Gati një muaj prej arratisjes nga Specialja, asnjë gjurmë nga “Molla e kuqe”

Aktuale

Gati një muaj prej arratisjes nga Specialja, asnjë gjurmë nga “Molla e kuqe”

Më: 3 janar 2019 Në ora: 13:03
Ftesa për intervistim që i erdhi nga Gjykata Speciale e detyroi ish-pjesëtarin e UÇK-së, Remzi Shala, të arratiset nga Kosova.

Ftesa për intervistim që i erdhi nga Gjykata Speciale e detyroi ish-pjesëtarin e UÇK-së, Remzi Shala, të arratiset nga Kosova.

I njëjti, duke refuzuar t’i përgjigjet ftesës së Dhomave të Specializuara të Prokurorisë për intervistim, u largua në drejtim të panjohur.

Miq të tij, thonë se Shala tanimë ndodhet jashtë Kosovës, ndonëse një informacion i tillë nuk është i konfirmuar zyrtarisht.

Mirëpo, tanimë kur janë bërë gati një muaj që kur Shala doli nga shtëpia e tij, askush nuk di asgjë se ku është vendndodhja e tij.

Avokati i Shalës, Natal Bullakaj, tha sot se ka komunikuar me të afërm të Remziut, mirëpo se askush nuk është në dijeni për vendndodhjen e tij.

“Deri më tani nuk kemi ndonjë informacion për vendin se ku është. Kam kontaktuar edhe me djalin e vëllait të tij, mirëpo as ai nuk është në dijeni”, ka thënë Bullakaj.

Remzi Shala, i cili më 12 dhjetor të vitit që lamë pas u raportua se doli nga shtëpia e tij, duke refuzuar t’i përgjigjet ftesës së Speciales, nuk i informoi as shokët e tij të luftës se ku është duke shkuar.

Të njëjtit, thanë se e vetmja gjë që e dinë është se Shala ka dalë jashtë Kosovës, mirëpo se nuk dihet në cilin vend.

“Molla e Kuqe”, ashtu siç e kishte pseudonimin në luftë Remzi Shala, para largimit, kishte thënë se është krenar për luftën e bërë, dhe se nuk do t’i përgjigjet gjykatës së votuar nga deputetët e Kosovës.

Nga njohës të çështjeve ligjore është thënë se kjo mund të shërbejë si precedent për rastet e reja kur Dhomat e Specializuara të Prokurorisë mund të mbajnë në paraburgim të dyshuarit e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat