Thaçi: Nuk do të ketë Republikë serbe në Kosovë

Aktuale

Thaçi: Nuk do të ketë Republikë serbe në Kosovë

Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 15:07
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përsëriti se nuk do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.

Ai foli edhe për mundësinë e një marrëveshje finale me Serbinë, ku tha se e mbështet ekipin e ri negociator dhe pret unitet nga spektri politik kosovar. Në fjalimin e tij, të cilin nuk e dëgjuan në sallë deputetët e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i shtetit përmendi edhe Adem Demaçin dhe Fadil Vokrrin, ku tha se vdekja e tyre ishte humbje e madhe për Kosovën.

Në fjalimin e tij të fundvitit, i cili është obligim kushtetues, presidenti Thaçi tha se Kosova është e përkushtuar për dialog dhe paqe, dhe po angazhohet me të gjitha forcat që sa më parë të jetë shtet anëtar në NATO dhe Bashkim Evropian.

Thaçi: Nuk do të ketë Republika Serbe në Kosovë

“Si president i vendit përsëri zotohem se diçka e tillë nuk do të ndodh në asnjë rrethanë, pra themelimi i asnjë asociacioni me elemente ekzekutive që do ta de-funksionalizonte shtetin e Kosovës”, tha ai.

Thaçi tha se Kosova ka nevojë për qeverisje më efektive, që të jetë më afër qytetarëve dhe të realizojë të drejtat e tyre për një jetë më të mirë. E për këtë, tha se pret angazhim nga të gjithë.

Ai foli për takimet e tij me krerë të shteteve mike e vizita jashtë vendit. Por, sipas tij, dhimbje është përjetuar me mos-pranimin e Kosovës në Interpol dhe mos-liberalizim të vizave, ndërsa foli edhe për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Thaçi: Jam ndjerë i vetmuar në angazhimin tim për themelimin e ushtrisë

“Ndjehem i lumtur dhe krenar që tek unë kanë arritur për dekretim, tre ligjet me të cilët hapet rruga që Forca e Sigurisë së Kosovës të bëhet Ushtri i Kosovës. Shpesh jam ndjerë i vetmuar në angazhimin tim për themelimin e ushtrisë së Kosovës në vitet e fundit, por jam i lumtur që i tërë spektri politik i Kosovës u bë bashkë rreth këtij synimi dhe këtë muaj dekretova tre ligjet për transformimin e FSK-së”, tha ai.

Presidenti i Kosovës foli për armiqësinë shekullore me Serbinë, përmendi 13 mijë e 500 civilë të vrarë në Kosovë nga forcat serbe, 20 mijë gra të dhunuara, mijëra të pagjetur, rreth 1 milion qytetarë të dëbuar dhunshëm dhe 40 për qind infrastrukturë të dëmtuar në vend. Megjithatë, ai tha se është koha të shikojnë nga e ardhmja, të fitohet paqe me Serbinë.

Thaçi: Mbështes ekipin negociator

“E mirëpres themelimin e ekipit negociator, i nderuar kryetar i Kuvendit, nga Kuvendi i Kosovës, dhe fillimin e punës për marrëveshje me Serbinë. Ky ekip negociator i Kuvendit të Kosovës e ka legjitimitetin dhe autoritetin të kryejë angazhimet e veta në përputhshmëri me rezolutën e Kuvendit dhe do ta ketë përkrahjen time të plotë”, tha ai.

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, presidenti Thaçi tha se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e arritur në proces paqësor ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA.  Ai përsëriti se marrëveshja duhet t’i sjellë Kosovës njohje nga Serbia.

Në fjalimin e tij të fundvitit, Thaçi përmendi heroin Adem Demaçi dhe legjendën e futbollit Fadil Vokrri, të cilët u ndanë nga jeta sivjet. Siç tha ai, humbja e tyre ishte e rëndë për vendin.

Image

Thaçi: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet ta gëzojë përkrahjen e SHBA-ve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në fjalimin e tij vjetor të mbajtur në Kuvendin e Kosovës ka folur edhe për procesin e dialogut si dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

Ai ka thënë se e mirëpret themelimin e ekipit negociator, dhe sipas tij i njëjti do të angazhohet në përputhje me rezolutat e Kuvendit.

“E mirëpres themelimin e ekipit negociator. Ky ekip e ka legjitimitetin për të kryer angazhimet e veta në përputhje me rezolutën. Marrëveshja me Serbinë duhet të jetë përfundimtare dhe e përgjithshme, dhe e mbështetur nga SHBA-të”, ka thënë ai.

“Marrëveshja duhet t’i sjellë Kosovës njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Organizatat Ndërkombëtare, si dhe rajonit do t’i sjellë paqe dhe stabilitet”, ka thënë tutje ai.

Thaçi po ashtu ka thënë se Kosova do të jetë mirënjohëse për SHBA-të, dhe presidentit Trump  për përkrahjen e vazhdueshme.

“I jemi mirënjohës gjithmonë SHBA-ve, jemi mirënjohës ndaj presidentit Trump i cili Kosovën e konsideron si partner të sajin. Duhet të marrim me seriozitet ftesën e Trump i cili thotë se duhet ta shfrytëzojmë këtë moment historic. Kemi përkrahjen e shtetit më të fuqishëm, atë të SHBA-ve. E kemi përkrahjen edhe të BE-së, rajonit dhe botës”, ka thënë ai.

Thaçi po ashtu ka thënë se nëse Kosova e humb këtë moment historik, do të ishte kthim tragjik prapa.

“Nëse humbin këtë rast, do të ishte kthim tragjik prapa, dhe do të humbasim një mundësi që nuk do të përsëritej që një kohë të gjatë”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat