PSD: Nuk futemi në qeveri me PDK-në

Aktuale

PSD: Nuk futemi në qeveri me PDK-në

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 21:52
Shpend Ahmeti,Kadri Veseli, Blerand Stavileci, Fatmir Limaj

Ditë më parë në media u raportua se Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit ka gjasa të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës, pasi ftesë kishte marrë edhe nga AAK-ja e Ramush Haradinajt.

Këto raportime erdhën pas emërimit të Ahmetit në krye të ekipit negociator për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë,

Hyrjen në koalicion me partitë qeverisëse PDK-AAK-Nisma, e ka mohuar kategorikisht zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi.

Ajo në një prononcim  ka thënë se kjo parti nuk hynë asnjëherë në qeveri, nëse aty bën pjesë edhe PDK-ja.

“Partia Socialdemokrate jo vetëm se nuk do të hyjë në qeveri në këtë mandat, e madje as në tjetrin nëse në qeveri është PDK, por edhe do të votojë për rrëzimin e kësaj qeverie, në momentin që do t’i kemi numrat e nevojshëm në Kuvend”, ka thënë Kuçi.

Ajo ka theksuar se Partia Socialdemokrate nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim sa i përket koalicionit qeveritar dhe nuk ngarkohet me propagandën e qarqeve të caktuara të pushtetit dhe të pjesës tjetër të opozitës, të cilat përpiqen të ndërtojnë konstruksione të tilla fiktive.

“Nuk kemi të bëjmë me zbutje, apo sforcim qëndrimi. Partia Socialdemokrate është konsistente lidhur me qëndrimin e saj ndaj qeverisë. Nuk ka asnjë ndryshim. Dialogu me Serbinë është përtej betejës për pushtet. Ai është interes shtetëror dhe nacional. Pavarësisht se kush është në pushtet dhe në opozitë, PSD beson se në dialog duhet të jenë të përfshira pozita dhe opozita”, ka theksuar Kuçi.

Se PSD do të mbetet në opozitë vlerëson edhe analisti politik, Donik Sallova. Sipas tij, vet fakti që dikur ishin në Vetëvendosje, e bën të pamundur që PSD-ja të futet në qeveri.

“Nuk besoj që PSD do të futet në qeveri, sepse duke qenë fraksion i shkëputur nga VV do të ishte një shndërrim drastik i tyre brenda një kohe të shkurtër dhe kjo do të ishte elektoralisht fatale për ta. Por besoj që në PSD janë të vetëdijshëm se si subjekt i vetëm nuk arrijnë do ta kalojnë pragun, prandaj ata do kalkulojnë një përfshirje në një listë të përbashkët zgjedhore në parti si AAK dhe Nisma, ku pjesëmarrja në listë do ishte relativisht e barabartë”, ka theksuar Sallova.

Sipas tij, PSD-ja kështu do të ndërtonte një profil të opozitës kontruktive, por që ndërlidhet me interesin politik për zgjedhjet e ardhshme.

“Prandaj, ne do të shohim qasje më të moderuar të PSD ndaj kryeministrit Haradinaj, duke e ndërtuar hap pas hapi një farë partneriteti parazgjedhor mes tyre. Pra PSD do dëshiroj ta ndërtoj profilin e opozitës konstruktive, por që në thelb lidhet me interesat e tyre politike për zgjedhjet e ardhshme”, ka përfunduar Sallova.

Kujtojmë se Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj u emëruan kryenegociator të ekipit dialogues mes Kosovës dhe Serbisë, që mbahet në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Derisa partitë tjera kanë mbështetur këtë ekip, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja vazhdojnë ta kundërshtojnë atë./Indeksonline/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat