Thaçi e Hoxhaj i reagojnë Lajçakut që doli kundër idesë së shkëmbimit të territoreve

Aktuale

Thaçi e Hoxhaj i reagojnë Lajçakut që doli kundër idesë së shkëmbimit të territoreve

Më: 5 janar 2019 Në ora: 17:04
Hashim Thaçi dhe Mirsollav Lajçak

Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Mirsollav Lajçak, është shprehur kundër idesë së shfaqur për shkëmbim të territoreve si zgjidhje e mundshme e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, Lajçak ka thënë me bindje të plotë se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin e Kosovës.

“Sllovakia nuk e mbështetë idenë e shkëmbimit të territoreve dhe shënimit të vijave kufitare përgjatë vijave etnike. Besojmë se një koncept i tillë nuk ishte real dje, sot duket se është, por nesër sërish nuk do të jetë”, ka thënë ministri sllovak.

Por, ndaj këtyre deklaratave kanë reaguar liderë institucionalë të Kosovës. I pari ishte zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, e pas tij edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Hoxhaj, në një postim në Twitter, iu drejtua Lajçakut duke thënë se opinioni i Sllovakisë për Kosovën dhe rajonin do të ishte shumë më kredibil nëse ky shtet do ta kishte mbështetur propozimin e OKB-së për pavarësi dhe ta kishte njohur Kosovën siç bënë 23 shtetet tjera anëtare të BE-së.

Në vend se të predikojë, Hoxhaj tha se Sllovakia duhet të bëhet shembull me veprimet e veta.

Image

“Miku im i dashur Mirosllav Lajçak, imagjino sa më shumë kredibilitet do të kishte opinion i Sllovakisë për Kosovën dhe për rajonin nëse shteti juaj do ta kishte mbështetur propozimin e Kombeve të Bashkuara për pavarësi dhe ta kishte njohur pavarësinë e Kosovës siç bënë edhe 23 shtete tjera anëtare të OKB-së”, ka shkruar Hoxhaj.

Ndërkaq, i ashpër në deklarim ishte edhe presidenti Thaçi, i cili vet e ka propozuar idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Image

“I dashur ish-kolegu im Mirosllav Lajçak, ndihmo që Sllovakia ta njohë Kosovën së pari – ose së paku si kryesues i OSBE-së, na lejo të kemi zë në OSBE në Vjenë – para se të jepni këshillë kaq bujare për Kosovën. Pavarësia jonë, ushtria jonë dhe barazia jonë në Evropë janë të panegociueshme”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat