Këto janë kërkesat e minatorëve grevistë

Aktuale

Këto janë kërkesat e minatorëve grevistë

Më: 5 janar 2019 Në ora: 09:37
Trepça

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, ka deklaruar se Bordi i “Trepçës” është krejtësisht politik dhe i padijshëm.

Katër kërkesat e grevistëve janë rritja e pagave 20 për qind, ndalimi i punësimit pa konkurs, Bordi të dalë para grevistëve dhe të realizohen kërkesat nga greva e pezulluar.

Minatorët e “Trepçës” kanë vazhduar me grevën edhe të premten, në ditën e dytë kur kanë vendosur të hyjnë në grevë. Ata kanë kërkuar që paga e tyre të rritet për 20 për qind, por kanë edhe kërkesa të tjera, të cilat duhet të realizohet në mënyrë që greva të ndërpritet.

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, i ka thënë “Zërit”, të premten, se minatorët grevistë nuk e kanë as përkrahjen e manxhmentit, përkatësisht të ushtruesit të detyrës së drejtorit Xhevdet Tahiri. Sipas Sadikut, Tahiri ka shkuar të enjten të minatorët, të cilëve u ka kërkuar që t’i kthehen punës, por edhe i ka kërcënuar “në njëfarë forme”. “Ai në një formë edhe na është kërcënuar, duke në thënë se do ta shihni nëse nuk i ktheheni punës. Vetëm dje (e enjte) ka qenë të na, sot jo.

Ndërkaq, askush nga Bordi nuk ka ardhur për të biseduar me ne. Ky bord i ka dy të këqija, më së pari është Bord krejtësisht politik dhe e dyta, janë të padijshëm. Ata nuk kanë lidhje me minierën, me punën e minierës”, ka thënë Sadiku, duke shtuar se është formuar Këshilli Grevist i cili merr hapat e mëtutjeshëm. Sipas tij, greva do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat e minatorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat