Viti i ri, izolimi i vjetër

Aktuale

Viti i ri, izolimi i vjetër

Më: 1 janar 2019 Në ora: 08:12
Ilustrim

E nisim me një Krypometër. Ky artikull u botua në ditën e parë të vitit 2019. Është i pari i vitit në të cilin hymë dhe nuk na u desh më shumë se 1 minutë për ta vërtetuar se i madh e i vogël nga vendimmarrësit këtë vit kanë rrejtë.

Këmbana që lajmëroi ndërrimin e moteve shënoi edhe përfundimin e kohës kur disa politikanë kosovarë kishin premtuar liberalizimin e vizave për kosovarët.

Fundi i 2018-tës ishte ‘koha e sigurtë’, kur Kosova do të ndalonte së qeni vendi i vetëm i izoluar në Ballkan.

Edhe në kohën kur viti 2018 po numëronte ditët e tij të fundit, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj arriti të nxjerrë një datë të fundit për çlirimin nga regjimi i vizave.

Në 10 vitet e fundit të shtetësisë, liberalizimi i vizave ka qëndruar si premtim në gojët e shumë qeveritarëve që e ushqyen ëndrrën kosovare për lëvizje të lirë në Evropë.

Në një konferencë pas mbledhjes së qeverisë të datës 18 dhjetor,  Ramush Haradinaj ka thënë se liberalizimi pritet të bëhet para përfundimit të këtij viti, pra në 13 ditët që do vinin.

“Ne tani kemi dy kërkesa për BE-në e kemi normalizimi i dialogut dhe liberalizimi i vizave, këto dyja janë në proces kjo nuk ndërlidhet me taksën kjo është e ndame. Besoj se do ta marrim liberalizimin jo shumë larg, para Vitit të Ri, por kjo nuk ndërlidhet me taksën”, tha Haradinaj.

Krypometri e ka vlerësuar si rrenë premtimin e kryeministrit, ndërsa është renditur i pari meqë deklarata e tij ka qenë më së afërti me fundin e këtij viti.

Megjithatë, liderët tjerë me përgjegjësi në këtë fushë, po ashtu ishin zotuar për liberalizim në 2018-tën.

Më 11 korrik të këtij viti, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte thënë se lëvizja e lirë ishte çështje ditësh brenda 2018-tës.

“Varet nga kush jepen sinjale për liberalizimin e vizave por mund t’i konfirmoj qytetarët e Kosovës se gjatë ditëve të ardhshme do të kemi përgjigje dhe gjatë këtij viti qytetarët do të lëvizin lirshëm në zonën e Bashkimi Europian, por nuk mund të jap data. Gjatë sezonës së vjeshtës ne do të bisedojmë me të gjitha shtetet veç e veç e do t’i bindim që qytetarët të lëvizin pa viza”, tha Thaçi gjatë një vizite që bëri sot në Ferizaj ku përuroi fushatën e sivjetme të korrje- shirjeve”, kishte thënë Thaçi.

Edhe më herët se Thaçi, Kryeparamentari i Kosovës, Kadri Veseli ishte zotuar për liberalizim në fund të vitit.

“Jemi pothuajse në fazën përfundimtare. Të gjitha kushtet teknike janë plotësuar. Tani kemi nevojë vetëm për vendimmarrje politike. Jam i sigurt që në fund të këtij viti qytetarët tanë do të lëvizin lirshëm pa viza në Zonën Shengen. Zonja Fajon gjithashtu më këshilloi se në cilat vende duhet të orientohemi, për t’i bindur ato lidhur me liberalizimin e vizave. Jemi në prag të vendimit të madh”, tha Veseli më 13 qershor të këtij viti.

E në fund të pranverës së këtij viti, edhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ishte optimiste për vizat më 2018.

Në një intervistë për rtv21 më 2 maj të këtij viti, ajo  kishte thënë se në fund të vitit qytetarët do të lëvizin pa viza.

Me ndërrimin e viteve , Krypometri ka vlerësuar se të gjitha këto deklarata lidhur me liberalizimin e vizave ishin rrena.

Megjithatë, këto rrena kishin mundur të konstatoheshin edhe më herët nëse bazohemi tek disponimi i BE-së për këtë process.

Megjithëse procesi i liberalizimii nuk varet vetëm nga instuticionet vendore por edhe disponimi politik i Bashkimit Evropian, ky i fundit ishte më pak optimistë se liderët vendorë.

Nga vetë zyrtarët e BE-së ka pasur deklarata se liberalizimi mund të pritet në vitin 2020.

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Johannes Hahn, ka dhënë shenja që kosovarët nuk do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen para vitit 2020.

“Tani çështja është te Këshilli Europian dhe ky Këshill është vendi që merr më së shumti kohë prandaj jam shumë i bindur që viti 2020 është afati më realist”, tha ai në konferencë për shtyp gjatë vizitës në Prishtinë.

Krypometri kishte përmbledhur deklaratat e politikanëve për liberalizimin e vizave që rezultuan të jenë rrena në 10 vitet e fundit./Kallxo/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat