Mustafa: Një Qeveri dhe qeverisje e tillë nuk i nevojitet Kosovës

Aktuale

Mustafa: Një Qeveri dhe qeverisje e tillë nuk i nevojitet Kosovës

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 17:24
Foto

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në 29 vjetorin e themelimit të këtij subjekti politik, ka folur edhe për zhvillimet aktuale politike të vendit, 

Ndër të tjera, Mustafa ka thënë se Kosovës nuk i nevojitet një Qeveri dhe një qeverisje e tillë.

Më poshtë ju sjellim jalimin e plotë të Mustafës:

Të nderuar anëtarë të Kuvendit, të Këshillit të Përgjithshëm, të Kryesisë, kryetarë të forumeve dhe kryetarë të degëve të LDK-së;

Të nderuar, deputetë dhe kryetarë të komunave;

E nderuara familje Rugova;

I nderuari President Sejdiu;

Të nderuar veprimtarë dhe simpatizantë të LDK-së;

Të nderuar përfaqësues të Korit diplomatik;

Të nderuar familjarë të veprimtarëve të LDK-së, familjarë të dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së;

Të nderuar përfaqësues të jetës shkencore, arsimore e kulturore, përfaqësues të mediave;

Zonja dhe zotërinj  të nderuar, që po e madhështoni përvjetorin e 29 të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Urime të gjithë juve dhe qytetarëve të Kosovës dita e themelimit të partisë së parë, me bazë dhe vlera demokratike në Kosovë, Lidhjes tonë Demokratike.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në motin e ndryshimeve të mëdha historike që kishin përfshirë mbarë Evropën, më 23 dhjetor 1989 në ish-shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, me në krye shkrimtarin dhe  kritikun unik të letrave shqipe, intelektualin e urtë, Presidentin Historik të Kosovës,  Dr. Ibrahim Rugova.

LDK është partia e parë e themeluar si lëvizje demokratike në botën shqiptare dhe në këtë pjesë të Evropës e të botës pas Luftës së Dytë Botërore.

Veprimtarë dhe simpatizantë të nderuar të LDK-së,

Më vjen keq, që sot po iu drejtohem ulur në këtë kremtë të madhe. Sepse, ju meritoni respektin më të madh.

Po mbushet gati një vit që po ballafaqohem me rehabilitimin shëndetësor, gjatë së cilës kohë kam pasur përkrahjen nga pjesa dërmuese e juve. Me përkrahje të familjes, të bashkëpunëtorëve të mi më të ngushtë, të njerëzve të mirë, me mbështetje në Zotin dhe në mjekët tanë të mrekullueshëm, po arrij të rikuperohem ngadalë.

Faleminderit për mirëkuptimin!

Zonja dhe zotërinj

Sot, pas 29 vjetësh nga themelimi, LDK qëndron e para në Kosovë. Me grupin më të madh parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me numrin më të madh të komunave që drejtohen nga LDK, me mbështetjen më të madhe që del  nga të gjitha matjet e opinionit publik.

Jemi parti e parë dhe e vetme e familjes më të madhe politike evropiane, Partive Popullore Evropiane.

Jemi parti që kultivon humanizëm, paqe e tolerancë, e cila në prioritetin e saj ka përkushtimin për Kosovën dhe qytetarin e Kosovës. Jemi dëshmuar se jemi më të përgatiturit për t’u ofruar të rinjve tanë perspektivë evropiane, për të ndërtuar raporte të shëndosha partneriteti me Bashkimin Evropian dhe shtetet evropiane, për të kultivuar dhe thelluar miqësinë e përhershme me SHBA-të, bazat e së cilës i vëri Kryetari ynë i parë, Ibrahim Rugova.

Prandaj edhe qëndrojmë të parët, sepse e kemi dhënë provimin e përgjegjësisë kombëtare, shtetërore e demokratike në fazat më të rënda dhe më delikate që ka kaluar dhe që po kalon vendi ynë.

Jemi parti që shpreh mirënjohje të thellë dhe ka respekt për çdo qytetarë të vendit tonë, për bashkatdhetarët tanë që me djersën dhe punën e tyre iu gjetën gjithëherë Kosovës, për njerëzit e vyeshëm të Kosovës në sektorin privat e publik, në arsim e shkencë, në shëndetësi, në sport e kulturë, për policët dhe ushtarët tanë, sepse të gjithë këta sot po ndërtojnë dhe afirmojnë  profilin e shtetit tonë të ri, Republikës së Kosovës.

Ne jemi të vendosur të luftojmë dhe të kundërshtojmë të gjithë ata që keqpërdorin vlerat demokratike të këtij  vendi, që zhvatin pasurinë e Kosovës, që na pengojnë në rrugën tonë euro-atlantike. Gëzojmë besimin më të madh qytetar se kemi dije për të ofruar zhvillim ekonomik që i nevojitet vendit, punësim për të rinjtë dhe gratë, arsim e shëndetësi cilësore, kemi guxim për të luftuar korrupsionin, sepse jemi të pakorruptuar dhe për të çkapë shtetin nga individë dhe grupe parashtetërore kriminale.

Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor,

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar historinë e re të këtij vendi.

Presidenti ynë historik, Ibrahim Rugova ka vënë themelet e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës.

LDK pati guximin dhe vetëdijen për të dalë në ballë të proceseve të mëdha, në kohët më të vështira.

LDK, e themeluar nga intelektualë dhe njerëz tanë të dëshmuar, shënoi fillimin e pluralizmit politik jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë hapësirën politike shqiptare e rajonale. Dita e themelimit të LDK-së është ditë e kthesës sonë të madhe dhe historike në përpjekjet shekullore të popullit të Kosovës për liri, për shtet të pavarur dhe demokratik.

LDK-ja u themelua si lëvizje për ta mbrojtur Kosovën, për t’i mbrojtur vlerat kombëtare dhe vlerat e dinjitetit të popullit të Kosovës. Është autore e akteve më të rëndësishme që vunë themelet e shtetit të Kosovës, si: Deklarata e Pavarësisë (2 Korrik 1990), Kushtetuta e Kaçanikut e Republikës së Kosovës (7 shtator 1990) dhe Referendumit për Pavarësi (shtator 1991), e krijimit të institucioneve parlamentare, Presidencë dhe Qeverinë në ekzil, e funksionalizimit të shtetit paralel në fushat vitale për qytetarët që mbijetoi represionin dhe dhunën serbe.

Gjatë dy viteve të luftës  së armatosur për çlirim, më 1998-1999, shumë veprimtarë të LDK-së ishin pjesë aktive e luftës, shumë prej tyre u flijuan në altarin e lirisë së atdheut.

Lidhja Demokratike e Kosovës, afirmoi ndërkombëtarisht kauzën tonë për mvehtësi.

LDK-ja nisi t’i rrënonte e para muret ndërshqiptare, duke u bërë nismëtare e komunikimit ndërshqiptar.

Është dëshmuar se maksima e përhershme e Presidentit Rugova: “Kosova e pavarur, e inkuadruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ishte atëherë, është sot dhe do të mbetet edhe në të ardhmen maksimë plebishitare e institucioneve dhe e popullit të Kosovës në raport me botën, e sidomos me miqtë tanë strategjikë, SHBA-të dhe BE-në.

Zonja dhe zotërinj,

Lidhja Demokratike e Kosovës i përkujton dhe i nderon me përulje të gjithë ata veprimtarë të saj, të cilët punuan dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe mbarësinë e vendit. Sot, krahas Presidentit Rugova, ne i nderojmë me pietet Akademik Fehmi Aganin, Dr. Latif Berishën, Dr. Bardhyl Çaushin, Xhemajl Mustafën, Enver Malokun, Smajl Hajdarajn, heronjtë e Kosovës, Sali Çekajn, Agim Ramadanin, Tahir Zemajn, Ministrin e Mbrojtjes Ahmet Krasniqi,  Dr. Xhavit Ahmetin, Nekibe Kelmendin,  Hamdi Gashin, Haki Ymerin, Ekrem Rexhën, Ismet Rracin, Ukë Bytyçin, Fadil Feratin, Faruk Spahiun, Shaban Manajn, Mark Malotën, Gjergj Sokolin, Agim Hajrizin,  Idriz Rrecin, si dhe shumë veprimtarë të tjerë, të cilët tashmë janë në botën e amshimit.

Shumë nga këta veprimtarë u vranë nga dora tinëzare gjatë luftës dhe pas luftës, prandaj Lidhja Demokratike kërkon që institucionet përgjegjëse të drejtësisë të zbardhin vrasjet e tyre dhe që kryerësit dhe nxitësit e vrasjeve të përgjigjen para ligjit.

Në përvjetorin tonë të 29, shprehim falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për vendet e NATO-s, të cilat, të udhëhequra nga SHBA-të dhe aleatët e tyre evropianë, mundësuan që krahas luftës së UÇK-së, Kosova të fitonte lirinë e shumëpritur dhe të bëhej një vend i lirë, një vend i pavarur dhe demokratik. Shprehim, po ashtu, respektin e madh për ushtarët që humbën jetën në misionin paqeruajtës në Kosovë.

Të nderuar pjesëmarrës

Lidhja Demokratike e Kosovës, i dha Kosovës dy president të shtetit dhe dy kryeministra të qeverisë, duke llogaritur edhe qeverinë në ekzil.

Pas çlirimit, LDK ishte faktor kyç i ngritjes dhe konsolidimit të institucioneve demokratike të vendit, shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 dhe mbrojtjes me sukses të së drejtës për pavarësi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Për rreth tre vite, sa LDK-ja e drejtoi Qeverinë, përjetoi sulmet më të mëdha dhe më të dhunshme të opozitës dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por edhe përkundër kësaj, arriti për herë të parë të bëjë reforma substanciale ekonomike dhe fiskale, të nënshkruaj marrëveshjen e parë kontraktuale MSA me BE-në dhe të përmbushë 94 nga 95 kriteret për liberalizim të vizave. Ishte kjo qeveri që luftoi korrupsionin dhe filloi t’i largojë kapësit e shtetit.

Së fundmi, Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe pse në opozitë votoi ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi si dhe tri ligjet për mandatin e ri të FSK-së, përkatësisht hapjen e procesit të bërjes së ushtrisë sonë. Po e përkrah, po ashtu edhe agjendën e reformave evropiane.

Zonja dhe zotërinj,

Sot, kur po ballafaqohemi me nevojën e marrjes së vendimeve të rëndësishme për vendin, Kosova si rrallë herë më parë ka nevojë për institucione të forta e me legjitimitet politik. Fatkeqësisht gjendja është ndryshe.

Vetëm në një vit qeverisje, koalicioni aktual qeverisës i ka shkaktuar dëme të mëdha Kosovës. E la pa liberalizim të vizave, pa anëtarësim në Interpol, pa njohje të reja dhe me paralajmërime për tërheqje të njohjeve nga disa vende. Katër komuna të veriut të vendit kanë ndërprerë komunikimin me qeverinë se sillen se janë komuna të Serbisë, kurse Qeveria dhe institucionet qendrore bëjnë sehir, sikur të jenë pajtuar me këtë gjendje.

Aktualisht, përkrahja ndërkombëtare e Kosovës është në nivel shumë të ulët,

Është vështirë të pritet më shumë nga një qeveri me 1/3 e ministrave me aktakuza për vepra penale, me 80 zëvendësministra, me koordinatorë të shpikur, një qeveri që po e falimenton Telekomin, që nuk po kujdeset për Trepçën, që e po e shndërron Kosovën në shtet social, por që njerëzit e saj i ka vënë në pozitat kyçe te privatizimi i aseteve shoqërore dhe te menaxhimi i ndërmarrjeve publike. Kjo qeveri po shfrytëzon parat publike për t’ua falur miliona borxhe kompanive private.

Asnjë taksë, sado e meritueshme ndaj Serbisë, nuk mund të mbulojë këto dështime.

Një Qeveri dhe një qeverisje e tillë nuk është në interes të Kosovës dhe nuk i nevojitet Kosovës.

Të nderuar veprimtarë të LDK-së

Mund t’i kuptoj shqetësimet tuaja për procesin e dialogut me Serbinë, për deklaratat e papërgjegjshme të Presidentit të vendit për korrigjim të kufijve, për identë e kahmotshme serbe për shkëmbimin e territoreve, ide këto të rrezikshme jo vetëm për qenien e shtetit tonë por edhe për regjionin dhe me gjerë.

LDK u ka thënë jo këtyre tendencave ashtu siç i kemi thënë jo idesë së çdo pushteti të tretë që defunksionalizon shtetin e Kosovës.

Nuk janë të papritura edhe disa prononcime të atyre që na ofendonin pse bëmë koalicion me PDK-në, e tani na kritikojnë pse nuk po i ngjitemi koalicionit të PDK-së për të ua siguruar numrat dhe legjitimitetin për dialog. Bile këtë e interpretojnë edhe si mungesë lidershipi. Ata po thonë se po brengosen se LDK ka devijuar nga fundamenti politik i saj.

Dhe unë ju them se një parti pa lidership të mirë e të fortë, pa anëtarësi besnike, nuk del parti e parë. E LDK është parti e parë. Ajo vendosë vet!

Dhe u them, po ashtu, se partia që është e para nuk bëhet bisht i askujt dhe nuk i shërben asnjë politike që konsideron se nuk është e mirë, por të tjerët duhet të radhiten pas LDK-së, aty ku e kanë vendin, në qoftë se dëshirojnë të jemi bashkë në këto procese.

Të nderuar pjesëmarrës,

Për LDK-në, shtetësia e Kosovës në kufijtë e saj, janë përmbyllur me Deklaratën e pavarësisë. Ajo nuk mund të rihapet.

LDK ka bërë publike qëndrimet e saj për dialogun, të përfshira në dokumentin ORIENTIMET BAZË TË LDK-së PËR DIALOGUN NDËRMJET REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE REPUBLIKËS SË SERBISË

LDK-ja e përkrah dialogun për Marrëveshjen Përfundimtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si shtete të pavarura, për njohje reciproke ndërmjet tyre. Dialogu duhet të zhvillohet në relacionin shtet më shtet, jo Prishtinë-Beograd ashtu siç dëshirohet të theksohet nga disa për shkaqe neutraliteti; që përkrahës dhe garantues të dialogut të jetë BE dhe SHBA; që të sigurohet reciprociteti i plotë i të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe serbëve që jetojnë në Kosovë;

LDK-ja vlerëson se Marrëveshja Përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet pa e cënuar në asnjë formë shtetësinë e Kosovës, të përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë; kufijtë, integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit nuk mund të jenë temë e dialogut.

Marrëveshja për njohje reciproke duhet t’i mundësojë Kosovës anëtarësim të papenguar në organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në Organizatën e Kombeve te Bashkuara, si dhe t’i hapë rrugë anëtarësimit të saj në BE dhe në NATO.

Marrëveshja pas ratifikimit me 2/3 në Kuvend duhet të aprovohet nga Komisioni evropian, nga 5 shtete të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe të përmbyllet Rezoluta 1244 e KS.

LDK përshëndetë përkrahjen e fuqishme të SHBA-së procesit të dialogut, të konfirmuar edhe me letrën e Presidentit Trump.

LDK konsideron se arnimet të cilat po përpiqen ti bëjë koalicioni qeverisës me ekipe hibride dhe jolegjitime janë shprehje se Qeveria aktuale e ka pranuar pafuqinë e saj për të dialoguar dhe mungesën e shumicës. Ata nuk e kanë hallin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. E kanë hallin e integritetit të interesave të tyre pushtetore.

Arnimi me një parti që sot nuk peshon as 3% me besim qytetar,  nuk mund t’i shitet Brukselit, si grup i unitetit me opozitën, e as si përfaqësim i opozitës, por vetëm si lajthitje dhe vetëmashtrim.

Në situatën kur Kosova është shtet i pavarur me të gjitha institucionet e saj, dialogu duhet ta zhvillojnë institucionet e përcaktuara me kushtetutë.

LDK nuk do të veprojë njëkohësisht në opozitë dhe në pozitë, sepse LDK me vota të qytetarëve tani është opozitë, e cila do të punojë për interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

LDK është shprehur qartë se për një dialog kaq të rëndësishëm nevojitet legjitimim me vota të qytetarëve. Duhet pajtueshmëri e gjerë. Se dialogun mund ta zhvillojë vetëm një qeveri e fortë dhe që përfaqëson shumicën e nevojshme për vendime të tilla me interes për vendin.

Në qoftë se të gjitha partitë në Kosovë e kanë përnjëmend, ashtu si LDK-ja, se duhet të arrijmë unitet në dialog me Serbinë, atëherë çdonjëra prej tyre duhet ta pranoj vendin që i takon për nga fuqia politike dhe të pajtohet për ndryshime rrënjësore të cilat duhet ti paraprijnë dialogut.

Zonja dhe zotërinj,

Gjithmonë, LDK-ja ka pasur fatin që interesi i saj të përputhet plotësisht me interesin e Kosovës. Prandaj, edhe në këtë kohë të kërcënimeve serioze për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, LDK-ja do të jetë gardian i interesit të shtetit. Ju ftoj të qëndrojmë bashkë, ta përballojmë bashkë këtë sfidë serioze dhe ta nxjerrim Kosovën të fortë.

Të dashur bashkëveprimtarë në LDK,

Zonja dhe zotërinj,

Dua të ritheksoj se themelimi i LDK-së është akti më i rëndësishëm i rirreshtimit politik e kulturor të popullit të Kosovës në skenën e politikës globale, është akti i nisjes pa dilemë në udhën e gjatë, por të pakthyeshme të integrimit në familjen e vendeve të lira dhe demokratike europerëndimore.

LDK duhet të qeverisë me Kosovën, sepse tjerët po qeverisin keq. E kemi platformën për zgjedhje, do të ofrojmë programin më të mirë qeverisës, njerëz të përgjegjshëm për vendin, të dijshëm dhe të pakorruptuar.

Anëtarësia jonë, nëndegët, degët, organet e LDK-së, Forumi i Gruas, Forumi i Rinisë, Këshilli i Ekspertëve, Fondacioni Ibrahim Rugova, kanë rol të veçantë në ndërtimin e shtetit tonë. Unë sot vërej përkushtimin dhe përgjegjësinë e lartë të LDK-së. Jemi unik, kemi kohezion politik dhe programor. Kemi përfaqësim të mirë nga Grupi Parlamentar në Kuvend dhe drejtim të suksesshëm të komunave nga kryetarët tanë.

E kam thënë edhe më parë, askush nuk ka të drejtë që të kërkojë që LDK-në ta konservojmë në kohën e themelimit të saj. LDK është themeluar  që t’i kontribuoj Kosovës, ti prij Kosovës, të zgjidhë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të saj, duke qenë prijëse e ndryshimeve dhe duke iu përshtatur ndryshimeve.

LDK-ja është domosdo e Kosovës demokratike dhe evropiane, se politika e saj nënkupton humanizëm, paqe dhe tolerancë, tri nyjat pa të cilat nuk ka as mendim, as veprim demokratik.

Në vitin që po hyjmë, që shënon tre dekada të LDK-së, ne do të zhvillojmë zgjedhjet e brendshme partiake. Nga këto zgjedhje LDK do të del edhe më e fuqishme, me kohezion të plotë, duke e respektuar votën dhe vullnetin e anëtarësisë.

Ju faleminderit dhe me fat Dita e LDK-së!

Ju uroj festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2019 juve dhe të dashurve tuaj.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj!. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat