Rektorët që mbajnë edhe pozitën e profesorit

Aktuale

Rektorët që mbajnë edhe pozitën e profesorit

Më: 5 janar 2019 Në ora: 22:39

Derisa papunësia vazhdon të jetë shqetësuese dhe një numër i madh i të kualifikuarve për mësimdhënie vazhdojnë të jenë të papunë, rektorët e universiteteve publike të Kosovës sigurojnë të ardhura edhe nga puna e profesorit.

Media ka bërë një përmbledhje të rektorëve, që përveç kësaj pozite, mbajnë edhe atë të profesorit universitar.

Rektori i Universitetit  të Prishtinës “Hasan Prishtina” Marjan Demaj punon edhe si profesor i lëndës “Matematikë për biznes dhe ekonomiks”, në universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”. Këto të dhëna Demaj i bërë publike në deklarimin e pasurisë tek Agjencia Kundër Korrupsionit.

Rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Fadil Millaku përveç punës si rektor, punon edhe profesor në universitetin “Hasan Prishtina”.

Disa lëndë në këtë universitet i ligjëron edhe Bajram Kosumi, rektor në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, përcjell KosovaPress.

Edhe rektori i universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ramë Vataj,  përveç si rektor e zhvillon karrierën edhe si profesor në UP. Kështu të paktën shihet në deklarimin e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Shaban Buza, rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, paguhet edhe për punën si profesor në Universitetin e Prishtinës” Hasan Prishtina”.

Për dallim nga të lartcekurit, në bazë të deklarimeve në AKK vërehet se ka edhe nga ata rektorë që të ardhurat i sigurojnë vetëm nga kjo pozitë.

Të tillë janë rektori i Universitetit të Shkencave Teknik të Aplikuara në Ferizaj,  Agron Bajraktari dhe rektori i universitetit të Mitrovicës, “Isa Boletini”, Alush Musaj.

Në bazë të deklarimeve të pasurisë, rektorët e universiteteve marrin mëditje edhe nga programe të ndryshme si ERASMUS +, gjithashtu edhe mëditje të tjera nga udhëtimet jashtë vendit.

Ditë më parë gjatë mbajtjes së “Javës Kundër Korrupsionit”,  KIPRED ka bërë të ditur se janë analizuar të dhënat për 656 zyrtarë publik, prej tyre 60 zyrtarë kanë nga dy pozita, 10 zyrtarë kanë nga tri pozita si dhe 5 zyrtarë kanë nga katër pozita. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat