LDK dhe VV i dërgojnë letër BE-së për grupin e unitetit për dialogun

Aktuale

LDK dhe VV i dërgojnë letër BE-së për grupin e unitetit për dialogun

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 18:43
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, dhe ai i VV-së, Glauk Konjufca, i kanë dërguar një letër Përfaqësueses së BE-së, Federica Mogherinit dhe Komisionarit Johannes Hahn, ku i kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Në letrën e dërguar shkruan se dy partitë e mëdha opozitare nuk e kanë votuar ekipin negociator për të dialoguar me Serbinë, duke shtuar se ky ekip nuk e gëzon mbështetjen e gjerë të elektoratit.

“Lidhur me letrën tuaj të datës 17 dhjetor 2018, dërguar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, jemi befasuar shumë kur lexuam fjalinë në vijim: Me vendosjen e ekipit të unitetit me një mbështetje të gjerë nga partitë në qeveri dhe në opozitë…”, shkruan në faqen zyrtare të VV-së në Facebook.

“Ju lutemi të keni parasysh se ne, Opozita kryesore që përfaqëson shumicën e elektoratit të vendit, siç shpjegohet më lartë, nuk kemi votuar për këtë ‘ekip të unitetit’ të cilit i referoheni”.

“Për pasojë, nuk ka ‘mbështetje të gjerë’ për këtë ekip, siç shkruani ju në letrën tuaj. Kemi detyrimin ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, për ta nxjerr në pah këtë realitet”.

Ja letra e plotë pa ndërhyrje:

Sot, pranë Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, u dorëzua për dijeninë e Ambasadores Nataliya Apostolova, letra e përbashkët e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca. Letra i drejtohet Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, dhe Komisionerit Johannes Hahn. Përmbajtja e plotë e kësaj letre është vendosur në vijim në gjuhën shqipe dhe atë angleze:

Shkelqësija e saj, Znj. Federica Mogherini
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politka të Sigurisë,

Komisioneri Johannes Hahn
Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit
Prishtinë,

24 dhjetor 2018

LËNDA: Zhvillimet lidhur me dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë

Të nderuara Shkelqësi,

Kemi ndjekur me shumë shqetësim zhvillimet e fundit dhe komunikimin tuaj zyrtar dhe publik në lidhje me dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ju lutemi të keni parasysh se ne përfaqësojmë dy partitë më të mëdha Opozitare në Parlamentin e Republikës së Kosovës, me 44 deputetë. Fuqia jonë e votës, bazuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, në qershor të vitit 2017, përbën mbi 50 përqind të votave të përgjithshme të elektoratit. Kjo mbështetje masive e qytetarëve për dy partitë tona politike është rikonfirmuar vazhdimisht, dhe është në rritje e sipër, sipas një sërë sondazhesh të opinionit publik që janë zhvilluar gjatë këtij viti.

Lidhur me letrën tuaj të datës 17 dhjetor 2018, dërguar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, jemi befasuar shumë kur lexuam fjalinë në vijim: “Me vendosjen e ekipit të unitetit me një mbështetje të gjërë nga partitë në qeveri dhe në opozitë…”. Ju lutemi të keni parasysh se ne, Opozita kryesore që përfaqëson shumicën e elektoratit të vendit, siç shpjegohet më lartë, nuk kemi votuar për këtë "ekip të unitetit" të cilit i referoheni. Për pasojë, nuk ka "mbështetje të gjerë" për këtë ekip, siç shkruani ju në letrën tuaj. Kemi detyrimin ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, për ta nxjerr në pah këtë realitet.

Ne mbetemi të përkushtuar për të zgjidhur të gjitha çështjet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë përmes dialogut, sipas letrës tonë të dërguar më 12 shtator 2018. Jemi shumë të interesuar për një dialog mes dy vendeve tona që largohet prej paqartësisë dhe shkon drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, duke nënkuptuar njohjen reciproke.

Kemi besimin se ju dhe institucionet e BE-së do t’i merrni parasysh shpjegimet tona, dhe mirëpresim forcimin e bashkëpunimit tonë në dobi të integrimit të mëtejshëm të Republikës së Kosovës në BE.

Sinqerisht,

Avdullah Hoti
Kryetar i Grupit Parlamentar
Lidhja Demokratike e Kosovës

Glauk Konjufca
Kryetar i Grupit Parlamentar 
Lëvizja VETËVENDOSJE!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat