Dikush po bën përpjekje për t’i eliminuar politikisht Kurtin dhe Konjufcën, qoftë edhe me atentat

Aktuale

Dikush po bën përpjekje për t’i eliminuar politikisht Kurtin dhe Konjufcën, qoftë edhe me atentat

Nga: Bota sot Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 16:49
Albin Kurti dhe Glauk Konjufca

Edhe ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Liri Loshi, ka dalë kundër presidentit të vendit Hashim Thaçi, për akuzat e tij se kinse Lëvizja Vetëvendosje qëndron prapa organizatës ”Syri i Popullit”.

Ai në një postim në Facebook, ka thënë se Thaçi, ka shfrytëzuar postin e presidentit, për t’i eliminuar politikisht dy liderët kryesorë të kësaj partie, Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën, përcjell Bota sot.

Loshi e ka quajtur “përpjekje qyqare”, atë të presidentit Thaçi, e cila sipas tij, “nuk mund të provohet as të legjitimohet përmes asnjë procesi gjyqësor”.

Ai ka theksuar se Kurti e Konjufca, janë viktimë në perspektivë për këtë rast.

Postimi i plotë i Loshit:

Askush nuk mund të më bind mua sot se Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë pasur ndonjë plan kurdoherë për atentate dhe vrasje të kundërshtarëve politikë e kjo do të thotë se nuk mund të më bind as vetë presidenti i Kosovës që mund të jetë më i informuar se secili nga ne. Të jesh i informuar dhe ta interpretosh informacionin drejt janë dy gjëra të ndryshme. Në anën tjetër, nuk e kam vështirë të bindem për të kundërtën, pra se dikush tjetër mund të bëjë përpjekje për eleminimin politik të Albin Kurtit dhe të Glauk Konjufcës, qoftë edhe duke organizuar atentat kundër tyre.

Hashim Thaçi me deshminë e tij në Gjyq shfrytëzoi postin e presidentit për t’i eliminuar politikisht dy liderët kryesorë të një partie kundërshtare politike. Përpjekja e tij për të inkriminuar dy liderët e Vetëvendosjes është një përpjekje qyqare që nuk mund të provohet as të legjitimohet përmes asnjë procesi gjyqësor. Në këtë rast Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, për mendimin tim, janë subjekt i një konspiracioni dhe shantazhi të organizuar politik, apo thënë më shkoqur janë dy viktima në perspektivë dhe unë si gjithmonë, edhe kësaj radhe rreshtohem në mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimave./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat