‘LDK është për një dialog ku Serbia e njeh Kosovën të pavarur’

Aktuale

‘LDK është për një dialog ku Serbia e njeh Kosovën të pavarur’

Më: 8 janar 2019 Në ora: 12:47
Besian Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të insistojë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që kundërshton ekipin negociator në bisedimet me Serbinë.

Zëdhënësi i kësaj partie Besian Mustafa, ka thënë se si LDK janë për dialog, por ai ka potencuar se janë për një dialog ku Serbia e njeh Kosovën të pavarur e jo ku Serbia vendos mbi shtetësinë e Kosovës.

Në një konference për media, ai ka thënë se LDK nuk do të bëhet pjesë e grupit negociator, por ka shtuar se sipas votës së qytetarëve janë në opozitë dhe do të luajnë një rol monitorues dhe korrigjues të marrëveshjes nëse vetëm do të vijë në Kuvend.

Mustafa: LDK është për një dialog ku Serbia e njeh Kosovën të pavarur

“LDK ka qenë, është dhe do të jetë për dialog me shtetet fqinje, siç ka qenë për dialog me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Por, LDK është për të mbrojtur shtetin e Kosovës me kufijtë e shpallur më 17 shkurt 2008, me të cilët kufij na ka njohur Amerika, Britania, Gjermania, Italia, Franca dhe mbi 100 shtete të tjera mike njohjet e të të cilave ky koalicion po i humb dita ditës. LDK është për një dialog ku Serbia e njeh Kosovën të pavarur, e jo për një dialog ku Serbia vendos mbi shtetësinë e Kosovës, ku Serbia ia cakton kufijtë Kosovës. Mbi të gjitha, dialogun nuk mund ta udhëheqin parti, grupe, e koalicione që nuk e kanë shumicën e votave në Kuvend. Dialogun dhe të gjitha proceset duhet të udhëheqin institucionet kushtetuese me mandat e legjitimitet të fituar nga votat e qytetarëve në zgjedhje të lira. Andaj, për fund mirëpresim caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme sa më parë”, është shprehur ai.

Mustafa ka deklaruar se ekipi negociator nuk ka legjitimet për ta përfaqësuar Kosovës. Ai ka deklaruar se koalicioni qeverisës po e ‘shëtit’ përgjegjësinë e negociatave nga një person te tjetri.

Ai ka komentuar edhe një deklaratë nga BE, ku është thënë se diskutimet vendimmarrëse do të bëhen në nivel presidentësh, e për këtë Mustafa thotë se edhe kjo e vë në pikëpyetje ekzistencën e grupit negociator.

Po ashtu, ai ka akuzuar koalicionin qeverisës që për të mbuluar dështimet e tyre po sulmojnë LDK-në. Për këtë të fundit ka thënë se po e bëjnë për shkak se nuk e kanë shumicën në Kuvend, që sipas tij nuk kanë legjitimitet për të qeverisur me vendin.

Mustafa: Koalicioni qeverisës në panik

“Ky koalicion qeverisës është në panik të skajshme, nuk po arrijnë t’i mbajnë premtimet e zotimet që u kanë dhënë miqve amerikan e evropian se e kanë fuqinë politike për të negociuar një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse me Serbinë. Sipas deklaratave të tyre me mundësinë edhe për ndryshimin e kufijve të Kosovës. E ashtuquajtura Qeveri e madhe, e premtimeve të mëdha, me guximin e madh për të marrë vendime të mëdha po e ‘shëtit’ përgjegjësinë e negociatave me Serbinë nga kryeministri te presidenti, tek i ashtuquajturi grup negociator, i cili nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe u mandatua me vetëm 59 vota në Kuvend, pra as gjysmën e votave në Kuvend”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka përmendur disa nga dështimet që sipas tij kanë ndodhur gjatë kohës së kësaj qeverie, si dështimi për liberalizim të vizave, dështimi për anëtarësim në Interpol, rritje të punësimit, dështim në rritje të investimeve të huaja. Sipas tij kanë humbur njohje dhe kanë falimentuar ndërmarrje publike si PTK.

Zëdhënësi i LDK-së ka potencuar se u veriu i vendit tërësisht ka dalë nga kontrolli dhe sipas tij po e bëjnë gati t’ia dorëzojnë Serbisë.

Mustafa: Nuk mbajmë përgjegjësi që kryetarët e komunave veriore kanë dhënë dorëheqje

“Ne si LDK nuk mbajmë përgjegjësi për faktin që kryetarët e komunave veriore kanë dhënë dorëheqje nën udhëheqjen e kësaj qeverie. Edhe përkundër faktit që kjo Qeveri po mundohet ta fsheh këtë fakt, ky është një sekret i hapur dhe të gjithë e dimë se kryetarët e komunave veriore kanë dhënë dorëheqje. Pra, veriu i Kosovës, komunat veriore nuk kanë udhëheqje komunale. Në anën tjetër, ne po kërkojmë të marrim përgjegjësi si LDK, por përgjegjësinë e marrim përmes votës në zgjedhjet e përgjithshme e jo përmes grupeve negociatore hibride, të cilat nuk kanë bazë kushtetuese”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat