Rrugëtimi i PSD’së drejt prehrit të Ramush Haradinajt

Aktuale

Rrugëtimi i PSD’së drejt prehrit të Ramush Haradinajt

Më: 30 dhjetor 2018 Në ora: 16:52
Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti

Nga protestat e ashpra të Vetëvendosjes krah Albin Kurtit, në zyrën e Presidentit Hashim Thaçi e kryeparlamentarit Kadri Veseli. Ky është viti politik i Shpend Ahmetit dhe partisë së tij, të cilët filluan ndarjen nga VV saktësisht para një viti. Partia me 12 deputetë ka përfunduar në prehrin e Ramush Haradinajt, të cilin po e përkrahin në këmbim që vendi të mos shkojë në zgjedhje e ku PSD do të shënonte fundin politik.

Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu e edhe Dardan Molliqaj ishin në gjendje të flasin me orë, ditë e muaj se sa e mirë është Vetëvendosje e lideri i saj, Albin Kurti.

Me të njëjtën retorikë, tre ish-funksionarët e Vetëvendosjes janë në gjendje të flasin tash krejt të kundërtën. Madje, të thonë se Albin Kurti është e keqja e Kosovës.

Sondazhet flasin se kredibiliteti i Partisë me 12 deputetë është diku mbi 2 për qind.

Të gjendur në këtë situatë, PSD’ja e re, e cila ishte themeluar nga një ish-funsionare e Jugosllavisë, kishte vendosur të hynte bashkë me Qeverinë në dialog. Të shkonte edhe më tej. Të përkrahte buxhetin e shtetit, duke ia dhënë votat për ta mbajtur në pushtet Ramush Haradinajn e Kadrio Veselin.

Zyrtarë të PSD’së e NISMA’s kanë konfirmuar se përkrahje pa kushte për Ramush Haradinajn kishte ardhur pasi Kryeministri kishte kërcënuar me zgjedhje të jashtëzakonshme kur Shpend Ahmeti kishte rezistuar të mos e votonte buxhetin e Shtetit.

Në një situatë të tillë, Shpend Ahmeti ishte shtrirë para Kryeministrit të vendit duke i dhënë përkrahje në dialog e buxhet vetëm që vendi të mos shkonte në zgjedhje e PSD të shënonte fundin ende pa u konsoliduar. Por, me disa kërkesa disa prej të cilave s’do të realizohen kurrë.

Pazari PSD-Qeveri

Një video e deputetit Dardan Sejdiu ku ai iu mban fjalim plot mllef policëve se si nuk duhet arrestuar Albin Kurti, përshkruan rrugëtimin e Partisë Socialdemokratike, pjesë e të cilës është Sejdiu, bashkë me dikur vijën e parë të frontit të Vetëvendosjes.

Partia Socialdemokrate po mbyll vitin me disa mesazhe që dolën në media ku Dardan Molliqaj komunikon dhe bën pazare me Pal Lekajn e AAK’së, për t’ia votuar Qeverisë buxhetin.

Dolën edhe mesazhet ku Shpend Ahmeti, kryetar i partisë, po i thoshte Molliqajt që të flasë si Kadri Veselit, për të arsyetuar votën pro buxhetit, pa të cilën Qeveria Haradinaj s’do të mund ta kalonte në Kuvend.

Sidoqoftë, në maj të këtij viti, vendit iu shtua një parti, që po pritej për disa muaj. Partia e re, socialdemokrate, më shumë se sa për ndonjë risi në skenën politike, po pritej për kureshtje. Brumi i saj ishte i vjetër, i dalë nga Lëvizja Vetëvendosje, shumica e të cilëve pa disa vjetëve ishin themeltarë të Frymës së Re.

Të gjithë ishin te interesuar të dinin se nga do t’ia mbante Dardan Molliqaj me deputetë të tjerë. A do t’i bashkohej Shpend Ahmeti, apo po kalkulonte të rrinte me Albin Kurtin ishte dilema tjetër,

Kjo sepse Ahmeti, në luftën e brendshme që filloi saktësisht një vit më parë në Vetëvendosje, po provonte disa manovrime. Heshti për disa muaj, ndërsa i fundit nga të gjithë deklaroi se po e linte VV’në.

Ahmeti u bë menjëherë i pari në Partinë Socialdemokrate, duke u zgjedhur kryetari i të gjithë atyre që lanë Vetëvendosjen dhe i një pjese të socialdemokratëve që i udhëheqte Kaqusha Jashari.

PSD e madhe me deputetë, e vogël në sondazhe

PSD, me 12 mandate të deputetëve të transferuara nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, nuk qëndronte keq në Kuvend. Megjithatë, sondazhet e publikuara gjatë vitit thoshin se po të shkonte vendi në zgjedhje, PSD nuk do të merrte më shumë se 2-3 për qind.

Kryetari i Prishtinës, që fitoi mandatin në nëntor të 2017’ës me shumë pak diferencë me Arban Abrashin e LDK’së, me të nisur udhëheqjen e një partie, zhvendosi vëmendjen e tij në tema nacionale.

Partia Socialedemokrate, e krijuar nga figurat kryesore të VV’së, ndryshoi mënyrën se si po i qasej çështjeve.

Në mars të këtij viti që po e përmbyllim, u votua demarkacioni me Malin e Zi. Njëmbëdhjetë deputetët e PSD’së nuk votuan pro ratifikimit, megjithatë nuk iu bashkuan sulmeve të kuvendit me gaz lotjsjellës.

Vetëvendosje vazhdoi hedhjen e gazit lotjsjellës, e më vonë edhe protestën masive në shtator, pa vijën e parë të frontit, që zakonisht udhëhiqej, koordinohej nga ish-sekretari organizativ, Dardan Molliqaj.

PSD dhe Vetëvendosje, të dyja në opozitë, u kthyen në armike të njëra-tjetrës.

Gjatë vitit, filluan edhe përballjet televizive mes bashkëpunëtorëve të dikurshëm. Debatonin ashpër Glauk Konjufca e Shpend Ahmeti. U raportua edhe për peleshje fizike mes Xhelal Svecles së VV’së dhe Frashër Krasniqit të PSD’së, pasi kishin qenë të ftuar në një debat televiziv.

Partia e Shpend Ahmetit pati disa iniciativa në kuvend gjatë vitit të parë të themelimit.

Më e rëndësishmja ishte ajo e krijimit të rezolutës për dialogun me Serbinë, e cila e ndau PSD’në nga dy partitë tjera opozitare, LDK e VV.

PSD, bashkë me PDK’në, AAK’në, Nismën dhe AKR’në, votuan rezolutën sipas së cilës presidentit Hashim Thaci i bashkëngjitet një delegacion.

Rezoluta që ndau si me thikë përfundimisht qëndrimet e VV’së dhe PSD’së parasheh Shpend Ahmetin bashkëkryesues të delegacionit me Fatmir Limajn. Pjesë e tij janë edhe zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi; Avni Arifi i

Partitë opozitare po e akuzonin PSD’në se u bë patericë e pushtetit, ndërsa socialdemokratët vazhduan tutje me arsyetimin se po i bashkoheshin dialogut për të mos e lënë Thacin të vendosë i vetëm.

PSD qëndroi në Kuvend në fillim të këtij muaji, kur u votua projektligji për buxhetin e vitit 2019.

Aty dolën edhe mesazhet ku Pal Lekaj i thoshte Molliqajt nëse do të votojnë ashtu sic ishin marrë vesh.

Për Shpend Ahmetin zbukurimet e kryeqytetit për fundvit mund të ishin punët më të vogla me të cilat do të merrej gjatë dhjetorit.

Ai u prit në zyrën e Kadri Veselit për të biseduar se si do t’ia bënin me Serbinë. Më pas, bashkë me Limajn shkuan edhe në Presidencë ku i priti presidenti Thaci.  Temë e këtij takimi ishte nisja e rrugëtimit të përbashkët, bisedimet me Serbinë./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat