Hoxhaj: SHBA dhe BE presin që në pranverën e vonë të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Aktuale

Hoxhaj: SHBA dhe BE presin që në pranverën e vonë të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 00:09
Enver Hoxhaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se pranvera e vonë është koha kur Kosova dhe Serbia të përfundojnë procesin e dialogut.

Hoxhaj në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se pritjet e amerikanëve dhe evropianëve janë që në maksimumi në pranverën e vonë të ketë një marrëveshje mes palëve.

“Një gjë e di që në pranverën e vonë duhet të mbyllet procesi. Kjo është pritja e amerikanëve dhe evropianëve për procesin. Ne sot kishim një takim me ambasadorët e kuintit. Qëndrimi i tyre është i prerë. Duhet të ketë njohje të ndërsjellë”.

Anëtari i ekipit të bisedimeve ka thënë se nuk mund të ketë tema tjera me Serbinë nëse njohja nga Serbia dhe anëtarësimi në OKB nuk është e para e temave.

“Për ne me Serbinë është e pranueshme një marrëveshje e cila fillon me një preambulë e cila zgjidh problemin e njohjes nga Serbia. Pa këtë nuk kemi çfarë flasim”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se janë edhe rreth dhjetë tema tjera që do të diskutohen me Serbinë pas njohjes bilaterale.

“Kemi dhjetë deri në pesëmbëdhjetë tema që do të flasim me Serbinë. Është tema e të pagjeturve. Tema e suksesionit të Jugosllavisë, për ndarjen e trashëgimisë dhe borxheve. Pronat e paluajtshme, pronat ushtarake. Temë tjetër është të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, të shërbejnë si qasje reciproke për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, tha ndër të tjera Enver Hoxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat