Fatmir Limaj jep detaje të takimit mes tij, Shpend Ahmetit dhe Hashim Thaçit

Aktuale

Fatmir Limaj jep detaje të takimit mes tij, Shpend Ahmetit dhe Hashim Thaçit

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 23:24
Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh bashkëudhëheqës i ekipit shtetëror të Kosovës për dialogun përfundimtar me Serbinë, Fatmir Limaj, ka folur për takimet që ai dhe Shpend Ahmeti, si bashkëkryesues i ekipit, po zhvillojnë me krerët e shtetit këto ditë.

Limaj ka treguar se në agjendën fillestare të tyre ka qenë bisedimet me udhëheqësit e institucioneve të vendit.

“Ideja e takimeve ka qenë të kërkojmë koordinimin dhe bashkëpunimin  me institucionet në detyrën që kemi marrë”, ka thënë Limaj.

“Kemi kërkuar nga kryeministri dhe nga presidenti t‘i marrim të gjitha materialet nga ato që janë biseduar në të kaluarën me Serbinë”, ka bërë të ditur ai.

Limaj, i cili udhëheq Nismën Socialdemokrate, ka thënë se ai dhe Ahmeti, shef i Partisë Socialdemokrate, kanë kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, t’u tregojë detaje të takimeve të tij me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

“Kemi kërkuar nga presidenti të na informojmë se deri ku ka shkuar me bisedime”, është shprehur Limaj.

Zëvendëskryeministri kosovar ka paralajmëruar se udhëheqësit e ekipit shtetëror për dialogun me Serbinë do të zhvillojnë shpesh takime me krerët e vendit.

“Takime të tilla do të shihni shpesh”, ka thënë Limaj.

“Kemi marrë detyrë shtetërore me shumë përgjegjësi. Garën s’e kemi mes nesh, por me Serbinë”, është shprehur ai.

“Përkushtimi do të jetë unifikimi i politikave tona. Të koordinohemi dhe të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët”, ka theksuar Limaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat