Qytetarët e Kosovës edhe këtë vit pritet të udhëtojnë me viza

Aktuale

Qytetarët e Kosovës edhe këtë vit pritet të udhëtojnë me viza

Më: 7 janar 2019 Në ora: 11:14
Pamje nga Prishtina

Liberalizimi i vizave ishte një premtim për vite të tëra nga liderët e shtetit të Kosovës, por kjo vazhdon të mbetet vetëm ëndërr e qytetarëve tanë se një ditë do të mund të udhëtojnë lirshëm pa viza nëpër vende të Evropës.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shëngen, pavarësisht përmbushjes së 95 kritereve të kërkuara nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe demarkacionin me Malin e Zi.

Në vitin 2010, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi u kishte premtuar qytetarëve se gjatë 15 muajve të qeverisjes, ata do të lëviznin lirshëm pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, edhe pas tetë vitesh kosovarët vazhdojnë të jetojnë të izoluar.

Thaçi: Do të lëvizim lirshëm, do të jemi evropianë krenarë

“Gjatë 15 muajve të mandatit tonë të ardhshëm qeverisës, Qeveria që do ta udhëheq unë, do t’i përmbush të gjitha kriteret demokratike,  për lëvizje të lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës,  pa viza në tërë Evropën”, kishte thënë ai.

Premtimet e Thaçit nuk kanë mbaruar me kaq. Ai edhe në vitin 2013 qytetarëve u kishte premtuar se do të lëvizin të lirë.

Thaçi: Javët dhe muajt në vijim vendimtare për lëvizje të lirë

“ Javët dhe muajt në vijim janë vendimtarë për procesin e liberalizimit të vizave. Shumica e kritereve tashmë i kemi zbatuar. Kështu që mos të lejojmë asnjë kohë por edhe pjesën e  mbetur që të vonohemi në këtë proces. Të mos lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe angazhimit të vonohet lëvizja e lirë e shtetasve tanë pa viza në BE”, ishte shprehur ai.  

Premtime se do të mund të udhëtojnë lirshëm pa pasur nevojë që me muaj të presin para ambasadave kosovarët kanë marrë edhe gjatë vitit që e lamë pas.

Kryeministri Ramush Haradinaj qysh në fillim të vitit kishte dhënë një premtim të tillë, që fundi i vitit 2018 do të ishte koha kur Kosova do të fitonte liberalizimin.

Hardinaj: Në fund të vitit Kosova e fiton liberalizimi i vizave

“Në fund të këtij viti besoj Kosova e fiton një të drejtë që është liberalizimi i vizave, besoj në fund të këtij viti në fillim të vitit që vjen mund të jemi aplikues për statusin kandidat të BE-së”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli fundin e vitit 2018 e kishte dhënë si kohën e fundit kur Kosova do të fitonte liberalizimin e vizave. Për më tepër Veseli ka bërë edhe një turne nëpër shtete të ndryshme në emër të lobimit për liberalizim të vizave.

Veseli: Liberalizimi i vizave të ndodhë këtë vit

“Presim shumë shpejt që liberalizimi i vizave të ndodhë këtë vit”, kishte thënë Veseli.

Fundi i vitit 2018 ishte dhënë si datë e liberalizmit të vizave edhe nga Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Hoxha: Jemi optimist se këtë vit lëvizim pa viza

“Ne jemi optimist që qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë brenda vitit 2018”, tha Hoxha.

Por, shpresat e kosovarëve se mund të lëvizin lirshëm, pikërisht në muajin kur u ishte premtuar se do të ndodhë liberalizimi, i ka shuar  komisionari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili si datë kur potencialisht mund të hiqen vizat e ka dhënë vitin 2020.

Hahn: Viti 2020 është shumë realiste

“Kam shumë besim që viti 2020 është shumë realiste, ndoshta më herët, por mos mbani peng të datave”, ka thënë komisionari Hahn.

Pas këtij konfirmimi se kosovarët do të vazhdojnë të jetojnë të izoluar, diçka është e sigurt, edhe ky vit që sapo kemi hyrë do të jetë i stërmbushur me premtime se do të ndodhë liberalizimi i vizave.

Megjithëse, Kosova ka arritur të marrë rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, ku më pastaj Parlamenti Evropian kishte aprovuar rekomandimin për vizat. Mirëpo, çështja e vizave nuk ka arritur të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave të BE-së.

Për mos liberalizmin e vizave sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare Afrim Hoti, fajtor janë institucionet kosovare që kanë treguar pakujdesi për ta përcjellë nga afër gjithë procesin e liberalizimit të vizave.

Madje ai thotë se në vend që të bëhej kjo, në vetëm një vit janë ndërruar tre ministra të Punëve të Brendshme.

Hoti: Kemi treguar pakujdesi për ta përcjellë nga afër gjithë këtë proces

“Është vërtet për t’u kritikuar qasja e BE-së ndaj Kosovës që në fakt kjo qasje ka kaluar tashmë kufijtë dhe natyrën e vet politike, është konvertuar në një çështje humanitare për ç’gjë unë mendoj se përgjegjësinë më të madhe do të duhej ta kishin institucionet e Bashkimit Evropian. Sido që të jetë ne nuk duhet të krijojmë alibi dhe të deklarohemi krejtësisht të pafajshëm, për faktin që përpos plotësimit të kritereve në kuptimin politik kemi treguar pakujdesi për ta përcjellë nga afër gjithë këtë proces dhe në veçanti në etapën e fundit, kur vendimi ka natyrën e punës së ministrave të Punëve të Brendshme ose natyrë të brendshme të asaj. Duke u nisur nga fakti që në vitin e fundit në vend që të përcjellët dhe të dinamizohet agjenda e vizave ne kemi neglizhuar duke ndërruar tre ministra të Punëve të Brendshme vetëm brenda këtij viti, gjë që tregon që nuk ka përcjellje të punës dhe të dinamikave të BE-së”, tha ai.

E për këtë Hoti thotë se minimumi i përgjegjësisë do të ishte dorëheqja e akterëve të institucioneve që janë të përfshirë në çështjen e liberalizimit të vizave.

Duke mos dashur të përmend emra, Hoti thotë se është koha e fundit që në institucionet e Kosovës të instalohet përgjegjësia.

Hoti: Dorëheqja është minimumi i përgjegjësisë

“Unë nuk kam emra, por secili resurs i qeverisjes së vendit është i përcaktuar  ka kompetencat e vet dhe nëse kemi pakujdesi ose neglizhencë në një resurs ose mungesë të suksesit, atëherë mendoj që krerët e këtyre resorëve duhet t’i thërrasin ndërgjegjes. Minimumi që  do të duhej të bënin është të japin dorëheqje dhe të kërkojnë falje”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Arton Demhasaj nga Organizata Çohu, thotë se një pjesë të fajit për mos liberalizim të vizave e kanë edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, që sipas tij kanë njëfarë lloj mos pajtimi ndërmjet vete sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën.

Demhasaj thotë se një arsye që vendit nuk i janë hequr vizat mund të jetë dialogu Kosovë-Serbi, që sipas tij mund të jetë një mekanizëm presioni që mund ta përdorë BE karshi Kosovës që të arrihet një marrëveshje finale mes dy vendeve.

Mirëpo, ai thotë se pa faj nuk janë as institucionet e Kosovës.

Demhasaj: Një pjesë të fajit e ka edhe lidershipi ynë

“Pa dyshim që një pjesë të fajit e ka edhe lidershipi ynë për shkak të një lobimi të dobët për këtë çështje. Për arsye se nëse flasim për kalimin e dy stadeve për çështjen e liberalizimit të vizave dhe çështja ka ardhur te shtetet anëtare dhe tek Këshilli, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimeve, po edhe Qeveria në përgjithësi është dashur lobimin e tyre ta fokusojnë tek vendet problematike që po kanë një lloj mos pajtimi ose po hezitojnë për të përkrahur Kosovën në këtë proces. Pra, është dashur të avokohet dhe të lobohet te shtetet veç e veç siç është Austria për të vendosur në agjendë, pastaj tek Franca për të pasur një përkrahje apo edhe tek vendet tjera siç janë Rumania dhe Danimarka që kanë një lloj jo pajtueshmëri ose jo vendosmëri që me e përkrahë Kosovën në këtë proces”, tha ai.

Ai thotë se në vazhdimësi BE është treguar e padrejtë karshi Kosovës, e që sipas tij edhe vendosja prej 95 kushte për liberalizim të vizave e tregon këtë.

Demhasaj: Tregon një padrejtësi të vazhdueshme që BE e ka bërë karshi Kosovës

“Pa dyshim që është padrejtësi dhe vetë vendosja e 95 kushteve për Kosovën ka qenë pa drejtësi, sepse kushtet që janë vendosur Kosovës për t’i plotësuar që me arrit me pas procesin e liberalizimit të vizave të përmbushur kanë qenë kushte që asnjë prej vendeve të rajonit nuk i kanë pasur kushtet e tilla. Kështu që, fillimisht këtu ka qenë padrejtësia po edhe me gjithë këtë ne kemi arritur që me i përmbushë të gjitha këto kushte që na janë vendosur dhe tash edhe për kundër që i kemi plotësuar të gjitha kushtet, madje edhe raporti i Komisionit thuhet që janë plotësuar kushtet. Prapë se prapë ne nuk po arrijmë të nënshkruajmë kontratën dhe me pas liberalizim të vizave, atëherë tregon një padrejtësi të vazhdueshme që Bashkimi Evropian e ka bërë karshi Kosovës”, ka deklaruar ai.

Të zhgënjyerit nga mos liberalizimi i vizave janë pa dyshim qytetarët e Kosovës, të cilët në rast të udhëtimit jashtë vendit duhet të pajisen me viza, e kur përmendet aplikimi për vizë dihet se duhet ‘një mal’ me dokumente e pritje të gjata para ambasadave të huaja.

Për këtë në jo pak raste qytetarët kanë kërkuar përgjegjësi nga institucionet e Kosovës, madje kanë kërkuar edhe dorëheqje të akterëve kryesorë të institucioneve të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat