20 heronjtë e Policisë së Kosovës

Aktuale

20 heronjtë e Policisë së Kosovës

Më: 2 janar 2019 Në ora: 22:01
Ilustrim

Rasti i vrasjes së policit Izet Demaj, qoi në 20 numrin e policëve të cilët kanë vdekur në uniformën e Policisë së Kosovës.

Nga 20 policët e rënë në detyrë që nga themelimi i Policisë së Kosovës,  disa prej tyre  kanë mbetur të vrarë, disa kanë humbur jetën në aksidente trafiku, e disa nga vdekja natyrale.

E nga këto raste, ka ende raste të vrasjeve të zyrtarëve policor të cilat nuk janë zbardhur ende.

Vrasja e parë e një zyrtari të Policisë së Kosovës u shënuar 17 vite më parë.

Polici Lazim Rexhepi, nga fshati Novosellë e Komunës së Kamenicës ishte polici i parë i cili vdiq në detyrë si pjesëtar i Policisë së Kosovës. Rexhepi vdiq më 11 shtator të vitit 2001.

Numri i zyrtarëve të Policisë së Kosovës të cilët ranë në detyrë, u shtuar gjatë vitit 2003, pasi që vetëm gjatë këtij viti vdiqën katër zyrtarë të Policisë së Kosovës, njëra prej tyre grua.

Danush Hasani, nga Brodi i Ferizajt, ishte polici i parë i cili ka rënë në detyrë gjatë vitit 2003. Hasani kishte vdekur më 21 gusht të vitit 2003.

Në po të njëjtin vit, Policia e Kosovës ka humbur edhe një tjetër zyrtarë policor. Me 6 shtator të vitit 2003, polici Hajdar Ahmeti, derisa po kthehej nga puna, është vrarë në afërsi të fshatit të tij të lindjes, në Berjah të Gjakovës.

Me 24 nëntor të vitit 2003 ndodhi një atentat mbi dy zyrtarët policor, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj.

Për vrasjen e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Sabahate Tolajt nga fshati Pobergjan i Deçanit dhe  Isuf Haklajt nga fshati Isniq i Deçanit, me 27 vjet burgim është dënuar Bedri Krasniqi.

Sabahate Tolaj kishte vdekur të nesërmen, ndërsa Isuf Haklaj katër ditë me vonë pas sulmit ndaj tyre.

Vrasjen e së bijës dhe të kolegut të saj, babai i Sebahates, Demë Tolaj e kishte ndërlidhur me hetimet që po i zhvillonin rreth tri rasteve të vrasjeve që kishin ndodhur pas përfundimit të luftës në rajonin e Dukagjinit.

Sipas tij, ata ishin shumë afër që të zbulonin autorët.

“Për zbulimin e vrasjeve të përparshme, vrasjes së Tahir Zemës, Smajl Hajdarit edhe Hajdar Ahmetit. Për kurrfarë arsye tjetër nuk është vra(Sebahate Tolaj), vetëm për zbardhjen e këtyre vrasjeve të mëparshme”, kishte thënë Tolaj për KALLXO.com.

Gjatë vitit 2004, Policia e Kosovës humbi tre zyrtar policor, dy prej të cilëve ishin nga Komuna e Vushtrrisë.

Arsim Rrustolli nga fshati Dumnicë e Vushtrrisë u vra më 23 mars të vitit 2004.

Grupin i cili derivoi nga UÇK-ja i cili mbahet përgjegjës për një varg ngjarjesh, mbahet përgjegjës edhe për vrasjen e dy policëve në ngjarjet e marsit, njëri nga ta Arsim Rrustolli.

Grupi prej shtatë apo tetë personash besohet të jenë përgjegjës për sulmin ndaj një makine të policisë së UNMIK-ut derisa po udhëtonin tre shtetas të Kosovës dhe një ndërkombëtar.

“Më 23 mars 2014 pjesëtarët e grupit ishin në fshatin Shtedime të Podujevës, ku Agron Sylejmani (tani i ndjerë) bëri planin për të zënë në pritë një veturë të UNMIK-ut”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

106 fishekë të tjerë ishin shkrepur në makinën e UNMIK-ut, disa prej tyre goditën për vdekje policin Possible Kojo Essuman, polic i UNMIK-ut dhe Arsim Rrustolli, pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Gjatë përleshjes, njëri nga policët kishte shtënë me armë duke goditur Agron Sylejmanin, i cili kishte ndërruar jetë gjatë arratisjes nga vendi i ngjarjes.

Në po të njëjtin vit u vra edhe Ilir Llapatinca nga fshati Terrnje e Suharekës. Llapatnica ka rënë në detyrë më 13 maj të vitit 2004.

Në fund të vitit 2004 ishte polici Driton Mehana, polici i dytë që ra në detyrë.

Driton Mehana nga fshati Liqej i Vushtrrisë ka rënë në detyrë si pjesëtar i Policisë së Kosovës më 25 dhjetor të vitit 2004.

Dy vite pas vrasjes së policit Driton Mehana, në detyrë ka rënë edhe një pjesëtar tjetër i Policisë së Kosovës nga rajoni i Mitrovicës.

Abedin Mustafa, nga Komuna  Mitrovicës ishte pjesëtari i Policisë së Kosovës i cili ka rënë në detyrë më 19 shtator të vitit 2006.

Një vit pas, në listën e policëve të rënë në detyrë u shtua edhe polici i tretë i rënë në detyrë nga Komuna e Vushtrrisë.

Më 3 janar të vitit 2007, në detyrë ka rënë edhe pjesëtari i Policisë së Kosovës, Avni Kasumi nga fshati Skoqne e Vushtrrisë.

Pasditen e 30 gushtit të vitit  2007 në një lagje të Prishtinës u qëllua për vdekje Triumf Riza, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Kur ka kaluar më shumë se një dekadë nga kryerja e kësaj vrasje, një proces gjyqësor ka përfunduar me vendim të formës së prerë me 35 vjet burgim ndaj të akuzuarit se shtiu në Rizën, Arben Berisha, ndërsa një proces tjetër gjyqësor ndaj atij që akuzohet se e nxiti vrasjen, Enver Sekiraqa ende është duke vazhduar.

Katër vite pas vrasjes së Triumf Rizës, një zyrtare tjetër e policisë u shtua në listën e Policëve të Kosovës të cilët ranë në detyrë.

Slavisa Milovanoviç ra në detyrë si pjesëtarë e Policisë së Kosovës me 15 korrik të vitit 2011 në Mitrovicë.

Në po të njëjtin vit, më datë 26 gusht ra në detyrë pjesëtari i Policisë së Kosovës Misin Krasniqi, nga fshati Negroc i Drenasit.

Enver Zymberi u bë polici i katërt nga rajoni i Vushtrrisë i cili ra në krye të detyrës.

Zymberi, pjesëtar i Njësisë Speciale në Policinë e Kosovës ishte vrarë më 25 korrik 2011 gjatë aksionit të njësive speciale për vënien e rendit dhe kushtetutshmërisë në veri të Kosovës.

Babai i tre fëmijëve, polici Enver Zymberi kishte ndërruar jetë pak orë pasi ishte plagosur. Ai është shpallur hero i Kosovës.

Më 20 prill të vitit 2015, në gjykatë, në veri të Mitrovicës janë shpallur të pafajshëm Radovan Radiq dhe Millovan Vllaskoviq, të akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e policit Enver Zymberi.

Dy persona tjerë po për këtë vrasje janë duke u kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, pasi ende ndodhen në arrati.

Në një aksident trafiku humbi jetën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Jahi Maliqi nga Kamenica. Maliqi vdiq më 15 prill të vitit 2014 në një aksident trafiku në rrugën Kamenicë- Strezovc.

Maliqi u godit nga një veturë, shoferi i së cilës ishte nën ndikimin e alkoolit.

Një vit pas, edhe një zyrtar tjetër i Policisë së Kosovës humbi jetën si pasojë e një aksidenti trafiku.

Nebih Ramadani nga fshati Gaçkë e Ferizajt, me 3 mars të vitit 2015 ishte goditur nga një veturë, teksa ishte duke ecur në rrugën që dërgon drejtë Kaçanikut.

Shemsi Gashi, nga fshati Matiqan i Prishtinës është vrarë më 23 mars të vitit 2015 në lagjen ‘Mati’ në Prishtinë. Për vrasjen e eprorit policor të krimeve ekonomike Shemsi Gashi, Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzoi tetë persona.

Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së policit Shemsi Gashi, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

I akuzuari Vesel Gjinovci është dënuar me 9 vjet e gjysmë burg nën akuzat për vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje, kurse Kujtim Bejiqi është dënuar me 6 vjet burg; Ramadan Gashi, i akuzuar për shtytje në vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje u dënua me 25 vjet; Mujë Gashi u dënua me 3 vjet burgim për veprën penale armëmbajtje pa leje. Ndërsa u lirua nga akuza për veprën penale shtytje në vrasje të rëndë; Robert Gashit i është rikualifikuar vepra penale nga ndihmë në moslajmërim të veprës penale dhe u dënua me 3 vjet burgim, ndërsa u lirua nga vepra penale armëmbajtje pa leje; Vesel Bunjaku u dënua me 7 vjet e 6 muaj ndërsa Adonis Gashi u dënua me 4 vjet burgim.

Një aksident trafiku në rrugën Kaçanik- Han i Elezit u mori jetën dy zyrtarëve policor Armend Trena dhe Malsor Gashi, nga Komuna e Kaçanikut dhe e Ferizajt.

Përderisa kishin kryer një detyrë e cila u ishte caktuar, në të kthyer, dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga rajoni i Ferizajt, Armend Trena dhe Malsor Dashi, u aksidentuan në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit dhe ranë në ujërat e lumit Lepenc.

Kërkimet për dy policët e rënë në lumen Lepenc vazhduan për dhjetë ditë radhazi.

Pas pesë ditësh kërkim, ishte gjetur trupi i policit Malsor Dashi, rreth 5 kilometra nga vendi ku kishte ndodhur aksidenti. Në ditën e dhjetë të kërkimeve, përderisa po vendosej rrjeta e re në urën në fshatin Seçishtë, një kilometër më tutje nga ku u gjet trupi i Malsor Dashit, u gjet edhe trupi i policit të dytë, Armend Trenës.

Izet Demaj është pjesëtari i fundit i Policisë së Kosovës i cili ra në detyrë. Demaj u vra më 27 dhjetor të vitit 2018, gjatë një grabitjeje të armatosur e cila ndodhi në Istog.

Në përpjekje për t’i arrestuar hajdutët, në mbrojtje të qytetarëve dhe të të punësuarve që u morën peng në një filiale të bankës NLB në Istog, pas plagëve nga armë zjarrit vdiq Izet Demaj, polic i Policisë së Kosovës me ç’rast u vra edhe grabitësi i bankës.

Asnjëri nga këta pjesëtar të Policisë së Kosovës të cilët ranë në detyrë, nuk kishte sigurim jetësor.

E kryeministri i vendit, Ramush Haradinajt vetëm pas vrasjes së fundit të policit Izet Demaj, doli të premtoj se do të mundohet të bëjë sigurimin shëndetësor për Policinë e Kosovës.

Një ditë pas vrasjes së Demajt, Haradinaj u ka premtuar kolegëve të tij (policit tashmë të ndjerë Izet Demaj) se në ditët e para të janarit do të fillojnë të procedojnë për t`iu dhënë sigurim jetësor policëve që humbin jetë në detyrë.

“Po, kemi punuar, ligjet janë avancuar, unë mendoj që në ditë të para të Janarit do të filloj me i proceduar këto ligje një nga një. E rëndësishme është që ka një kohë që kemi ndryshuar qasjen ndaj Policisë, pra ju kemi dhënë përkrahje e nevojshme dhe besoj që kjo përkrahje do të rritet edhe mora premtim nga ministri, drejtori dhe koleg të tjerë që do te jenë në nivel të detyrës”, ka thënë Haradinaj./Kallxo/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat