Hoti: Jo më koalicion me PDK-në, mban faturën për degradimin e shtetësisë

Aktuale

Hoti: Jo më koalicion me PDK-në, mban faturën për degradimin e shtetësisë

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 00:24
Avdullah Hoti

LDK-ja më nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, ka thënë Avdullah Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së ka thënë se partia e tij është në momentin më të mirë të saj në vitet e fundit, e është optimist se do të jetë partia e parë në zgjedhjet e ardhshme.

“LDK-ja është në momentin më të mirë të saj ndoshta në 7-8 vite. Kemi më së shumti komuna që udhëheqim, kemi më shumë asamblistë, dalim dukshëm si partia e parë. E përkrahja për LDK-në është edhe nga moshat e reja. Me një parti që po i mbush disa dekada është krijuar një demokraci e shëndetshme. Partia nuk ka asnjë rrezik që të ndahet, nuk ka asnjë indikacion se mund të ketë ndarje. Nga janari deri në dhjetor kurdo që mund të bëjmë zgjedhje do ta bëjmë”, ka thënë Hoti.

E sipas Hotit faturën për degradimin e shtetësisë së Kosovës e bart PDK-ja.

“Me mbështetjen qytetare që kemi. PDK-ja është në qeverisje që nga 2008, e shtetësia e Kosovës ka degraduar e për këtë faturën duhet ta marrë PDK-ja. Jo, s’do të kemi koalicion me PDK-në. Ka shenja të kapjes së shtetit në nivele më të lartë. Por, çdo veprim që kemi bërë sa kemi qenë në Qeveri ne do ta marrim përgjegjësinë”, ka thënë Hoti.

Më tutje ai ka shtuar se, “ne jemi partia më e madhe në vend, dhe është e padiskutueshme që do të dalim të parët. E sot partia e dytë nuk është PDK-ja, e ajo më nuk është parti përcaktuese. Do të tentojmë të ndërtojmë koalicione që përputhen me filozofinë tonë të qeverisjes”.

Ai nuk ka konfirmuar nëse do të ketë koalicion me Vetëvendosjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat