Shënohet Dita e Avokatisë, kërkohet drejtësi për viktimat e dhunës seksuale

Aktuale

Shënohet Dita e Avokatisë, kërkohet drejtësi për viktimat e dhunës seksuale

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 12:23
Shënohet Dita e Avokatisë

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga edhe njëherë ka kërkuar që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të kenë qasje në drejtësi. Para njerëzve të ligjit, ajo bëri thirrje për bashkim të forcave në mbështetje ligjore të këtyre viktimave. Këto i tha në Ditën e Avokatisë, që u shënua me një ceremoni në Prishtinë.

Në shënimin e 45 vjetorit të Ditës së Avokatisë, u tha se avokatia në shoqërinë kosovare është një hallkë shumë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë.

Me punë dhe profesionalizëm, u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm dhe është përfshirë në të gjitha instancat shoqërore.

E ftuar në ceremoninë e përvjetorit ishte edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila tha se duhet kujtuar se profesioni i avokatit është profesion i nderit.

Jahjaga: Të bashkohemi për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

“Të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u nevojitet ndihma jonë. Ndihma e njerëzve që besojnë në drejtësi dhe që kanë vullneti të bëjnë çmos që drejtësia të triumfojë. Për shkak të kufizimeve ligjore që ka Kosova, duke mos qenë pjesë e asnjë gjykate ndërkombëtare, ne tani për tani  e kemi të pamundur të padisim Serbinë për krimin që regjimi i dikurshëm i saj, e kryer mbi popullatën tonë civile gjatë luftës së vitit 1998-1999. Kjo nuk do të thotë që neve duhet të presim.... 9.48 Ka ardhur koha, madje jemi vonuar që ti bashkojmë forcat në mbështetje ligjore të këtyre viktimave, e kemi obligim moral e ligjor t’i përkrahim mijëra gra e burra që u dhunuan seksualisht gjatë luftës, me kërkesën e tyre shumë sublime, atë për drejtësi, ju ftoj që t’i bashkoheni kësaj kauze”, tha ajo.

Ndërsa, Osman Havolli kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës foli për rolin e avokatëve në shoqërinë kosovare.

Havolli: Roli i avokatisë së Kosovës është i pamohueshëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale

“Rrugëtimi i avokatisë kosovare nuk ishte fare e lehtë. Barrën dhe sfidat e ndryshme i bartën kryetarët e mëhershëm bashkë me avokatët që kontribuuan në fuqizimin e avokatisë dhe shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës. Kjo punë e palodhshme e tyre do të shërbejë inspirim i madh për neve, për të trasuar rrugën për ngritjen sa më të fuqishme të profesionalizmit. Tani Oda e Avokatëve të Kosovës ka 910 avokatë që e ushtrojnë profesionin në shtatë regjione. Roli i avokatisë së Kosovës është i pamohueshëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale”, tha ai.

Enver Peci që drejton Gjykatën Supreme të Kosovës, tregoi se aktualisht janë të përqendruar në unifikimin e politikës ndëshkimore në Kosovë.

Peci: Jemi të fokusuar në unifikimin e politikës ndëshkimore në Kosovë

“Si Gjykatë Supreme përveç vendosjes së rasteve që parasheh ligji, kemi punuar edhe në unifikimin e praktikës gjyqësore dhe në dhënien e mendimeve juridike dhe profesionale për drejtësinë vendore. Aktualisht jemi të fokusuar në unifikimin e politikës ndëshkimore në Kosovë, pasi praktika gjyqësore ka dëshmuar se ajo nuk është unike sa i përket shqiptimit të dënimeve dhe kjo përveç që është shkelje e të drejtave të njeriut ka ndikuar edhe në uljen e besimit të publikut në gjyqësor”, tha ai. 

Ai pranoi se sistemi i drejtësisë ka nevojë për t’u forcuar më shumë.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, duke folur për rritjen e numrit të gjyqtarëve, tha se shpreson që kjo do të ndikojë pozitivisht në punimin e lëndëve, të cilat janë në numër të madh nëpër gjykata.

Idrizi: Shpresojmë që në të ardhmen mos të kemi shumë lëndë e pak gjyqtarë

“Jemi në përfundim të procesit të dekretimit të 37 gjyqtarëve, i kemi dërguar dosjet te presidenti, në pyetje janë ditët, se kur do të dekretohen këta gjyqtarë, po ashtu edhe para 6 ditësh kemi shpallë konkursin e ri për 27 gjyqtarë, kështu planifikojmë 155 gjyqtarë të rinj të fillojnë punën dhe ta heqim nga zhargoni ynë që kemi pas vazhdimisht se pak gjyqtarë e shumë lëndë. Shpresoj në të ardhmen nuk do të ballafaqohemi me këtë problematikë”, tha ai.

Në ceremoninë e Odës së Avokatëve të Kosovës, u tha se kjo është një ditë e veçante në të cilën duhet kujtuar se avokatia kosovare daton qysh para fillimit të luftës së dytë botërore, kur edhe u regjistrua avokati i parë shqiptar, Sokol Dobroshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat