I jepet lamtumira e fundit policit Izet Demaj

Aktuale

I jepet lamtumira e fundit policit Izet Demaj

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 11:22
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Me nderime të larta nga autoritetet e Kosovës në varrezat e dëshmorëve në Koshare, është varrosur Izet Demaj, polici i rënë në detyrë në Istog.

Mes lotësh dhe dhimbjesh, rruga e gjatë për tek varrezat e dëshmorëve ishte mbushur më njerëz që kishin ardhur për të nderuar veprën heroike të tij.

Në lamtumirën e fundit, vajza e Izetit,  Valza me emocione të mëdha, mes dridhjeve të duarve dhe lotëve, shpreh krenarinë që ka për babin e saj. Me shpresën, siç thotë ajo që gjithë fëmijët do të rriten me shpresën që Kosova të bëhet ashtu siç dëshironte Izeti, e suksesshme dhe e qetë.

Demaj: Ne do të rritemi me dashurinë për ty

“I dashur baba shpesh më fole për Agimin, Saliun, Abazin e Aliun e të gjithë me radhë që pjesë e të cilëve i bërë edhe ti sot. Ti ishe krenar që luftove krahë tyre, e ne jemi krenar që të paktën shkurtë e jetuam jetën me ty. Pusho i qetë babai, pranë shokëve që ti i deshe shumë se ne do të rritemi me dashurinë për ty, me shpresën që Kosova do të bëhet ashtu siç do të dëshiroje ti, e qetë e suksesshme dhe e sigurtë. Gjaku yt i pastër dhe shokëve të tu është garancioni më i mirë për këtë siguri, lavdi e përjetshme babai im” tha ajo.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Ekrem Mustafa tha se sakrifica e Izetit i shtyen që të luftojnë më ashpër krimin dhe kriminelët. Kurse theksoi se MPB do të përkujtoi gjithmonë veprën e tij.

Mustafa: Sakrifica e tij na bënë krenar

“Sakrifica e tij na bënë krenar dhe njëkohësisht na shtynë të luftojmë më ashpër krimin dhe kriminelët. Ministria e Punëve të Brendshme do të përkujtojë si një punonjës të dalluar dhe sakrifica e tij kundër krimit në njërën anë, dhe një ambienti më të sigurtë në anën tjetër do të jetë udhërrëfyes për të gjithë ne”, shkruhej në telegramin e ministrit Mustafa.

Eprori i Izetit gjatë luftës në Koshare, Xhafer Gashi tha se heronjtë si Izeti e mbajnë atdheun në luftë dhe liri, ndërsa i porositi familjarët se nuk duhet  vajtojnë për të, me shpresën që kjo dhimbje të jep një të ardhme më të mirë.  

Gashi: Heronjtë e mbajnë atdheun në luftë dhe liri

“Heronjtë e mbajnë atdheun në luftë dhe liri, e nderuara familja Demaj, ju as ne sot nuk duhet të vajtojmë për Izetin sepse heronjtë nuk durojnë vaj, ata qëndrojnë para zotit të tyre të lumtur sepse kanë gjetur të ardhmen...Izeti iu bashkua forcave çlirimtare të Kosovës më janar të vitit 1999 u pjesë e brigadës Agim Ramadani, ishte i vullnetshëm por i qetë, ishte i ri por i guximshëm ishte i shkathët por i matur, me veti të tilla ishte Izeti ishte i përkryer për t’u bërë pjesë e policisë Ushtarake”, tha ai.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Izet Demaj dy ditë më parë u qëllua për vdekje në krye të detyrës në qytetin e Istogut.

***

Me nderime të larta në një ceremoni komemorative iu është dhënë lamtumira e fundit zyrtarit policor Izet Demaj.

Pas homazheve dhe fjalimeve, ai është varrosur panë shokëve të luftës në Koshare. Në ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve, bashkëluftëtarë e familjarë.

***

Me nderime të larta ushtarake, është varrosur në Koshare, trupi i policit të Kosovës, Izet Demaj, i cili vdiq në detyrë të enjten, gjatë një përleshje.

Image

Demaj u vra  të enjten nga një grabitës banke, Kamer Metaj, i cili ishte kapur në flagrancë nga policia.

Demaj e Metaj, të dy mbetën të vdekur pasi gjuajtën me armë në drejtim të njëri-tjetrit .

Kujtojmë se dita e sotme u shpall ditë zie nga presidenti i Kosovës, derisa Qeveria dje ndau 15 mijë euro për familjen e policit të ndjerë.

**

Me nderime të larta shtetërore është varrosur polici, Izet Demaj, i cili humbi jetën të enjten gjatë një përleshje me arme zjarri me një të dyshuar për plaçkitje të bankës, në qytetin e Istogut.

Varrimi i të ndjerit është bërë në varrezat e dëshmorëve në Koshare.

Image

Presidenti i Koosvës, Hashim Thaçi e ka shpallur të shtunën ditë zie, për të nderuar policin e vrarë në detyrë.

“Në ditën e zisë shtetërore, në shenjë respekti për aktin heroik të policit Izet Demaj, në pajtim me legjislacionin në fuqi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e presidentit.

Gjatë tërë ditës së sotme flamuri i Kosovës do të jetë i varur në gjysmë shtizë.

Demaj është polici i 20-të i Kosovës që ka humbur jetën në detyrë.

Si pasojë e të shtënave të ndërsjella edhe personi i dyshuar për plaçkitje të bankës, ka mbetur i vrarë, po ashtu.

Image

Varroset në Koshare polici Izet Demaj që u vra nga grabitësi

Listës së policëve të rënë në detyrë, të enjten iu shtua edhe Izet Demaj nga Istogu. Ai u vra gjatë një tentim-grabitje të armatosur që ndodhi në Istog. Demaj u varros sot me ceremoni shtetërore pranë shokëve të tij të luftës në Koshare. Ndërkohë, në nderim të tij Presidenti Thaçi ka shpallur ditë zie.

E enjta ishte dita e fundit që Izet Demaj veshi uniformën e policisë. 42 vjeçari nga Vrella e Istogut, u vra gjatë një tentim-grabitje të armatosur që ndodhi në një filial banke në Istog.

Po, atë ditë grabitësit ishin armatosur e kishin marrë rrugë drejt një prej bankave që gjendet në qendër të Komunës së Istogut, për të kryer grabitje.

Por, aty u zunë në pritë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e pas një përleshje me armë zjarri, mbeti i vrarë grabitësi Kamer Metaj, i cili e plagosi rëndë pjestëtarin e policisë, Izet Demajn.

Demaj do të përcillej urgjentisht në spital të Pejës, por plagët që kishte marrë gjatë aksionit ishin shumë të rënda dhe ai nuk mundi të ju mbijetonte.

Mjeku kujdestar i spitalit të Pejës, Sadri Berisha bëri të ditur se polici u dërgua në spital pa shenja jete. Ai shtoi se pavarësisht përpjekjeve të mjekëve nuk kanë mundur të bëjnë asgjë më shumë, derisa kishte deklaruar se vdekja e policit mund të ketë ardhur për shkak të gjakderdhjes së madhe që ka pësuar gjatë rrugës.

“Ka qenë i plagosur me armë zjarri. Ka qenë një numër i madh i plumbave në trup. Një ka qenë një qafë, një tjetër afër zemrës dhe një tjetër në krahun e djathë që kanë mundur potencialisht të ia marrin jetën”, ka deklaruar Berisha.

Polici i ndjerë ishte edhe ish’ushtar i UÇK’së, e kishte luftuar në brigadën Agim Ramadani, ndërkaq ka lënë prapa dy vajza.

Familja e Demajt janë krenar me veprën e tij, e kjo po i ngushëllon kur kujtojnë ndodhinë e dy dite më parë.

Familjarë miq, e bashkëluftëtarë e kujtojnë atë me fjalët më të mira.

Bekim Demaj, djali i axhës së tij u deklaruar se i ndjeri ka qenë djalë shumë punëtor, si në luftë, si pas saj.

“Dhimbja është prezente po faleminderit prej të gjithë atyre që vijnë për ngushëllim. Për çdo ditë jemi pa edhe dje ka qenë në detyrë po i ka ardh momenti në krye të detyrës më zbatu ligjin. Ka qenë në orar të punës. Në punë është dhënë një alarm që një bankë është duke u plaçkit, Izeti ka qenë një njeri që ka marrë pjesë në luftë, ka qëne djalë shumë punëtor” tha ai.

Një shok i tij u deklarua se për herë të fundit është parë me të para dy ditëve e i ndjeri nuk ka pasur probleme asnjëherë me asnjë person.

“Me Izetin bashkë jemi rrit s'ka më rëndë, me të bashkë jemi rrit ka qenë djalë shumë i mirë, i rregullt, i ri në luftë polic i mirë, po erdh momenti me u vra nga një kriminel. Pardje jam pa me të për herë të fundit. Absolutisht asnjëherë s'ka pas probleme me askënd”,tha Sefedin Maxharraj.

Familjarët e Kamerit kishin pak fjalë për të ndjerin dhe u distancuan nga vepra që kreu familjari i tyre. Ata patën një mesazh për familjen e policit, Izet Demaj.

Ata kërkuan falje prej tyre në ditën kur po pritnin të pame për personin që i mori Izetit jetën.

“I kërkojmë falje familjes së policit të vrarë, nuk kemi pas përshtypje asnjëherë që mundet me u marrë Kameri me këto gjana”, thanë ata.

Haradinaj: S’guxojmë ta lëmë kurrë policinë vetëm, kriminelët s’do marrin ligjin në dorë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se i ndjeri Izet Demaj i ka dhënë Kosovës nder, jo vetëm si polic por edhe ushtar i lirisë.

“Është moment ndryshe, sa herë kemi ardh këtu kemi folur për lavdi të ushtarëve. Policia është storie suksesi. Policia nuk e ka pasur të lehtë këto 20 vjet, ai për ta kthyer rendin ka qenë i sfiduar. Rasti i Demajt qe u detyrua me mbrojt ligjin është porosi që ne nuk guxojmë kurrë ta lëmë vetë policinë. Policia s’mund ta kryejë punën pa popullin. I madh, i vogël, jemi me familjen e Demajt. Nuk do të lejojë asnjëherë që rendin dhe ligjin ta marrin kriminelët. Nuk guxojmë ta lejojmë”, ka thënë Haradinaj.

Ka thënë se Policia e Kosovës do të përkrahet gjithmonë.

Nis ceremonia e varrimit të policit Izet Demaj

Ka nisur ceremonia e varrimit të policit Izet Demaj, i cili u vra pak ditë më parë në Istog.

Lamtumira e fundit do t’i jepet në varrezat e dëshmorëve në Koshare, me një ceremoni shtetërore.

Demaj u vra nga grabitësi Kamer Metaj i cili më pas u vra nga policia e Kosovës.

“Krenari të flasësh për dikë si Izeti, i përulem familjes së tij që i dha policisë njeriun më të dashur”

Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e varrimit të policit Izet Demaj, i cili u vra para pak ditësh nga grabitësi Kamer Metaj, ka shprehur dhimbjen e tij pas kësaj humbje.

“Po ndahemi nga një koleg shumë i çmuar i policisë së Kosovës. Është krenari të flasësh për dikë si Izeti, për flijimin e tij për luftimin e krimit. Ideali i tij do të jetojë gjatë sepse do t’i jetësojmë ne. Unë dua t’i përulem familjes së tij, ju jeni dhe do të mbeteni pjesë e policisë së Kosovës që i dhatë njeriun më të dashur”, tha Qalaj.

Izet Demaj u vra para pak ditësh në Istog nga grabitësi poashtu i vrarë nga policia, Kamer Metaj.

Arrin në Koshare kufoma e Izet Demajt, pas pak nis ceremonia e varrimit

Pas pak pritet që në varrezat e Koshares të filloj ceremonia e varrimit të policit të Kosovës, Izet Demaj.

Demaj u vra të enjten në detyrë gjatë një përleshje në Istog, me Kamer Metajn, i cili kishte tentuar të grabis një filial banke.

Demaj dhe Metaj, të dy mbetën të vdekur nga gjuajtja me armë mes vete.

***

Trupi i pajetë i policit Izet Demaj është duke u nisur për në Koshare.

Polici i ndjerë tashmë është vendosur në veturë për tu dërguar në varrezat e dëshmorëve në Koshare.

Kujtojmë se në Istog përveç policit Demaj, i vdekur mbeti edhe grabitësi i bankës, Kamer Metaj, i cili paraprakisht kishte qëlluar për vdekje policin Izet Demaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat