Thaçi flet për sekretet shtetërore, publiku përjashtohet nga salla

Aktuale

Thaçi flet për sekretet shtetërore, publiku përjashtohet nga salla

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 11:03
Seanca gjyqësore

(E plotësuar) -Seanca për rastin "Syri i Popullit", ka përfunduar. Dëshmitari i fundit ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka kishte kërkuar që seanca të mbahet e mbyllur, sepse sipas tij do të rrezikohet sekreti shtetëror.

Pas përfundimit të seancës, avokati i Sadri Ramabajës, Ramiz Krasniqi ka përsëritur se do të paraqes kallxim penal ndaj Kadri Veselit.

Ai ka shkuar edhe më tej. Sipas tij sjellja e këtij të fundit gjatë seancës së sotme, ka dëshmuar se gjykatat nuk janë të pavarura.

Krasniqi: Veseli shkeli ligjin

"Sot ka ndodhur diçka e çuditshme, kryeparlamentari i Kosovës shkel me dy këmbët ligjin. Kryeparlamentari i Kosovës sulmon të akuzuarit. Kryeparlamentari i Kosovës fyen të akuzuarit. Kryeparlamentari i Kosovës i fyen edhe mbrojtësit e tyre. Andaj ky nuk është nivel i një kryeparlementari dhe kjo flet mjaft se në çfarë gjendje jemi. Është vërtetuar që ky gjyqësor me të vërtetë nuk është i pavarur. Ky gjyqësor nuk guxon t'ia tërheq vërejtjen kryeparlamentarit. Ky gjyqësor tregoi që kryeparlamentari i Kosovës është më i madh se gjykatësit", tha ai.

Sipas Krasniqit, për politikanët që udhëheqin, Vetëvendosja është obsesion.

Krasniqi: Unë do të paraqes kallxim penal ndaj Kadri Veselit

"Unë do të paraqes kallximin penal në momentin që do e marr proces verbalin e këtij shqyrtimi, sepse në deklaratën e Kadri Veselit ka shpifje të natyrës më të rëndë që mund t'i bëjë një kryetar i parlamentit ndaj të akuzuarit. Shpifje pa asnjë bazë. Shpifje drejtuar ndaj Ramabajës dhe Vetëvendosjes dhe unë i thashë edhe presidentit që me gjasë Vetëvendosje është obsesion i këtyre njerëzve që udhëheqin politikën", ka shtuar Krasniqi.

Krasniqi ka njoftuar se në këtë seancë është vendosur, që seanca e radhës të mbahet me 25 janar.

***

Trupi gjykues në rastin ‘Syri i Popullit, ka marrë vendim që të përjashtohet publiku nga salla ku po mbahet seanca gjyqësore. Kjo është bërë me kërkesë të presidentit Hashim Thaçi, pasi sipas tij, informacionet që do të jap, do ta rrezikojnë sekretin shtetëror.

Avokati i Sadri Ramabajës, Ramiz Krasniqi tha dëshmitarit njëherësh presidentit të vendit, Hashim Thaçi që të citoi diçka nga letrat e rrejshme aso kohe.

"Më kujtohen mirë se kryeorganizatori ishte Sadri Ramabaja, në bashkëpunim me Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën", tha Thaçi.

Ai tha se nuk ka nevojë të përmend letrat, por është evidente plumbi i shkrepur ndaj Azem Vllasit.

Krasniqi po ashtu i ka thënë Thaçit se pse e ka obsesion VV'në.

"Unë i kom mundur 15 herë politikisht dhe do t’i mund prapë”, ia ka kthyer përgjigjen Thaçi.

Këtu ka reaguar i dyshuari Ramabaja, i cili ka thënë se ky është gjyq stalinist.

“Fjalor dhe shpifje po gënjeni publikisht, po dezinformoni është gjyq politik stalinist”, ka shkruar ai.

Gjyqtarja ka tërhequr vërejtjen Ramabajës. Ndërkohë, është marrë vendimi që të përjashtohet publiku nga salla, me kërkesë të presidentit, sepse sipas tij informacionet që do të jap, do të rrezikojnë sekretin shtetëror./

Thaçi: Letrat e Jasharit të orkestruara nga Kurti, Konjufca e Ramabaja

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se letrat e Murat Jasharit kanë qenë të orkestruara nga Glauk Konjufca, Sabri Ramabaja dhe Albin Kurti.

I pyetur nga avokati Naim Rudari se a ka informacion se kush bënë pjesë në ‘Syrin e Popullit’, Thaçi tha se sekretet shtetërore nuk mundet t'i thotë në këtë seancë, duke shtuar se ka kërkuar që kjo seancë të jetë e mbyllur.

"Sikur të ishte seanca e mbyllur do të përmendja edhe disa emra tjerë që në kohën e luftës kanë shkruar komunikata të rrejshme", ka thënë Thaçi.

 Hashim Thaçi përjashton mediet nga salla e gjyqit

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka vendosur që vazhdimi i dëshmisë së Presidentit Hashim Thaçi për rastin e njohur si “Syri i Popullit” të jetë i mbyllur për mediat dhe publikun. Kjo pasi vetë Thaçi ka kërkuar të ndodhë një gjë e tillë. 

Arsyetimi i Thaçit, gjatë parashtrimit të kërkesës ka qenë se ai gjatë dëshmisë së tij mund të zbulojë sekrete shtetërore. 

Vendimi është marrë pasi trupi gjykues u konsultua gjatë një pauze të shkurtër, disa minuta pasi i pari i vendit nisi dëshminë  e tij në gjyq. 

Presidenti Hashim Thaçi, sa ishte seanca e hapur, deklaroi para trupit gjykues se ishte informuar se kreu i VV-së Albin Kurti dhe dy anëtarët tjerë të kryesisë së kësaj partie Glauk Konjufca e Sadri Ramabaja po përgatisnin një atentat ndaj tij.

Këtë informatë, Thaçi e tha se ia dhanë autoritetet vendore të sigurisë, pak ditë para se të ndodhte atentati në të cilin mbeti i plagosur avokati Azem Vllasi. 

“Prapa atentatit jam informuar se qëndrojnë Albin Kurti, Sadri Ramabaja dhe Glauk Konjufca. Prapa kësaj organizate kriminale”, i tha Presidenti trupit gjykues gjatë dëshmisë së tij në rastin e grupit të dyshuar terrorist i njohur si “Syri i Popullit”. 

“Autoritetet shtetërore të sigurisë më kanë njoftu ditë ose javë më parë për kanosje ndaj meje, para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasi”, tha Thaçi në gjyq, si dëshmitar.

“Pasi seanca është e hapur për publikun, nuk mundem t’i tregoj sekretet shtetërore. Sikur të ishte seanca e mbyllur do t'i përmendja edhe disa emra të tjerë që qëndrojnë prapa kësaj organizate, përpos atyre që i përmenda”, tha dëshmitari Hashim Thaçi në gjyq.

Para se të mbyllej krejtësisht seanca, trupi gjykues me të ardhur në sallë Hashim Thaçi vendosi që mediat të mos mund të incizonin me audio apo video dëshminë e tij, edhe pse prania e gazetarëve në sallë u lejua.

Tensione mes Kadri Veselit e Avni Llumnicës në gjykimin e ‘Syrit të Popullit’ 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli , i cili gjendej në listën e organizatës “Syri i Popullit”, ka dëshmuar në seancën e sotme gjyqësore, me ç’rast e ka pyetur të akuzuarin Murat Jasharin se pse e ka futur në listë.

Veseli ka akuzuar Jasharin se në bashkëpunim me një rumune ka dashur ta vras bashkëluftëtarin e vëllait.

“Marre për ty. Ke shku me rumune. Marre. Për me vra bashkëluftëtarin e vëllait”, i ka thënë Veseli – Jasharit, për të cilin ka kërkuar dënim meritor, pasi nëse njerëz të tillë janë të lirë mund të kemi viktima sic ndodhi dje në Istog.

Derisa seanca po vazhdon, avokati Ramiz Krasniqi, tha se do të paraqes kallxim penal ndaj sjelljeve të kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Ndërkohë, i pranishëm për dëshmi ishte edhe Hajredin Kuçi.

"Nuk jam kanosur nga asnjë person ndonjëherë. Kam dëgju nga organet e drejtësisë për organizatën "Syri i Popullit", pas atentatit të avokatit Azem Vllasi. Sadri Ramabajën e njoh, e kam student në master dhe të njëjtën kohë anëtar i komisionit dhe asnjëherë nuk kemi pasur telashe të tjera”, tha ai.

Kurse, i akuzuari Sadri Ramabaja ka thënë se janë miq me Kuçin.

"Ne kemi qenë miq, kemi shkëmbyer teori, po të kisha qenë në dijeni që është në listë, nuk do të isha shoqëruar. Ky më njeh më së miri se më ka pas student”, tha ai.

Kadri Veseli për ‘Syrin e Popullit: Këta janë krahu i armatosur i Vetëvendosjes

Në gjykimin e pjesëtarëve të organizatës ‘Syri i Popullit”, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është ftuar në cilësinë e dëshmitarit, ka varguar një numër akuzash në drejtim të tyre.

Veseli e quajti këtë organizatë si “plehu i kombit” ndërsa e lidhi atë edhe me një parti politike të Kosovës.

“Ky është krahu i armatosur i Vetëvendosjes”, tha Veseli në gjykatë.

Duke folur për letrat të cilat ishin shkruar në emër të të akuzuarit kryesor, Murat Jashari, kreu i Kuvendit Veseli, emri i të cilit figuron në një listë të pretenduar të kësaj organizate për likuidim, tha se Jashari nuk është autor i atyre letrave.

“Murati s’din me shkrujt, krejt ja ka shkrujt Sadri (Ramabaja). Sadrinë asnjëhere se kam pa, shkrimet i ka shkrujt ai”, tha Veseli.

Ndërsa i akuzuari Ramabaja nuk pranoi t’i bëjë pyetje Veselit.

“Nuk kam pyetje për dëshmitarin sepse u tregua që është mbi gjykatën”, tha Ramabaja.

Veseli iu kundërpërgjigj menjëherë.

“Sadri Ramabaja ka dalë mbi gjykatën dhe shtetin duke e marrë drejtësinë në duar”, tha ai.

Pjesëtarët e organizatës ‘Syri i Popullit’ janë arrestuar pas plagosjes së avokatit Azem Vllasi, në Prishtinë në mars të vitit të kaluar.

Veseli: AKI-ja më kishte paralajmëruar se jeta ime ishte në rrezik

Edhe kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherit kreu i Kuvendit po jep dëshmi në Gjykatën Themelore të Prishtinë, për rastin e ‘Syrit të Popullit.

Veseli “Syrin e Popullit’, e ka cilësuar si “Pleh të Kombit”.

Ai ka treguar se është paralajmëruar nga Agjencia e Inteligjencës Kosovare, se jeta e tij është në rrezik.

“AKI’ja më ka paralajmëruar 2-3 ditë përpara se me ndodhë atentati ndaj Azem Vllasit. Më kanë thënë se rrezikohet jeta ime. Nuk iu kam besu, që mundet dikush të bëjë diçka të tillë”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë Veseli gjatë dëshmisë së tij, ka thënë se nuk e njeh Rexhep Topllanën, i cili është njëri prej të akuzuarve në rastin e “Syrit të Populli

***

Policia u desh të intervenojë në sallën ku po mbahet gjykimi i pjesëtarëve të organizatës “Syri i Popullit” për shkak të tensioneve mes të akuzuarit Avni Llumnica dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili është ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

Veseli ka kritikuar ashpër organizatën “Syri i Popullit” në dëshminë të cilën Kallxo do ta publikojë më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat