër edhe ambasadore të shteteve të Quintit, OSBE-së dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar kundër vendimit të presidentit Hashim Thaçi pasi sipas kësaj partie opozitare, Thaçi me këtë veprim po mundohet ta degradojë dhe shkatërrojë KQZ-në.

Të dy këto parti kanë kërkuar nga Thaçi që t’i emërojnë nga dy anëtarë, emrat e të cilëve tashmë janë në zyrën e tij.

Edhe shoqëria civile veprimin e presidentit e quan të padrejtë .

Presidenti Thaçi për 1 vit e 3 muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare e ka lënë pa mandat KQZ-në pasi vendosi të kërkojë interpretim ligjor në Gjykatën Kushtetues të Kosovës, se si të ndahej hisja e subjekteve politike në KQZ.

Krejt kjo për shkak se partnerët e koalicionit nuk kanë mundur të merren vesh se dy anëtarët e nominuar cilës parti t’i takojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat