INTERPOL-i, dështimi i madh i Kosovës në vitin 2018

Aktuale

INTERPOL-i, dështimi i madh i Kosovës në vitin 2018

Më: 1 janar 2019 Në ora: 19:11
INTERPOL

Interpoli u formua në vitin 1923, me qëllim që të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar policor. Misioni parësor i saj është ndalimi i një sërë aktivitetesh kriminale ndërkombëtare. Roli kryesor i Interpolit në shumicën e operacioneve është të funksionojë si një qendër informacioni, duke ruajtur bazën e të dhënave kriminale ndërkombëtare, duke lehtësuar kontaktet midis forcave të policisë të shteteve të ndryshme.

Momentalisht, kjo organizatë ka një buxhet prej 113 milionë eurove, të cilat mblidhen nga 194 shtete anëtare.

Kosova është shteti i vetëm në Ballkan, e cila nuk është anëtare në Interpol

Shteti i Kosovës, ka tentuar tre herë të bëhet pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – INTERPOL.

Tentimin e parë, Qeveria e kishte bërë dy vite pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2010.

Edhe pse nga Interpol-i, Kosovës i ishte kërkuar të plotësonte një pyetsor si procedurë e regjistrimit, raportet ishin ndërprerë pa ndonjë arsye konkrete.

Tentativa tjetër kishte ndodhur në vitin 2015, kur në krye të Qeverisë ishte lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ku Kosova dështoi prapë në përpjekjen e saj për tu bërë pjesë e Interpol.

Raporti i Qendrës Kosovare për Studimet e Sigurisë, i publikuar në vitin 2016 kishte theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në Interpol dhe se ishte e gatshme në aspektin teknik dhe operativ, por sipas këtij Studimi, arsyet e mos pranimit të Kosovës në Interpol ishin politike.

Dështimi i radhës për Kosovën, erdhi në vitin 2017, dy vite pas përpjekjes së fundit, ku Qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn, kishte aplikuar për herën e tretë në Interpol.

Vetëm 5 ditë para mbledhjes së Interpol-it, ku do të vendosej edhe për ‘fatin’ e Kosovës, Kryeministri Haradinaj kishte dalur në një konferencë për media ku kishte thënë se Kosova nuk i ka votat e duhura për në Interpol, me ç’rast ishte tërhequr aplikimi.

Përpjekja dhe dështimi i katërt me radhë nga Qeveria e Kosovës për t’u antarësuar në Interpol

Në vitin 2018, u bë hera e katërt që shteti i Kosovës, nuk tërhiqet nga përpjekjet e saja për tu bërë pjesë e Interpol. Mbledhja e kësaj organizate pritej të mbahej më 20 nëntor të këtij viti, në Dubai të Emirateve të Bashkuara.

Zyrtarë të lartë shtetëror të Kosovës ishin shprehur optimist duke garantuar anëtarësimin e Kosovës.

Qeveria kishte ndarë 1.5 milionë euro të buxhetit shtetëror për të lobuar në vendet anëtare të Interpol.

Por më 20 nëntor, Qeverinë e Kosovës e priti dështimi i radhës.

Kosova në votimin e parë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Interpol-it kishte marrë 76 vota pro, 56 kundër dhe 22 abstenime. Në votimin e dytë, Kosova morri 68 vota pro, 51 kundër dhe 16 abstenime, me ç’rast nuk kishte fituar votat e nevojshme për anëtarësim.

Qeveria e Kosovës fajësoi Serbinë për dështimin e saj

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, nuk hezituan që fajin për dështimin e Kosovës në Interpol, t’ia hedhin shtetit serb, duke thënë se ky shtet kishte përdorur metoda të ndryshme lobimi kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

1.5 milionët e ndara nga Qeveria për lobim nuk u arsyetuan konkretisht se ku janë shpenzuar, ndërsa arsyetimet e qeveritarëve kishin shkuar edhe më larg se ç’ishte paramenduar.

Një nga zyrtarët më të zëshëm rreth antarësimit të Kosovës në Interpol, ishte ministri i Punëve të Jashtme njëherish edhe zëvendës kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Pacolli në intervistimin e tij nga Komisioni për Punë të Jashtme në lidhje me dështimin e përpjekjes së Kosovës për anëtarësim në Interpol, kishte thënë se lobimi kundër Kosovës nga ana e Serbisë kishte shkuar deri në atë masë, sa që sipas tij shteti serb kishte angazhuar edhe ‘vajza të bukura’ për të ndikuar tek shtetet anëtare që të votonin kundër Kosovës.

Ballkani.info kishte siguruar edhe një video ku këto vajza të përmendura nga Pacolli shiheshin duke biseduar me përfaqësuesit e shteteve anëtare në Interpol, para nisjes së mbledhjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat