Kosova me nivel të lartë të varfërisë, vitin 2019 e nis me mbi 25 mijë familje me social

Aktuale

Kosova me nivel të lartë të varfërisë, vitin 2019 e nis me mbi 25 mijë familje me social

Më: 1 janar 2019 Në ora: 22:47
Foto ilustrim

Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër në Europën Juglindore, ku 34% e popullsisë jetojnë në varfëri absolute, me të ardhura ditore nën 1,55 euro, dhe 12% tjerë jetojnë në varfëri ekstreme (1.02 euro).  E dalë nga lufta shkatërrimtare, por edhe pas një dekade pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është ndër më të varfërat në Ballkan e Evropë.

Si një vend i tillë po hyjmë edhe 2019, ku sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë mbi 25 mijë familje që janë pjesë e Skemës së Ndihmës Sociale (SNS).

“Në muajin dhjetor 2018, ndihmën sociale në nivel vendi e kanë shfrytëzuar 25.345 familje, me 103.399 anëtarë të familjes, Numri i kërkesave për ndihmë sociale brenda një muaji është afërsisht i njëjtë, deri në 400 kërkesa, ndërsa në harmoni me kriteret ligjore për ndihmë sociale kualifikohen diku afërsisht 200-250 familje”, thuhet në përgjigjen MPMS.

Tutje, zyrtarë nga kjo ministri kanë theksuar se numri i familjeve që shfrytëzojnë socialin që nga 2015 deri tani sjellët nga 25 mijë e deri në 26 mijë familje.

“Numri i kërkesave dhe numri i familjeve që shfrytëzojnë ndihmë sociale që nga muaji shkurt 2015 e deri tani  numri i familjeve në ndihmë sillet prej 25.000 e deri në 26.000 familje”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e tyre.

E numri më i madh i kërkesave për social janë nga Komuna e Mitrovicës, Prishtinës e kështu me radhë.

Se gjendja ekonomike-sociale nuk është e mirë e thonë edhe njohës të çështjeve ekonomike.

Lulëzim Beqiri thotë se Kosova ka strategji të gabuar lidhur me skemat sociale, ku dëshmohet edhe numri i lartë i familjeve që janë në kufirin e varfërisë ekstreme.

Beqiri thotë se është shumë e mundur që në vitin 2019 shpenzimet për skemën sociale do të arrijnë shumën e mbi 430 milionë eurove.

 “Sipas një dokumenti nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i quajtur “Rregullimi dhe Menaxhimi i Fushës së Pensioneve dhe Beneficioneve nga Sigurimi Social”, skemat sociale për vitin 2018 do të kushtojnë rreth 380 milionë euro. Kur kemi parasysh se disa ligje për skema të reja janë në procedurë të miratimit, disa të tjera po presin për t’u proceduar dhe duke llogaritur shtimin natyror të përfituesve, është shumë e mundur që në vitin 2019 shpenzimet të arrijnë shumën e mbi 430 milionë eurove thuhet në këtë raport. Sipas ASK-së në vitin 2017 skemat pensionale janë: 122,716 përfitues me pensione bazike të moshës, prej tyre 43,300 përfitues me pensione kontribut pagues të moshës; 19,481 përfitues me pensione për personat me aftësi të kufizuara; 12,472 përfitues me pensione për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës; 36,032 përfitues me pensione për veteranët e luftës; 3,232 përfitues me pensione të Trepçës; 1,001 përfitues me pensione të Trupave Mbrojtëse të Kosovës; 288 përfitues me pensione për Forcat e Sigurisë së Kosovës; dhe 2,001 përfitues me kompensime për personat e verbër”, ka thënë Beqiri.

Ai ka thënë se kjo mënyrë e skemës sociale është strategji e gabuar dhe se duhet një tjetër që të ulët numri i rasteve të tilla që mbahen me social.

”Shumë familje kosovare janë në kufirin e varfërisë ekstreme. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale këtë vit janë 25 mijë e 250 familje që janë pjesë në Skemën e Ndihmës Sociale (SNS). Pra mendoj se kjo tregon strategjinë e gabuar të qeverisë lidhur me skemat sociale, andaj mendoj se duhet një strategji tjetër e zhvillimit ekonomik në mënyrë që të ulet numri i rasteve sociale”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjën e tij.

Në anën tjetër, sociologu Leutrim Sahiti ka thënë se numri i madh i familjeve që marrin asistencë sociale është tregues i nivelit të lartë të papunësisë në Kosovë.

“Kështu këto familje, sipas statistikave zyrtare nuk kanë arritur të dalin nga gjendja e tyre ekonomike dhe çdo vit kanë qenë ngarkesë edhe për buxhetin e Kosovës. Numri i madh i familjeve që marrin asistencë sociale është indikator i nivelit të lartë të papunësisë në vend. Asistenca sociale është dashur të orientohej në përkrahjen e familjeve që ata pas një kohe të punësohen dhe të arrijnë të bëjnë një jetë aktiv”, ka thënë Sahiti.

Tutje, sociologu Sahiti ka shtuar se politikat e asistencës sociale kanë lënë shumë persona të aftë për punë në pasivitet.

Ndërsa, ka theksuar se shoqëria dhe bizneset duhet t’i luftojnë paragjykimet dhe të pranojnë në punë edhe personat me aftësi të kufizuar.

“Politikat e asistencës sociale, shumë familje dhe persona të aftë për punë i ka lënë në pasivitet të vazhdueshëm. Familjet me ndihmë sociale, duke përjashtuar ato që nuk kanë anëtarë të aftë për punë, është dashur të përkrahen më shumë në punësim, dhe forma tjera të trajnimit, në mënyrë që ata të gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre. Kështu do të ruhej edhe dinjiteti i tyre dhe ato nuk do të ndjenin vetën barrë për shtetin. Në fund edhe shoqëria, bizneset private duhet t’i luftojnë paragjykimet dhe të pranojnë në punë edhe personat me aftësi të kufizuara e kështu, ata që munden dhe dëshirojnë të punësohen të arrijnë të largohen nga asistenca sociale”, ka thënë mes të tjerash Sahiti.

Ndryshe, në vitin 2017 kanë qenë 26 mijë e 375 familje përfituese të socialit, ndërsa nnë vitin 2016 26  mijë e 302 familje.

Ndërsa në vitin 2010 kanë qenë mbi 36 familje me ndihmë sociale.

Sipas akteve ligjore dhe nënligjore, për të realizuar të drejtën në ndihmë sociale, të gjithë anëtarët e familjes duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, përjashtimisht edhe shtetasit e huaj të cilët:

a) kanë leje qëndrimi,

b) personat në cilësinë e azilkërkuesit,

c) personat në cilësinë e refugjatit dhe

d) personat të cilët gëzojnë mbrojtje të përkohshme dhe plotësuese

Përveç këtyre kritereve bazë,  familjet (të dy kategorive I dhe II) për të përfituar ndihmën sociale, nuk duhet të kenë në pronësi më shumë 0.5 hektarë tokë, të hyra financiare dhe të mira materiale të llogaritshme, ashtu siç është e përcaktuar me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë Skemën e Ndihmës Sociale.

Republika e Kosovës aktualisht ka rreth 431 ligje në fuqi, 34 ligje janë nga fusha e punësimit dhe mirëqenies sociale ndërsa nga 1,986 akte nënligjore, 139 zbatohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat