Studentët kërkojnë liberalizim, pyesin Mogherinin për vlerat e BE-së

Aktuale

Studentët kërkojnë liberalizim, pyesin Mogherinin për vlerat e BE-së

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 10:40

(E plotësuar) - “A është izolimi vlerë e BE-së”, është pyetja e cila sot është bërë nga studentët kosovarë për përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinin.

Përmes një marshi protestues që nisi nga Fakulteti Filozofik e deri zyra e BE-së, studentët e quajtën padrejtësi, mashtrim e izolim, mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në një kuti ata “dhuruan” pasaportat e tyre, që i quajtën të pavlera.

Studenti Bekim Ibishi  ka treguar simbolikën e kësaj dhurate.

Ibishi: Dhuratë për festat e tyre u kemi sjell vuajtjet tona

“Arsyeja pse gjendemi këtu është që të kërkojmë llogaridhënie nga BE-ja për mos liberalizimin e vizave, kur të gjithë këta janë në festë dhe kanë harruar të gjitha brengat e tyre, ne nuk mund të festojmë si ta sepse jemi i vetmi popull në Evropë që jemi i izoluar, andaj këta na kanë shndërruar pasaportat tona në të pavlera, dhe ne u kemi sjell një dhuratë ku ne i kemi futur vuajtjet tona si dhuratë për festat e tyre. Ne nuk mund t’i vizitojmë as familjarët tanë, këta mund të vizitojnë anë e mbanë botës, nga të dëshirojnë. Jemi i vetmi vend  në Evropë që jemi izoluar, dhe për atë arsye jemi ardh që të kërkojmë llogaridhënie : a është izolimi vlerë e BE-së?”, u shpreh ai.

Edhe studenti Blendon Arifi ka përmendur dhuratën të cilën i kanë bërë Mogherinit, duke vënë në pah izolimin e kosovarëve.

Arifi: Në të gjithë truallin evropian jemi të vetmit të izoluar, mashtruar e getoizuar

“Simbolika e sotme e studentëve të UP-së është e veçantë dhe lidhet me një ditë të shenjtë, ditën e kërshëndellave, ditë kjo e cila bart me vete këtu e shumë vite e shekuj mesazhin e bashkëpunimit, tolerancës, dashurisë dhe mirëkuptimit mes njerëzve. Në të gjithë truallin evropian jemi të vetmit që s’mund të lëvizim lirshëm dhe rrjedhimisht të festojmë, në të gjithë truallin evropian jemi të vetmit që jemi të getoizuar dhe të izoluar gjithandej, në të gjithë truallin evropian jemi të mashtruar e madje edhe të pashpresë, neve nuk na intereson politika e as nuk duam të jemi pjesë e saj, as e partive politike, dhe as e ndonjë lëvizje qytetare”, tha Arifi.

Studenti Edison Syla para protestuesve të mbledhur tha se popullit të Kosovës po i bëhet fyerja më e madhe që mund t’i bëhet dikujt.

Syla: Përmes dhuratave Mogherinit i përçojmë mesazh si e ka lënë këtë popull

“Jemi mbledh sot këtu për disa dhurata simbolike drejtuar zonjës Mogherini, që përmes këtyre dhuratave me ja përçuar mesazhin se qysh është duke e lënë, çfarë gjendje është duke e lënë këtë popull, qysh është duke e izoluar, edhe se qysh pasaporta e këtij populli është bërë e pavlerë”, tha ai.

Kurse Shpat Krasniqi ka përmendur kriteret e plotësuara nga Kosova, duke shtruar pyetjen edhe sa kritere të tjera duhet plotësuar deri në lëvizjen e lirë.

Krasniqi: Pritëm për liberalizimin, por ju na mashtruat e zhgënjyet

“Mosdhënia e rekomandimit për liberalizimin e vizave në zonën Schengen të BE-së për qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ne studentët tashmë sa vite, na nxiti që sot të dalim në këtë aksion simbolik dhe t’i drejtohemi BE-së. Na vutë kritere, i plotësuam. Na thatë ratifikojeni edhe Demarkacionin me Malin e Zi, edhe atë e bënë. Pritëm e pritëm mos po na jepni dritën jeshile për liberalizim, por ju na mashtruat e na zhgënjyet. Nëse politikanët janë të përfshirë në krim e korrupsion atëherë ndëshkojini ata, ama është mjaft t’u themi me talljet që po ua bëni 2 milionë shqiptarëve të Kosovës”, tha Krasniqi. 

***

Me moton “A është izolimi vlerë e BE-së”, ka nisur protesta e studentëve për mos liberalizim të vizave.

Studentët thonë se me anë të kësaj proteste kërkojnë llogaridhënie nga BE-ja.

“Pas plotësimit të 95 kritereve për liberalizim të vizave, kërkesa jonë për liberalizim ende nuk u realizua, madje si një ndër kriteret më të rëndësishme u caktua votimi pro demarkacionit me Malin e Zi, votimi i cili iu imponua deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga zyrtarë të lartë të BE-së. Po ashtu do t’i bëjmë një dhuratë simbolike zonjës Mogherini një kuti të votimit me pasaportat tona të pavlera si një shenjë për izolimin që po i bën shtetit tonë Kosovës”, kanë konfirmuar studentët për KTV-në.

Ata kanë edhe një pyetje për Mogherinin me këtë: “A është izolimi vlerë e BE-së?”.

Image

***

Studentët e Universitetit të Prishtinës po protestojnë para zyrës së BE-së në Kosovë për shkak të mos liberalizimit të vizave.

Protesta nis para Fakultetit Filozofik dhe vazhdojmë drejtë zyrës së BE-së.

Studentët thonë se me anë të kësaj proteste kërkojnë llogaridhënie nga BE-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat