Nënkryetari i PDK-së: LDK për asgjë s’ka mendim të prerë

Aktuale

Nënkryetari i PDK-së: LDK për asgjë s’ka mendim të prerë

Më: 6 janar 2019 Në ora: 16:01
Enver Hoxhaj

Zëvendësi i Kadri Veselit, Enver Hoxhaj ka lëshuar akuzën më të rëndë në drejtim të Partisë së Isa Mustafës. Ka thënë se LDK s’ka mendim të prerë për asgjë.

Ky reagim i Hoxhajt ka ardhur pas deklarimeve të zyrtarëve të LDK’së se nuk bëhen pjesë e dialogut dhe në të njëjtën kohë dialogu s’mund të fillojë e përfundojë pa Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

“Por duket që problemi është diku tjetër - nuk ka një mendim të prerë dhe të vendosur për asgjë”, ka thënë Hoxhaj.

Sikurse Dardan Gashi edhe Hoxhaj ka thënë se LDK më shumë po sillet si Vetëvendosje se sa si teashëgimtare e Ibrahim Rugovës.

“E mbi të gjitha kjo parti herë synon të thirret në trashëgiminë e saj rugoviane e herë të sillet si ekstreme duke i ngjarë VV-së”, ka shtuar ai.

Të shtunë, për Gazetën Express, Zëvendësi i Ramush Haradinajt në Qeveri, Dardan Gashi, e ka dhënë një shpjegim se pse Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova po refuzon të bëhet pjesë e dialogut përfundimtar me Serbinë. Po thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës po vepron siç po merr instrukcione prej Albin Kurtit.
Madje, ish-zyrtari i LDK’së ka deklaruar se Partia e Isa Mustafës është bërë Degë e Vetëvendosjes.

Dardan Gashi ka vlerësuar se disa eksponentë – sidomos gjenerata e re e LDK’së – më shumë besojnë në idetë e Albin Kurtit se sa në vizionin e Ibrahim Rugovës.
“Me këtë mendësi që kanë disa nga eksponentët e LDK’së duhet ta rishikojnë a janë më shumë “Abinista” a “Rugovista””, ka thënë Gashi, në një intervistë për Gazetën Express.

“Me këtë politikë, LDK është Degë e Vetëvendosjes. Nuk është duke vepruar si parti politike por po vepron sipas dëshirave dhe inercioneve të prodhuara nga Albin Kurti”, ka shtuar ai.

Isa Mustafës i ka mbetur shumë hatri pse një zyrtar i Qeverisë së Kosovës tha se LDK është shndërruar në Degë të Vetëvendosjes dhe po urdhërohet prej Albin Kurtit.

Krejt akuzat e Dardan Gashit se LDK ka rrëshqitur në filozofinë “albiniste”, Shefi i LDK'së i ka ndërlidhur me emrin e Kadri Veselit. Ka thënë se Kryetari i PDK’së po i bën fushatë me bashkëpunëtorët e tij kundër LDK’së.

Mustafa e ka krahasuar Kryetarin e PDK’së, Kadri Veselin me Serbinë në fushën e provokimeve. Ka thënë se provokime si të Veselit bën edhe shteti serb.

“Kadriu (Kadri Veseli) si Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i PDK-së, dhe lakenjtë e tij s’lënë gjë të keqe pa ia atribuuar LDK-së, e njollosin me llojlloj etiketimesh, e në anën tjetër kërkojnë që LDK të bashkëpunojë më ta dhe me koalicionin e tyre në dialog”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat