Përfundon seanca për rastin “Syrit të Popullit”

Aktuale

Përfundon seanca për rastin “Syrit të Popullit”

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 15:18
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti

(E plotësuar) - Seanca për rastin "Syri i Popullit", ka përfunduar. Dëshmitari i fundit ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka kishte kërkuar që seanca të mbahet e mbyllur, sepse sipas tij do të rrezikohet sekreti shtetëror.

Pas përfundimit të seancës, avokati i Sadri Ramabajës, Ramiz Krasniqi ka përsëritur se do të paraqes kallxim penal ndaj Kadri Veselit.

Ai ka shkuar edhe më tej. Sipas tij sjellja e këtij të fundit gjatë seancës së sotme, ka dëshmuar se gjykatat nuk janë të pavarura.

Krasniqi: Veseli shkeli ligjin

"Sot ka ndodhur diçka e çuditshme, kryeparlamentari i Kosovës shkel me dy këmbët ligjin. Kryeparlamentari i Kosovës sulmon të akuzuarit. Kryeparlamentari i Kosovës fyen të akuzuarit. Kryeparlamentari i Kosovës i fyen edhe mbrojtësit e tyre. Andaj ky nuk është nivel i një kryeparlementari dhe kjo flet mjaft se në çfarë gjendje jemi. Është vërtetuar që ky gjyqësor me të vërtetë nuk është i pavarur. Ky gjyqësor nuk guxon t'ia tërheq vërejtjen kryeparlamentarit. Ky gjyqësor tregoi që kryeparlamentari i Kosovës është më i madh se gjykatësit", tha ai.

Sipas Krasniqit, për politikanët që udhëheqin, Vetëvendosja është obsesion.

Krasniqi: Unë do të paraqes kallxim penal ndaj Kadri Veselit

"Unë do të paraqes kallximin penal në momentin që do e marr proces verbalin e këtij shqyrtimi, sepse në deklaratën e Kadri Veselit ka shpifje të natyrës më të rëndë që mund t'i bëjë një kryetar i parlamentit ndaj të akuzuarit. Shpifje pa asnjë bazë. Shpifje drejtuar ndaj Ramabajës dhe Vetëvendosjes dhe unë i thashë edhe presidentit që me gjasë Vetëvendosje është obsesion i këtyre njerëzve që udhëheqin politikën", ka shtuar Krasniqi.

Krasniqi ka njoftuar se në këtë seancë është vendosur, që seanca e radhës të mbahet me 25 janar.

***

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka deklaruar në gjyq se ishte informuar se kreu i VV’së Albin Kurti dhe dy anëtarët tjerë të kryesisë së kësaj partie Glauk Konjufca e Sadri Ramabaja po përgatisnin një atentat ndaj tij.

Këtë informatë, Thaci tha në Gjykatën Themelore të Prishtinës, se ia dhanë autoritetet vendore të sigurisë, pak ditë para se të ndodhte atentati në të cilin mbeti i plagosur avokati Azem Vllasi. 

“Prapa atentatit jam informuar se qëndrojnë Albin Kurti, Sadri Ramabaja dhe Glauk Konjuvca. Prapa kësaj organizate kriminale”, i tha Thaci truepit gjykues gjatë dëshmisë së tij në rastin e grupit të dyshuar terrorist i njohur si “Syri i Popullit”. 

“Autoritetet shtetërore të sigurisë më kanë njoftu ditë ose javë më parë për kanosje ndaj meje, para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasi”, tha Thaçi në gjyq, si dëshmitar. 

Para se Presidenti të nisë dëshminë e tij, trupi gjykues ka marrë vendim se që mediat të mos lejohen të incizojnë me audio ose video dëshminë në gjykatë të të parit të vendit, edhe pse prania e mediave në sallë është e lejuar.

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ardhur në sallën e gjykatës për të dëshmuar në rastin e pjesëtarëve të organizatës “Syri i Popullit”.

Hashim Thaçi është një nga emrat të cilët u gjendën në listën e pretenduar të kësaj organizate për likuidim, e cikla u zbulua pas plagosjes së avokatit Azem Vllasi në mars të vitit të kaluar.

Gjatë ditës së sotme kanë dëshmuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat