Heshtja e Bashkimit Evropian karshi letrës së kryeministres serbe, Ana Bërnabiq drejtuar homologëve të vendeve tjera për të tërhequr njohjet e shtetit të Kosovës, ka shtyrë kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj të reagojë.
Në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka kërkuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri Johanes Hahn që të reagojnë ndaj veprimeve të Serbisë.
Ai ka kujtuar se sa e zëshme ishte BE-ja karshi taksës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë, ku ka kërkuar vazhdimisht që Kosova të tërheq atë, teksa ka shtuar se është pikërisht kjo qasje e BE-së shkaktare e gjendjes që po mbretëron aktualisht.
Haradinaj: BE të mos heshtë karshi veprimeve të Serbisë
“Letra e kryeministres Bërnabiq, ku iu drejtohet kryeministrave të shteteve me i tërheq njohjet që i kanë bërë Kosovës është e papranueshme. Kjo është një dëshmi që jo vetëm se kemi të drejtë në taksë, por po na imponohen edhe vendime të tjera. Unë jam shumë i habitur për heshtjen e zonjës Mogherini, të komisionerëve tjerë, Hahn e gjithë zyrtarëve tjerë të BE-së, për heshtjen ndaj kësaj letre. Kjo nuk është as në frymën e dialogut, as anëtarësimit në BE. Kjo është kundër dialogut, kundër perspektivës evropiane të rajonit tonë dhe iu bëjë thirrje, apeloj tek udhëheqësit e BE-së që të mos heshtin për shkak se kjo heshtje e ka sjellë punën ku jemi sot”, tha Haradinaj.
I pyetur nëse korrigjimi i kufirit mund të jetë në tryezën e bisedimeve në Bruksel, pavarësisht qëndrimeve kundërthënëse me presidentin Hashim Thaçi, Haradinaj tha se nuk dëshiron të flasë për korrigjimin e kufirit.
Sa i përket deklaratës së presidentit për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ai tha se është në të gjitha aspektet me preshevarët, porse theksoi se këto dy çështje nuk janë të njëjta.
Haradinaj: Shqiptarët në Luginë dhe korrigjimi i kufijve janë tema të ndryshme
“Dashuria ndaj njerëzve tonë në Preshevë është njerëzore, është shqiptare, sikurse që është dashuria e Beogradit zyrtar për serbët e Kosovës por nuk po flasim për të njëjtat gjana, për të njëjtat jo”, u shpreh ai.
Kryeministri foli edhe për një koncept-dokument të Qeverisë për lojëra të fatit, ku ka sqaruar se Kosova synon të vendosë rend edhe për këto të fundit.
Sipas tij, lojërat e fatit ndodhen kudo nëpër Kosovë dhe duhet ndalur kjo përmes një baze ligjore, në mënyrë që të mos ketë kaos. Sipas tij, kjo asnjëherë nuk bëhet duke e legjitimuar kaosin.
Haradinaj: Nuk është qëllimi jonë të rrisim punësimin përmes bixhozit
“Ndoshta ligji vërtetë e ka thënë kështu që do të rriten (numri i kazinove). Por, e vërteta është pak më ndryshe. Ajo që synon Qeveria dhe Kosova është me vendosë me ligj çka janë këto lojëra të fatit, sa do të jenë, a do të ketë. Pra nuk është qëllimi me e rritë punësimin me bixhoz... Nëse dikush ka synuar përmes ligjit me i rritë, unë personalisht jam kundër”, u shpreh ai.