Kuvendi i rezolutave të parespektuara

Aktuale

Kuvendi i rezolutave të parespektuara

Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 15:46
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës këtë vit ka qenë në qendër të vëmendjes për shqyrtimin dhe miratimin e një sërë rezolutash, kryesisht të inicuara nga partitë politike opozitare.

Që nga fillimi i legjislaturës së VI-të, Kuvendi i Kosovës ka miratuar 16 rezoluta, akte këto të cilat shprehin qëndrimin ose vullnetin e deputetëve të Kuvendit për çështje të caktuara.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Jeta në Kosovë, Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që monitoron punën e legjislativit.

“Si vendime që Kuvendi i nxjerrë ligjërisht nuk janë të obligueshme për institucionet të cilave iu drejtohen ato, por ato kanë efekt politik dhe si të tilla duhet të respektohen nga institucionet përgjegjëse”, thotë Haxhiu.

Sipas saj, ndër rezolutat që Kuvendi ka miratuar janë, ajo për luftimin e korrupsionit si kriter për procesin e liberalizmit të vizave, sikurse që është miratuar edhe rezoluta në lidhje me zbatimin e programit kombëtar për zbatimin e MSA-së.

“Po ashtu në mesin e këtyre rezolutave është edhe ajo për gjendjen  financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe Postës së Kosovës, për të pagjeturit, dhunën në familje, për  të drejtat e punëtorëve por edhe ajo për mbrojtjen dhe përmirësimin ambientit dhe ajrit. Së fundmi është miratuara edhe rezoluta për mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, shton monitoruesja.

Me gjithë numrin e madh të rezolutave të miratuara në Kuvend, problematik mbetet fati i tyre për tu zbatuar nga institucionet përkatëse.

Gazetari Agron Halitaj, i cili e përcjell punën e Kuvendit, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se në shtetet që kanë traditë të parlamentarizmit, rezolutat me t’u miratuar bëhen pjesë të agjendave të institucioneve të cilave u bëhen thirrje për t’i zbatuar.

“Kjo ndodh për shkakun se zbatuesit e këtyre dokumenteve vendosin që ta respektojnë vullnetin e zgjedhësve. Parimisht, kështu do duhej të ndodhte edhe në Kosovë, pavarësisht nga fakti se rezolutat nuk kanë karakter obligues. Por, kjo nuk ka ndodhur”, thotë Halitaj.

Ndërkaq, Agnesa Haxhiu nga KDI, thotë për Gazetën JnK se mungesa e mekanizmave të zbatueshmërisë dhe sanksioneve në rast të mos zbatueshmërisë nga ana e Kuvendit ka bërë që pjesa më e madhe e rezolutave të nxjerra nga Kuvendi të mos gjejnë zbatim në praktikë dhe institucionet të cilave u drejtohen nuk marrin përgjegjësi për zbatimin e tyre.

Në anën tjetër, Agron Halitaj shton se jo vetëm rezolutat që janë miratuar sivjet, por edhe ato që janë miratuar në vitet e mëhershme, janë shpërfillur thuajse në tërësi.

“Kjo flet për degradimin e skajshëm të funksionit të Kuvendit dhe humbjen e kredibilitetit të deputetit. Për sa kohë që Kuvendi do të jetë më tepër si agjenci shpenzuese, e jo institucion me peshën që i ka dhënë Kushtetuta, nuk është e pritshme që rezolutat do të zbatohen. Fati i tyre do të jetë i njëjtë- do të përfundojnë nëpër sirtare dhe në arkiva”, tha ai për Gazetën JnK.

Opozita aktive me rezoluta

Numrin më të madh të rezoutave gjatë kësaj legjislature të Kuvendit, e kanë inicuar subjektet politike opozitare.

Agnesa Haxhiu, monitoruese nga KDI, thotë se nga 16 rezoluta që janë nxjerrë në votim nga Kuvendi, partitë opozitare kanë qenë dukshëm më aktive në këtë drejtim.

“Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike dhe Partia Socialdemokrate kanë inicuar 15 nga gjithsej 16 rezoluta sa janë inicuar”, deklaroi ajo për Gazetën JnK.

Ndërkaq, sipas saj nga ky numër i rezolutave, vetëm një prej tyre nuk ka marrë miratimin e Kuvendit.

“Rezolutë kjo e inicuar nga LVV dhe LDK në lidhje me mos –liberalizimin e vizave. Në numrin e përgjithshëm të rezolutave nuk janë të përfshira edhe rezolutat që ende janë në process të votimit, dhe për mungesë kuorumi ende nuk kanë marrë epilog”, theksoi ajo.

Lidhur me këtë çështje, deputetja e LDK-së Besa Gaxherri tha për Gazetën Jeta në Kosovë, se Kuvendi i Kosovës prej themelimit të tij e deri tash ka aprovuar shumë rezoluta.

“Por rezolutat nuk janë obligative, këtë e dinë të gjithë. Rezoluta në Kuvendin e Republikës së Kosovës është akt politik me të cilin ne mund të thirremi dhe mund të shtyjmë procese të caktuara”, thotë deputetja.

Sipas Gaxherrit, rezolutat e LDK-së më shumë kanë pasur qëllim politik në mënyrë që të  sensibilizohet faktori ndërkombëtar për çështje të caktuara.

“Duhet të bëhet rezolutë e caktuar për çështje të caktuar. Duhet t’i bëhet me dije cilitdo lider që është në krye të procesit se duhet të konsultohet me grupet parlamentare”, theksoi deputetja Gaxherri.

Ndërkaq, Arbërie  Nagavci, deputete  e Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi për Gazetën JnK se rezolutat e miratuara në Kuvend shumë herë janë shpërfillur nga qeveria.

“Fatkeqësisht edhe pse Republika e Kosovës është parlamentare dhe Kuvendi ka një rol shumë të rëndësishëm, rezolutat që janë miratuar jo vetëm në këtë legjislaturë, por edhe në të  kaluarën shumë herë që të mos themi gjithmonë janë shpërfillur nga qeveria dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Kështu që duke se situate po vazhdon njëjtë edhe në këtë legjislacion”, tha deputetja e VV-së.

Sfidat e Kuvendit në vitin 2018

Monitoruesja e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Agnesa Haxhiu thotë se miratimi i projektligjeve të shumta, është përcjellë me vështirësi pikërisht për shkak të mungesës së kuorumit në votim.

“Por që përkundër zvarritjeve në shqyrtim të ligjeve edhe mungesës së kuorumit për t’i votuar ato, Kuvendi ka arritur deri më tani që ta përmbush deri në 41% agjendën legjislative. Por që janë edhe 55 ligje të tjera në procedurë deri në fund të këtij viti, e që do të jetë e pamundur që të gjitha këto të përfundojnë deri në fund të këtij muaji. Andaj do të kemi përsëri bartje të projektligjeve nga një vit në tjetrin, siç edhe ka ndodhë pothuajse çdo vit”, thotë ajo për Gazetën JnK.

Ndonëse në rolin ligjvënës Kuvendi qëndron më mirë, ka pasur ngecje në rolin e tij të mbikëqyrjes.

Haxhiu shton se edhe pse deputetët ka qenë më aktiv në parashtrim të pyetjeve parlamentare dhe inicim të interpelancave kanë munguar aktivitetet për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.

Sipas KDI-së, Kuvendi i Kosovës këtë vit ka shënuar regres edhe sa i përket transparencës financiare.

“Kuvendi i Kosovës deri më tani ka publikuar raportet e shpenzimeve për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, mirëpo edhe në ato raporte që janë publikuar mungojnë të dhënat lidhur me arsyet e vizitave të deputetëve jashtë vendit, datat e qëndrimit në ato vizita dhe shpenzimet për bileta për secilin deputet”, shtoi ajo për Gazetën JnK.

Haxhiu vlerëson se mos publikimi i raportit të detajuar të shpenzimeve i kufizon në vlerësimin e menaxhimit të buxhetit nga ana e Kuvendit./JNK/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat