Ministri Gashi: Nuk mundëm ta mbronim Lahutën sepse nuk jemi pjesë e UNESCO-s

Aktuale

Ministri Gashi: Nuk mundëm ta mbronim Lahutën sepse nuk jemi pjesë e UNESCO-s

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 14:36
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi

(E plotësuar) - Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi në konferencën e fundvitit me gazetarë ka numëruar sukseset dhe sfidat që ka pasur kjo ministri gjatë këtij viti, derisa ka folur edhe për instrumentin e Lahutës, që këtë vit UNESCO e njohu si instrument të kulturës serbe.

Gashi tha se për këtë çështje gazetarët duhet t’i adresohen institucioneve përkatëse të Shqipërisë, sepse, sipas tij, Kosova nuk ka mundur të bëjë diçka pasi që nuk është anëtare e UNESCO-s.

Gashi: Këtë çështje duhet ta adresoni te Shqipëria

“Serbia është anëtare e UNESCO-s, kurse Kosova nuk është, pra nuk është palë e saj dhe nuk i njihet asnjë dokumentacion që mund të shkojë nga Kosova në UNESCO. Pra ne nuk jemi palë as nuk jemi anëtarë të UNESCO-s dhe rrjedhimisht UNESCO nuk e njeh Kosovën. Ndoshta është dashur të veprojë Shqipëria, pra është çështje të cilën mendoj se duhet ta adresoni te Shqipëria”, është përgjigjur Gashi.

Ndërkaq, ai ka përmendur edhe sfidat kryesore që ka pasur MKRS gjatë vitit 2018, por shtoi se për herë të parë pas 18 vitesh të gjitha institucionet e Kulturës janë bërë me nënkode buxhetore.

Gashi: Sfidë ka qenë funksionimi i institucioneve vartëse të MKRS-së

“Ky vit është karakterizuar edhe me sfida, me theks të veçantë në funksionimin e institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës dhe sipas rekomandimit të raportit të auditorit të përgjithshëm, ne jemi detyruar dhe kemi vepruar në mënyrë të shpejtë duke i mbyllur të gjitha xhirollogaritë në bankat komerciale në të cilat janë financuar institucionet e Trashëgimisë Kulturore dhe Kulturës dhe për herë të parë pas 18 vitesh të gjitha institucionet e Kulturës janë bërë me nënkode buxhetore”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, lidhur me sektorin e Trashëgimisë Kulturore, Gashi ka thënë se vendim i rëndësishëm ka qenë themelimi i Inspektoriatit për Trashëgimi Kulturore, dhe njëherësh ka premtuar rritjen e inspektorëve në këtë institucion.

Gashi: Për MKRS-në mbetet sfidë rritja e numrit të inspektorëve

“Inspektoriati për Trashëgimi kulturore ka ndërmarrë gjithsej 13 veprime për ndalim punimesh në Prishtinë 4, Prizren 7, si dhe në Deçan 2. Inspektoriati ka proceduar gjashtë kallëzime penale për shkelësit e Ligjit për Trashëgimi Kulturore,  në Komunën e Prizrenit pesë dhe një në komunën e Pejës…Mbetet përkushtim dhe sfidë për Ministrinë e Kulturës rritja e numrit të inspektorëve, meqë aktualisht kemi një numër jo të mjaftueshëm”, ka thënë Gashi.

E rritjen për 50 përqind të pagave për punonjësit e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, Gashi e ka cilësuar po ashtu si një nga vendimet më të rëndësishme.

Ai ka folur edhe për punën e MKRS-së në sektorin e sportit, me ç’rast ka përmendur që të rinjtë sivjet kanë sjellur medalje të shumta ndërkombëtare.

Gashi: Sportistët tanë i sollën Kosovës 54 medalje ndërkombëtare vetëm këtë vit

“Sportistët tanë gjatë këtij viti vendit tonë i kanë sjellur gjithsej 54 medalje vetëm në garat ndërkombëtare. Ndërkaq, nëse i referohemi rezultateve dhe të arrituarve nga ana e sportistëve për gara ndërkombëtare dhe ato ballkanike, numri i medaljeve të ndryshme është 100 sosh”, ka thënë Gashi.

Lidhur me sektorin e rinisë, Gashi ka thënë se projektet kryesore gjatë këtij viti kanë qenë formimi i Kampit Rinor dhe Fondi Rinor.

Njëherësh, ai ka thënë se MKRS ka mbështetur 70 projekte të ndërmarrësve të rinj.

Kosova këtë vit është bërë pjesë e programit Evropa Kreative, për të cilin Gashi tha se është mundësi e mirë për të rinjtë që të merren me projekte kulturore.

Gashi po ashtu ka thënë se në vitin 2019 teatrot e Kosovës do të trajtohen me ligj të ri dhe ka premtuar mbështetje për këto institucione. 

Ministri Gashi për lahutën: Kosova nuk ka mundur të bëjë asgjë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka deklaruar se sfidë e vitit 2018 ka qenë funksionimi i institucioneve vartëse të MKRS-së, për të cilat tha se tashmë do funksionojnë me kode të veçanta buxhetore. Ndërsa, për lahutën ka theksuar se Kosova nuk ka mundur të bëjë asgjë sepse nuk është pjesë e UNESCO-s.

Gashi në konferencën e fundvitit me gazetarë, ka thënë se vendimi më i rëndësishëm ka qenë rritja e pagave për punonjësit e kulturës e trashëgimisë kulturore.

E lidhur me rastin e lahutës, Gashi tha se Kosova nuk ka mundur të bëjë asgjë, sepse nuk është pjesë e UNESCO-s.

Ndërkaq, anëtarësimin e Kosovës në programin "Evropa kreative" gjatë këtij viti, ai e ka cilësuar si mundësi të mirë për të rinjtë nga Kosova.

"Është njëri prej dokumenteve më të rëndësishme, prej këtij bashkëpunimi do të përfitojnë të rinjtë e Kosovës, pasi që Evropa ndan një fond të madh për projektet kulturore", tha ai.

Gashi po ashtu ka thënë se viti 2019 do të jetë viti kur teatrot e Kosovës do të kenë trajtim më të rëndësishëm me ligjin e ri për teatrot.

Ai shtoi se gjatë këtij viti u përditësua Lista e Objekteve të Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme me 1595 asete, prej tyre 28 asete të reja.

Sipas tij, këtë vit është themeluar Inspektoriati për Trashëgimi kulturore, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të trashëgimisë kulturore.

"Tashmë mbetet sfidë e përkushtim i yni rritja e numrit të inspektorëve të trashëgimisë kulturore për shkak se është numër jo i mjaftueshëm për ta realizuar veprimtarinë e tyre", ka thënë Gashi.

Kampin rinor dhe krijimin e Fondit Rinor, Gashi i ka cilësuar ndër projektet më të rëndësishme të MKRS-së në fushën e rinisë.

Ai tha se gjatë këtij viti janë përkrahur 70 projekte të ndërmarrësve të rinj.

"Shumë shpejt në Kosovë do të jenë 70 biznese me ndërmarrës të rinj, të cilët veç se kanë filluar", ka thënë Gashi.

E në fushën e sportit, Gashi tha se ka ofruar mbështetje për KOK-un dhe federatat sportive.

Gashi tha se vetëm gjatë këtij viti, sportistët kanë sjellur 54 medalje vetëm në garat ndërkombëtare.

Në fund, Gashi tha se për 98.6 përqind është realizuar plani i punës dhe buxheti i MKRS-së gjatë këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat