Ambasadorët e QUINT-it e mbështesin Kosovën në dialog me Serbinë - Bota Sot
Ambasadorët e QUINT-it e mbështesin Kosovën në dialog me Serbinë

Aktuale

Ambasadorët e QUINT-it e mbështesin Kosovën në dialog me Serbinë

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 10:03

(E plotesuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për unitet dhe unifikim të qëndrimeve të krejt spektrit politik në vend, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje, që është në përputhje të plotë me vullnetin politik të popullit të Kosovës, të shprehur me 17 Shkurt 2008 nga Parlamenti i Republikës së Kosovës.

Haradinaj pas takimit të ekipit negociator dhe përfaqësuesve të institucioneve me ambasadorët e Quint-it, ka shkruar në Facebook se si kryeministër i vendit është angazhuar që nga fillimi që të ketë dialog përmbajtjesorë, transparent dhe në interes të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Kam angazhuar ekipin më të mirë dhe ekspertë të jashtëm që Kosovës t’i prezantojnë ekipin negociator dhe dokumentin bazë, librin me shumë kapituj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Sot jam i lumtur që kemi ekip negociator dhe që janë aktivizuar edhe mekanizma të tjerë shtetërorë, duke e parë se sa me interes është ky proces, veçmas transparenca dhe përmbajtja e tij. Kosova ka nevojë për unitet dhe unifikim të qëndrimeve të krejt spektrit politik në vend, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje, që është në përputhje të plotë me vullnetin politik të popullit të Kosovës, të shprehur me 17 Shkurt 2008 nga Parlamenti i Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

***

Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUNT-it është deklaruar Fatmir Limaj, kryesuesi i Ekipit të Dialogut me Serbinë.

Kryesuesi i Ekipit të Dialogut me Serbinë, Fatmir Limaj, pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe presidentin Hashim Thaçi e kryeministrin Ramush Haradinaj, takim ky që ishte i thirrur nga kreyparlamentari Kadri Veseli, 

Limaj ka thënë se në këtë takim ambasadorët kanë përkrahur Kosovën për dialogun me Serbinë dhe se sipas tij, ata duan unitet.

Ai po ashtu ka thënë se ambasadorët mbështesin edhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e cila është ligjërisht e obliguar për të dyja shtetet.

“Ambasadorët shprehen përkrahje të plotë dhe natyrisht duan unitet dhe duan ta shohin Kosovën unike dhe mbështesin idetë tona dhe angazhimin tonë… Dhe si çdo herë edhe këtë herë po e mbështesin Kosovën e mbështesin një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, marrëveshje e cila do të jetë obliguese për të dyja vendeve”, u shpreh Limaj.

Ai ka thënë se kjo ishte pak a shumë e tëra ajo që u bisedua në këtë takim.

Ndryshe në këtë takim ishin të ftuar edhe përfaqësuesit e LDK-së dhe VV-së, por nuk iu përgjigjën kësaj ftese.

Veseli: Vetëm uniteti i garanton fitore Kosovës

 Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, tha në hapje të takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe anëtarët e delegacionit shtetëror se Republika e Kosovës është gati për fazën e dialogut final me Serbinë dhe siç tha ai, “bashkë me aleatët tanë perëndimorë do të dalim triumfues, duke siguruar njohjen e pavarësisë nga Serbia, ulësen në OKB dhe përshpejtimin në integrimet euro atlantike”.

Kreu i Kuvendit si nikoqir i takimit ku bëri bashkë të gjithë krerët institucionalë dhe ekipin negociator, i informoi partnerët ndërkombëtarë nga vendet anëtare të QUINT-it se shteti i Kosovës ka arritur unitetin për procesin final të dialogut dhe në këtë proces ai tha se presin edhe mbështetjen e pakursyer nga vendet partnere, njësoj sikur në gjitha proceset që ka kaluar Kosova.

“Kosova deri tani që nga koha e luftës ka bashkë-udhëtuar me aleatët e saj perëndimor nëpër çdo proces të rëndësishëm. E kaluara na ka treguar që ky bashkë-udhëtim, dhe uniteti i spektrit politik në çështje të mëdha ka rezultuar gjithnjë me fitore për Kosovën. Andaj unë sot kam vetëm një mesazh të qartë, ne jemi gati dhe në jemi bashkë”, ka thënë Veseli.

Në këtë takim po merr pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’connell si dhe ambasadorët e vendeve tjera dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Edhe pse ishin të ftuar që të jenë të pranishëm në këtë takim me partnerët perëndimorë, sërish munguan përfaqësuesit e LDK-së dhe Vetëvendosje.

Nis takimi për dialogun me ambasadorët e Quintit, mungon opozita

Ka filluar takimi koordinues për dialogun, ndërmjet liderëve institucional, ekipit negociator dhe ambasadorëve të Quintit.

Edhe sot dy partitë opozitë, Vetëvendosje dhe LDK kanë bojkotuar këtë takim, përcjell KoosovaPress.

Në takim po marrin pjesë; Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, dy bashkëdrejtuesit e ekipit shtetëror për dialogun, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, si dhe pjesëtarë të tjerë të ekipit Avni Arifi, Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, dhe Mahir Yagcilar.

Aty janë parë edhe disa nga ambasadorët e vendeve të Quintit, ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, si dhe zëvendës ambasadori gjerman  Jan-Axel Voss.

Kujtojmë se dy partitë opozitare kanë bojkotuar takimin e djeshëm, si dhe punën e Kuvendit kur ka qenë fjala për të votuar politikat e pushtetit, siç ishte rasti me buxhetin. 

LDK dhe VV nuk marrin pjesë në takimin për dialogun Kosovë-Serbi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli iu kishte dërguar ftesë edhe dy partive opozite për takimin e radhës koordinues për Dialogun Kosovë-Serbi, por LDK dhe VV nuk i janë përgjigjur kësaj ftese.

Ka filluar takimi i radhës koordinues për Dialogun Kosovë-Serbi, i thirrur nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli,

Në këtë takim, ku po marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Kadri Veseli, Ekipi Negociator, ambasadorët e shteteve të QUNT-it dhe përfaqësuesit e zyrës së BE-së, ishin të ftuar edhe përfaqësues të grupeve parlamentare të LDK-së dhe VV-së.

Mirëpo, këto dy parti opozitare nuk i janë përgjigjur ftesës së Veselit dhe kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë takim.

Ekipi negociator takohet me ambasadorët e Quintit (Drejtpërdrejt)

Sot me fillim nga ora 10:00 kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në takimin e radhës koordinues për dialogun Kosovë-Serbi.

Në këtë takim të ftuar janë; Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, Ekipi Negociator, përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga opozita, LDK dhe VV.

Për dallim nga takimi i djeshëm, sot të ftuar janë edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...