Kolonelët Tahir Zemaj e Ahmet Krasniqi ishin përbetuar se s'do të ketë plumba për shqiptarë dhe për civil kundërshtarë

Aktuale

Kolonelët Tahir Zemaj e Ahmet Krasniqi ishin përbetuar se s'do të ketë plumba për shqiptarë dhe për civil kundërshtarë

Major Nazif Ramabaja Nga Major Nazif Ramabaja Më 4 janar 2019 Në ora: 13:21
Tahir Zemaj dhe Ahmet Krasniqi

Kaluan njëzet vite të njohjes me ty o i madhi kolonel Tahir Zemaj, edhe pse kohë e gjatë ende më janë të freskëta kujtimet, veprimet, bisedat po edhe shakatë e tuaja të cilat ngitnin moralin dhe shtonin disponimin për aksionet e radhës e të cilat nuk ishin të pakta, në vete përmbanin një disponim të jashtëzakonshëm, të cilat rezultonin të suksesshme me fitoren e forcave tona, ndërsa kundërshtarit i fuste frikën në palcë duke u larguar të mposhtur,  e të dezorientuar por edhe të poshtëruar.

Komandant ishe oficer i karrierës me aftësi të veçanta, veprime të shpejta dhe energjike të cilat karakterizoheshin me nxjerrjen e urdhrave operacionale për intervenime në mbrojtje të popullatës civile dhe infrastrukturës ushtarake në kohë dhe hapësirë, ndërsa në raste të veçanta dhe vendimtare, nuk hezitove duke qenë pjesëmarrës i drejtë për së drejti në Betejën e Loxhës dhe jo vetëm këtu, por ju ishit udhëheqës në mbrojtjen e Llukës, Strellcit, Lugut të Baranit e shumë aksione tjera të cilat i ndërmore dhe i udhëhoqe, pra ishe në vijën e parë të frontit.

Përgatitja e juaj ushtarake, profesionale dhe kombëtare, s´iu lejonte të zmbrapseni, por në çdo rast dhe moment me gjakftohtësi arrije t'i neutralizoje veprimet e armikut, kundërshtarëve dhe grupeve të komandantëve të vet shpallur, të cilët fshiheshin pas "nofkave" dhe s'kishin guximin të prezantoheshin me emër e mbiemër të vërtetë.

Komandant, e di se nuk ua kishe frikën askujt, sepse ishe i përkushtuar në rrugën çlirimtare duke i respektuar dhe mbështetur pa rezervë institucionet e Republikës së Kosovës të dala pas Deklaratës së 2 korrikut 1990, Kushtetutës së 7 shtatorit dhe akteve përcjellëse siç ishin referendumi dhe ligji i mbrojtjes i nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, e në këtë vijë institucionale, njohëm për Komandant Suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës arkitektin e pavarësisë së Kosovës , presidentin historik Dr. Ibrahim Rugovën.

Respektove me përpikmëri urdhrat e nxjerra nga Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës Kolonel Ahmet Krasniqi, pas dhënies së betimit të Njësive Operative  të Brigadave 131,133 dhe 134 në Papaj të Tropojës më 21 qershor 1998, marshin e këtyre njësive operative, vendosjen e tyre në Rrafshin e Dukagjinit, gjegjësisht në Prapaçan, Baran dhe Bardhaniq, urdhër i cili u respektua decidivisht dhe realizua sipas planit operacional të Kolonel Krasniqit, Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

Kolonel Tahir Zemaj ishte amortizues i mirë i përpjekjeve destruktive të "Qorrit"harkut i cili pengonte marshimin e njësive operative pas dhënies së betimit për të vazhduar dislokimin në tri faza për në destinacion, edhe pse kishim plan të fillojmë marshin më 21 qershor për shkak të sjelljeve destruktive të këtyre personave me "nofka" dhe kërcënimeve për një sulm të mundshëm, e shtymë marshimin për dy ditë duke ua bërë me dije personalisht nga Komandanti Tahir Zemaj se marshi do të realizohet sipas urdhrit operacional të Ministrit Krasniqi dhe në rast të pengesave do të detyrohemi të reflektojmë dhe veprojmë ushtarakisht.

Jo rastësisht  ishte bëre caktimi i njësitit vëzhgues të terrenit duke e vendosur në krye të këtij njësiti, kë tjetër përveç komandantit dhe pjesëmarrësit të grupeve të para guerile nga viti 1991, atdhetarin e vendosur Sali Çekajn, i cili së bashku me Sebahate Tolajn dhe pjesëtarët të tjerë të këtij njësiti Xaj Qelajn, deri sa Fadil Haderxhonaj marshonte me një grup për siguri përpara për ta siguruar terrenin si pararoje e marshit.

Grupi i Sali Çekajt me përpikshmëri dhe siguri të lartë, mundësuan që marshimi të realizoi fazën e parë, arritjen në Gjocaj dhe Jasiq edhe pse në zonën kufitare patëm pengesa nga disa individë të cilët shtinë me armë zjarri në momentin që kolona kalonte Piramidën C2, por që i lokalizuam me shpejtësi dhe kërkuam të na tregojnë se ushtar të kujt ishin, ndërsa deklarimi i tyre ishte se janë të "Magjupit dhe të Togerit". Ishte hera e parë që dëgjonim për këto "nofka".

Komandat Tahir, e mbajë ende në kujtesë insistimin tuaj dhe timin që t'i mësonim emrat e këtyre "komandantëve", por pa sukses, pasi ushtarët këmbëngulnin se nuk ua dinin emrat e vërtetë përveç "nofkave"  të cilat na i kishin shqiptuar, duke na thëne se ata s´ua tregojnë emrin asnjë ushtari, kjo ishte befasia e parë e marshit.

Befasia e dytë ishte ajo se pak para hyrjes në fshatin Jasiq më 25 qershor në orët e hershme të mëngjesit, ka pas të shtëna me armë zjarri ''Kallashnikov'' mbi kokat tona edhe kësaj here nga persona të papërgjegjshëm të cilët i takonin këtyre ''komandantëve'' të lartë përmendur dhe jo vetëm. Kjo befasia e radhës ishte kur komandanti Tahir Zemaj, duke i dhënë edhe "ultimatumin" që të kthehemi andej nga kemi ardhur, sepse sipas tyre ata gjoja nuk e dinin  se kush ishim  dhe cilës ushtri i përkisnim, edhe pse ishte bërë e qartë kohë më parë për krerët e UÇK-së për formimin e Shtabit Suprem të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë gjatë bisedimeve dhe marrëveshjes së Oslos më 22-23 maj 1998 në Oslo të Norvegjisë.

Pengesat e shkaktuara menjëherë pas dhënies së betimit e deri të përfundimi i fazës së parë, stacionimin në Jasiq pamundësoi pjesëmarrjen e Kolonelit në takimin me Hollbrukun në Junik në të cilin takim si përfaqësues i krahut ushtarak ishte i ndjeri Fehmi Agani, i dërguari i posaçëm i presidentit Rugova. Të saktësojmë se Fehmi Agani ishte përgjegjës për çështje ushtarake pran presidentit Rugova.

Komandanti Tahir Zemaj me vendosmëri, por edhe me diplomaci të shkathtë evitoi konfliktin, duke u'a bërë me dije se ne do të vazhdojmë me fazën e dytë të marshimit të njësiteve operative në drejtim të fshatit Isniq dhe çdo pengesë gjatë këtij marshimi do të evitohet energjikisht dhe do jemi të detyruar të intervenojmë ushtarakisht. Për këtë paralajmërim, Koloneli caktoi tre persona si: Agim Ramadanin, Fadil Haderxhonajn dhe Nazif Ramabajën për të shkuar në Junik dhe për t'ua bërë me dije personave përgjegjës të Ramush Haradinajt siç ishte "Gjeneral" Sali Veseli, qëllimin e marshit pa pengesa dhe si do  të vepronim nëse na pengohet dhe pamundësohet vazhdimi i marshimit deri në Isniq.

Sali Çekaj dhe Sebahate  Tolaj kishin bërë përgatitjet e nevojshme për pranimin e njësiteve operative në fshatin Isniq dhe kishin sensibilizuar popullatën e asaj treve për arritjen e njësiteve operative të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës me kuadër profesional, ushtarak të karrierës të cilët ishin të rreshtuar institucionalisht dhe jo provincialisht.

Me arritjen e njësiteve operative në Isniq më 1 korrik ndihmesë të veçantë dhanë Rexhë Osaj dhe Idriz Ukhaxhaj në transportimin e ushtarëve me mjete transportuese-kamion Tam-500, ndërsa me urdhër të Kolonelit Tahir Zemaj caktohen personat përgjegjës për mobilizimin e ushtarëve për festimin e 2 Korrikut, Deklaratën e Pavarësisë. Komunikimin me shtabet rajonale të fshatrave, shpjegimin e qëllimit të arritjes së njësiteve operative së bashku me 23 epror ushtarak të karrierës për riorganizimin dhe ristrukturimin e grupeve të armatosura të UÇK-së, aftësimin e tyre dhe përgatitjen në mënyrë që tash e tutje të kalohet në ofenzivë për sulme të organizuara ushtarake, për dobësimin dhe asgjësimin e njësiteve ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbe.

Me kërkesën e komandantit të fshatit Loxhë për t'i dalë në ndihmë komandanti Zemaj në shpejtësi si rrufeja, sepse vet ishte i tillë, i shpejtë dhe i shkathët, cakton eprorët Nazif Ramabajën-komandant njësiti, Faruk Xhemajlin dhe Esat Ademaj për intervenim në Loxhë, ndërsa pas mbarimit të fazës së parë të largimit të forcave serbe nga qendra e Loxhës dhe nevojës për ndihmë personalisht zbarkon në Loxhë komandanti Tahir Zemaj me Sali Çekajn, Rrustem Bruqin, Ilmi Surdullin, Fadil Hadergjonajn, Shaban Dragajn, Farush Thaçin, Bajram Stojkajn dhe më se 150 ushtarë, ku nga momenti i arritjes personalisht merr komandën e zhvillimit të operacioneve të cilën komandë e kisha unë para ardhjes së Komandantit Tahir Zemaj.

Beteja u fitua, ndërsa ne kishim tre të vrarë në fushën e nderit: Rrustem Bruqin, Lumni Surdullin dhe Enver Alajn dhe disa të plagosur si: Faruk Xhemajli, Sinan Shala, Imer Elezajn, ndërsa armiku i hutuar dhe turpëruar pësoi goditjen më të rëndë që nga fillimi i luftës dhe humbje të mëdha si në njerëz ashtu edhe në teknikë ushtarake, bilanci ishte 1:10 në favor të forcave tona.

Pas Betejës së Loxhën dhe ngritjes së moralit luftarak si të ushtarët e njësiteve operative ashtu edhe tek shtabet e fshatrave lokale dhe popullatës në përgjithësi, me urdhër të komandantit Tahir Zemaj përfundon faza e tretë e dislokimit të njësiteve operative Brigada 134 stacionohet në shkollën e Prapaqanit, Brigada 131-të në shkollën e Baranit dhe Brigada 133-të në shkollën e Bardhaniqit. Me këtë zbatohet urdhri në përpikshmëri i kolonel Ahmet Krasniqit sipas planit ushtarak vendvendosja  dhe operimi i këtyre njësiteve në zonat përgjegjëse sipas planit të veprimit.

Përcaktimi i kolonel Tahir Zemajt, për unifikimin e faktorit ushtarak në Rrafshin e Dukagjinit ishte determinues edhe për zonat e tjera, sepse ky planifikonte dhe përgatiti në detaje planin për formimin e Korp Armatës me formimin e Brigadës së 4-të në regjionin e fshatrave të Rekë së Keqe me njësitet operative të UÇK-së nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes, bëheshin faktor i rëndësishëm në sytë e ndërkombëtarëve,të cilat gradualisht do të diktonin zhvillimin e operacioneve luftarake në teren, me theks të veçantë në mbrojtjen e popullatës civile dhe mos përhapjes dhe përshkallëzimin e luftës në qytete, vende të dendura me qytetarë të pa mbrojtur.

Figura e Kolonel Tahir Zemajt është shumë-dimenzionale, emblematike e një rëndësie të veçantë, posaçërisht kur bëhet fjalë për afrimin e  kuadrit ushtarak dhe unifikimin në një komandë të vetme të Shtabit Suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Për këtë ka merita të pa zëvendësueshme e posaçërisht për parandalimin e konflikteve vëllavrasëse sipas urdhrit të posaçëm të Kolonel Ahmet Krasniqit: "Në asnjë mënyrë nuk guxoni të vijë deri te vëllavrasja, kjo të evitohet me çdo kusht, sepse ne s`kemi plumba për shqiptarë dhe civil kundërshtar", ishin fjalët e ministrit Krasniqi.

Ne ishim të vetëdijshëm se një konflikt i tillë i shkonte për shtati armikut dhe se do të mungonte përkrahja e miqve tanë ndërkombëtar, në rend të parë SHBA-së dhe do të evitohej intervenimi i NATO-s pa të cilin intervenim e kishim të vështirë ta largojmë aparatin shtetëror të Millosheviqit dhe ushtrinë serbe nga Kosova, për këtë arsye dhe shumë arsye të tjera ishim të kujdesshëm duke lëshuar pe vetëm e vetëm për ta evituar një konflikti të tillë.

Prandaj koloneli vigjilent nuk u zmbraps as kur i sulmuan bandat e Ramushit në krye me njësitin famëkeq "Shqiponjat e Zeza" të cilin e komandaonte "Togeri" Idriz Balaj, as kur i sulmuan, maltretuan dhe plagosën ushtarët e njësiteve operative të dërguar nga koloneli për furnizim me armatim në Shqipëri të cilët kishin kaluar nëpër Gllogjan të Deçanit, ndalohen nga "Togeri-Idriz Balaj, Smajli- Ramush Haradinaj dhe Davidi-Daut Haradinaj".

Si institucionalist i përbetuar kolonel Zemaj iu përballoi edhe ultimatumeve për largimin e portretit të Presidentit Rugova në shtabin e Brigadës 134-të në Prapaqan ultimatum, i cili erdhi nga Hashim thaqi: "Ke 2 minuta afat për ta larguar portretin e Rugovë", por jo që u largua portreti sepse koloneli respektonte hierarkinë shtetërore duke e njohur presidentin Rugova komandant suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Në shenjë proteste Thaçi ndërron vend bisedimin duke aluduar do shkojmë në një vend tjetër ku s`ka foto të Rugovës përzgjedhja ishte salla operative e shtabit të Brigadës.

Kolonelin deshën ta likuidonin në luftë, por që Njësiti për Zbulim dhe Kundërzbulim i Brigadës 131-të në Baran, me kohë e zbuloi përgatitjen e atentatit, morëm kundërmasa dhe evituam rrezikun fale syqeltësisë dhe punës së këtij njësiti në krye me Sadri Salcën. Në radhët e atyre të cilët kishin përgatitur atentatin, një nga dorasit potencial në mënyrë  (konspirative), alarmon për kurdisje të tillë duke bërë përgjegjës Faton Mehmetajn për organizimin dhe përgatitjen e atentatit.

Marrëveshja e Prapaqanit pas ofenzifës së forcave serbe në verë të 98´ dhe humbjeve të territoreve nga ana e UÇK-së rezultoi me tubimin e mbajtur më 20 gusht 1998 ishte dhe mbeti historike sepse përmbante në vete një pajtim dhe unifikim të grupeve ushtarake të komanduara nga Ramush Haradinaj në njërën anë dhe njësiteve operative të udhëhequra nga kolonel Tahir Zemaj, me këtë marrëveshje në bazë të kërkesave të shtabeve lokale më se 72 fshatra dhe 112 përfaqësues konfirmojnë kolonel Tahir Zemajn komandant të ZORRD, zëvendës Ramush Haradinaj dhe kryeshef shtabi Nazif Ramabaja.

Në prishjen e kësaj marrëveshjes kontribuuan anëtarët e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së: "Gjarpni"-Hashim Thaçi, "Dhetshi"-Rexhep Selimi, Bislim Zyrapi-Rreshteri, "Magjupi"- Lahi Ibrahimaj, "Breshka"-Binak Gashi i ardhur nga shtabi i Sverkes së Gashit me miratimin dhe pëlqimin e Ramushit për ta rikthyer pozitën e komandantit edhe pse vetë ishte pajtuar dhe kishte deklaruar se edhe si ushtar i thjesht do të shkoj pas Tahir Zemajt.

Lëshimi i fletë arrestit nga ana e disa personave siç ishin Selman Lajqi dhe ujkan Nikqi të cilët thirreshin në emer të Ramushit se ai i ka lëshu fletarrestin për kolonel Zemajn dhe tentimin për likuidim, Selmani ishte ai i cili thërriste në telefon satelitor, për këtë ka dijeni Ramiz Muriqi. Këto akte të liga ishin dhe mbeten hije e zezë nga korba të zi të cilët nëpërmes propagandës dhe paragjykimeve, mundoheshin t'i njollosin figurat e shquara ushtarake siç ishte kolonel Tahir  Zemaj me njësitet operative.

Kësi lloj tentimesh pati edhe në Tropojë kur Koloneli u paraqit për ta vazhduar aktivitetin e tij ushtarak dhe luftarak sipas fjalës së dhënë ushtarëve në Rugovë, se do të shihemi dhe do takohemi. Në Papaj, pas konfliktit me Nasim Haradinajn, Koloneli i përbetuar se s'ka plumba për shqiptarë dhe civil kundërshtar tërhiqet në Mamuras dhe formon Brigadën Mërgimi, të cilin emër e mbante Ilir Konushevci, i vrarë në pritë afër Bajram Currit.

Mamurasi dhe Brigada ''Mërgimi'', tuboi ushtar dhe eprorë nga të gjitha viset dhe trevat shqiptare, por edhe këtu pati një tentativë për ta likuiduar  Kolonelin, megjithatë sigurimi i brigadës zbuloi rastin dhe akterët e krimit u kapen të cilët deklaruan se kush i ka dërguar për ta kryer aktin makabër. Ekzistojnë incizimet, por që s'do ta bëj publike emrin e organizatorit për shkak se hetuesia e posedon dhe e ka në arkiv.

Tentim atentatesh dhe likuidimesh ka pas edhe pas luftës, djegien e veturës ''JEP'' para banesës në Prishtinë, pastaj gjuajtjen me armë krahu ''Zola'' në lokalin ''Peja Sity'' çka menjëherë pas këtij rasti e marr në telefon dhe duke qeshur më thotë: "O Nazif Ramabaja kam fat që s'ka qenë ushtar i yni sepse kishte me na shkatërruar në atë objekt të mbyllur, por ja që ka qenë ushtarë i komandantëve të vet shpallur dhe e ka huq cakun"

Për Kolonelin ka edhe shumë e shumë për t'u thënë edhe pas dy dekadave, kësaj radhe po ndalem me këto shpjegime, por që me një apel tek organet tona të drejtësisë, po edhe ato ndërkombëtare që rasti i Kolonel Tahir Zemës, dhe rastet tjera të vrasjeve dhe likuidimeve politike, të zbulohen dhe akterët e këtyre akteve kriminale, si dorasit ashtu edhe urdhërdhënësit t´iu jepet dënimi i merituar sepse vetëm në këtë mënyrë shoqëria jonë do të gjejë forcë për t'u ballafaquar me krimin dhe kriminelët. Në të kundërtën do ketë pasoja të paparashikueshme për brezat e rinj, apo siç thuhet '' për fëmijët e fëmijëve tanë''.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat