Xhavit Haliti e Sadri Ramabaja debatojnë në gjykatë edhe për emrat e grave

Aktuale

Xhavit Haliti e Sadri Ramabaja debatojnë në gjykatë edhe për emrat e grave

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 10:32
Xhavit Haliti

(E plotësuar) - Edhe emrat e grave kanë gjetur vend sot në gjykatore, gjatë dëshmisë të cilën nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, është duke e dhënë në gjykimin ndaj organizatës “Syri i Popullit”.

Haliti është njëri në mesin e shumë personave të cilët janë gjetur në një listë për likuidim, e cila pretendohet se është hartuar nga kjo organizatë.

Më së keqi nga të gjithë emrat e përmendur në listë- ku përfshihen edhe liderë të ndryshëm politikë të vendit- e pësoi avokati dhe ish- lideri i kohës së socializmit, Azem Vllasi, i cili qe plagosur në Prishtinë në mars të vitit 2017.

Kur doli për t’u përgjigjur, Xhavit Haliti u pyet nga prokurori special Sylë Hoxha nëse është kërcënuar ndonjëherë nga kjo organizatë.

“Kam pasë kërcënime disa herë. E fundit ka qenë një grup që ka dashtë me ba një atentat ndaj meje dhe fatmirësisht miqtë e mi e kanë zbulu por kërcënimet para luftës, gjatë dhe pas luftës kanë qenë të shumta nga të pakënaqurit me veten e tyre”, tha Haliti.

Më pas ai u pyet nga prokurori Hoxha kur ka dëgjuar për herë të parë për organizatën “Syri i Popullit”.

“Kam dëgju nga gazetat dhe ka pasë një shqetësim dhe deri sa kanë dalë publikisht s’kam dëgju saktë por që ka lëvizje të tilla nga ata që ndoshta janë në sallë por edhe nga ata që s’janë, kam pasë informacione”, tha Haliti.

I dyshuari kryesor për plagosjen e Vllasit është Murat Jashari, një ish anëtar i lëvizjes ilegale të Kosovës para çlirimit të vendit.

Haliti, i cili edhe vetë ka qenë pjesë e kësaj lëvizjeje, tha se me Murat Jasharin për herë të fundit ka folur “diku në vitin 2001”.

“Herën e fundit kam bisedu diku në vitin 2001 në telefon dhe më ka thanë që po don me vazhdu luftën në Maqedoni dhe unë e kam ftu me ja gjetë një strehim me flejtë nëse s’ka”, tha Haliti.

I pyetur për një libër në të cilin Murat Jashari kishte listuar një varg pyetjesh për Xhavit Halitin, ky i fundit u përgjigj: “Mua më ka ardhë gjynah prej tij sepse e kanë përdorë si kobure për t’u shfry por ai nuk ka aftësi intelektuale me i shkrujtë. Dikush ia ka shkrujtë atij dhe unë kam vlerësu se s’kam nevojë me ju përgjigjë”.

Kur u pyet për të akuzuarin tjetër, Sadri Ramabaja, nënkryetari i Kuvendit u përgjigj se e njihte që nga koha kur që të dy ishin aktivistë në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK).

“Po e kam njohtë, ai ka qenë në LPK por është përjashtuar dhe pastaj ka vazhduar në një grupacion tjetër. Ai e ka pasë një mos pajtim politik me Emrush Xhenmajlin dhe e unë e Avdi Dehari kemi tentu me i pajtu, tha Haliti.

Kur u pyet nëse i bashkangjitet ndjekjes penale, Haliti tha se është i pajtimit “që krimi të ndiqet penalisht”.

I akuzuari Avni Llumnica, gjatë seancës, e pyeti Xhavit Halitin se a ka marrë pjesë në të kaluarën në demonstrata “për shtet me rend dhe ligj apo për kolltuk dhe një pagë të majme”.

“Unë s’kam qenë pjesëmarrës por organizator i protestave dhe kërkesat tona i dinë të gjithë dhe kanë qenë pasqyrim i kërkesave të popullit tonë”, tha Haliti.

Ndërsa Sadri Ramabaja iu kundërpërgjigj Xhavit Halitit duke i thënë se nuk ka qenë i përjashtuar nga LPK ndërsa Xhavit Haliti i tha se “je përjashtuar dhe ke pasur konflikt verbal dhe se ke qajtë para meje dhe Avni Deharit”.

Pastaj Sadri Ramabaja i tha se “mbase ke harruar dhe mund të kesh harruar edhe emrin e gruas tënde” ndërsa Xhavit Haliti ia ktheu se “unë nuk ia kam harruar emrin gruas tënde”.

Haliti u përgjigj edhe në akuzat e grupit “Syri i Popullit për tradhti.

“Sa i përket tradhtisë, ne kemi organet tona dhe për mos me debatu ne tani këtu, unë besoj se punën tonë e kemi bërë mirë dhe e kuptoj se njerëzit e kanë të drejtën me qenë të pakënaqur a sa për tradhëti është punë e gjykatave dhe unë se kam problem të ulem dhe të ballafaqohem ndërsa sa i përket pyetjeve të shkruajtura unë s’kam dashur të bëjë padi edhe pse asnjë fakt nuk e kanë pasur”, tha Haliti në fund të dëshmisë.

***

Nënkryetari i Kuvendit dhe zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, është duke dhënë dëshminë për rastin e Syrit të Popullit në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Haliti dëshmoi se për Syrin e Popullit ka dëgjuar nga mediat por për Murat Jasharin tha se e njeh dhe ka kontaktuar me të në vitin 2000 ose 2001.

Për pyetjet që Jashari i ka parashtruar ndaj Xhavit Halitit, atëherë kur ka dalë lista e ekzekutimeve, Haliti tha se Murat Jasharin e kanë përdorë si kobure.

“Mu me ka ardhë gjynah prej Muratit sepse e kanë përdorë si kobure. Ai ato pyetje nuk besoj se i ka shkru vet”, tha Haliti.

E për Sadri Ramabajën, Xhavit Haliti tha se ka qenë anëtar i LPK’së, e me pas ishte përjashtuar nga ajo.

“Sadri Ramabaja ka qenë anëtar i LPK’së, mandej është përjashtuar nga ajo. Pas luftës, është rishfaq me propaganda të një luftimi të caktuar”, tha Haliti.

Haliti ka treguar edhe për një konflikt që Ramabaja ka pasur me Emrush Xhemailin.

“Sadri Ramabaja ka pasur një konflikt politik ne Emrush Xhemailin. Une e Avni Dehari kemi qene pleqnar, i kem nda atëherë”, ka thënë Haliti.

Ndërsa  Sadri Ramabaja ka reaguar duke i thënë se nuk është e vërtetë që Xhavit Haliti ka qenë pleqnar në LPK.

Ndërsa Haliti i ka thënë Ramabajës se ka qajt kur është përfshirë në atë konlfikt.

“Ke qajt para meje edhe Avni Deharit kur ke pas konflikt”, ka shtuar Haliti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat