Thaçi: Në fund do të jemi të gjithë bashkë sepse askush nuk do t’i thotë jo SHBA-së dhe BE-së

Aktuale

Thaçi: Në fund do të jemi të gjithë bashkë sepse askush nuk do t’i thotë jo SHBA-së dhe BE-së

Më: 7 janar 2019 Në ora: 19:46
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se për negociatat me Serbinë ka folur ai deri tash, por që tash e tutje duhet të flasë Ekipi Negociator.

“Për negociatat, duhet të flasin më tepër bartësit e procesit, të Ekipit Negociator”.

“Kompetencat e mia janë kushtetuese dhe ligjore por është një autoritet që e kanë kërkuar dhe e kanë marrë nga Kuvendi i Kosovës dhe unë i mbështes plotësisht”.

“Angazhimet që kanë sot, nesër dhe tutje në Bruksel do të jenë të adresuara tek njerëzit përkatës të ekipit dhe mendoj se këtyre njerëzve nuk duhet krijuar vështirësi dhe pengesa por secili nga ne duhet t’i ndihmojë, t’ua lehtësojnë punën me mundësinë e mirë për arritjen e  marrëveshjes përfundimtare”.

Thaçi në Info Magazine u ka bërë thirrje të gjithë atyre që nuk janë pjesë e Ekipit Negociator, në këtë rast LDK-së dhe Vetëvendosjes, të bëhen pjesë e Ekipit Negociator të Kosovës.

“Ftoj gjithë ata që ende janë hezitues, në spektrin politik opozitar, t’i bashkëngjiten Ekipit Negociator. Janë njerëz të dëshmuar, që e duan këtë vend dhe mund të bëjnë gjëra të mira dhe natyrisht me ekspertizën profesionale aq sa ka mundësi”.

“Kosova ka potenciale. Në këto tri dekada, të gjitha proceset e dialogut dhe negociatave Kosova i ka fituar prandaj nuk kemi asnjë arsye të kemi dilema apo dyshimet te njerëzit tanë, ata janë njerëz të dëshmuar për liri dhe pavarësi sikur që tash besoj se do të marrin vendime të drejta”.

I pari i vendit ka treguar po ashtu se dikush nga Ekipi Negociator e ka telefonuar atë, para se të nisen për Bruksel, ku edhe do të kenë takimin e parë në kuadër të dialogut me Serbinë, në këtë format dhe përbërje të re.

“Unë sot kam diskutuar me tre përfaëqësuesë të Ekipit Negociator, paradite, të cilët kanë kërkuar opinionet e mia për disa zhvillime. Kanë qenë biseda telefonike shumë të mira dhe besoj që do të bëjnë punë të mira dhe të mbara”.

“Nuk duhet t’i shohim njerëz më dyshim por duhet t’i japim mbështetje dhe të kemi besim. Nuk duhet të ketë dyshime në këtë proces kur e udhëheq Bashkimi Evropian dhe e ardhmja jonë është në BE dhe kur SHBA-të janë në mbështetje të plotë të këtij procesi, cila është arsyeja dhe nevoja për të pasë dilema tek njerëzit tanë dhe procesin që mund të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB?”.

“Presidenti Donald Trump e ka thënë shumë qartë se një mundësi e tillë nuk mund të vijë shpesh dhe mosarritja e marrëveshjes mund të ndodhë në një rikthim në tragjedi. Askush nuk do luftë, tragjedi, krime që kanë ndodhur, vrasje dhe gjakderdhje”.

“Mundësia është është për arritjen e një marrëveshje paqësore Kosovë-Serbi që sjell njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

“Mendoj se duhet ta shfrytëzojmë një momentum të tillë, një mbështetje kaq të fuqishme të SHBA-ve, presidentit Donald Trump por edhe të vendeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”.

Ai ka folur edhe për refuzimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të bëhet pjesë e Ekipit Negociator, në dialogun me Serbinë.

“Unë kam qenë në rol opozitar dhe kam marrë pjesë në Negociatat e Vjenës. Kam qenë edhe kryeministër dhe LDK ka qenë në opozitë kur ka votuar marrëveshjen që kam arritur në vitin 2013 në Bruksel, ashtu siç e ka votuar edhe AAK-ja që ka qenë në opozitë po ashtu”.

“Si kryeministër i vendit kam arritur të unifikojë spektrin politik për të votuar me 2/3 dokumentin e nënshkruar në prill të vitit 2013 të nënshkruar me atëherë kryeministrin serb Ivica Daçiq”.

“Kemi arritur të punojmë bashkërisht edhe në procese të tjera. Tash mbetet edhe punë e partnerëve të koalicionit, ftoj spektrin politik që të koordinohen dhe të punojnë së bashku sepse interesi strategjik nuk është pronë e askujt. Në fund e di se do të jemi të gjithë bashkë sepse askush nuk do t’i thotë jo SHBA-së dhe BE-së”.

I pari i vendit ka thënë se ai ka punuar më së gjati me parti të ndryshme, edhe nga pozicioni i të parit të PDK-së por edhe sa ishte kryeministër.

“Në vitin 2007, kam ftuar LDK-në në Qeveri, kanë hyrë dhe kemi bërë punë të mira. Në vitin 2014 jemi afruar përsëri së bashku dhe kemi bërë punë të mira. Për dy mandate kemi punuar së bashku dhe ky progres që është arritur deri këtu është meritë jo vetëm e këtyre dy partive por edhe partive të tjera”.

“Edhe në rastin e Demarkcionit kur kam nënshkruar dhe përsëri kam diskutuar korrigjimin e kësaj marrëveshje, gjithë spektri politik, përfshirë edhe AAK-në, LDK-në, edhe PDK-në kanë votuar së bashku dhe u konfirmua drejtësia e asaj marrëveshje”.

“Nuk mendoj që LDK-ja do të shkojë aq larg sa të refuzojë një proces dialogu që forcojnë subjektivitetin e shtetit të Kosovës. Kërkohet mirëkuptim, durim dhe diskutim të parimeve që ata mendojnë për t’u kyçur në procesin përfundimtar të dialogut dhe të mundësisë së përmbylljes së kësaj çështje njëherë e përgjithmonë me Serbinë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat