Albulena Haxhiu: Shpend Ahmeti nuk është asgjë tjetër përveç shërbëtor i Hashim Thaçit

Aktuale

Albulena Haxhiu: Shpend Ahmeti nuk është asgjë tjetër përveç shërbëtor i Hashim Thaçit

Më: 8 janar 2019 Në ora: 13:31
Albulena Haxhiu

Bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator për dialog me Serbinë, Shpend Ahmeti ditën e djeshme, gjatë një interviste ku ka folur rreth dialogut dhe hapat që Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë, ka komentuar edhe mospjesëmarrjen e partive opozitare në dialog.

“Në njërën anë, LDK-ja po mundohet të përfshihet në dialog dhe të ofrojë kontributin e saj, kurse Lëvizja Vetëvendosje po mundohet të fitojë elektorat duke refuzuar të marrë pjesë në negociata” ka thënë Ahmeti.

Këto deklarata i ka kundërshtuar deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se çdo vendim që është marrë nga LVV-ja deri më tani, ka qenë mirë i analizuar në bisedimet e brendshme të kësaj partie.

“Të gjitha qëndrimet tona politike e në këtë rast edhe në raport me dialogun i marrim pas analizës e diskutimeve tona të brendshme pra në organet e Lëvizjes dhe secili qëndrim është parimor. Madje sot pas ca viteve negociata me Serbinë, është dëshmuar se ne kemi pasur të drejtë në qëndrimet tona në raport me dialogun”, ka thënë Haxhiu.

Tutje, Haxhiu ka kundërshtuar deklaratat e Ahmetit se LVV-ja po refuzon dialogun për të përfituar vota nga qytetarët. Përkundrazi, Haxhiu ka thënë se LVV-ja ka pasur edhe më herët qëndrime dhe aksione që nuk janë përkrahur gjithmonë nga qytetarët, por kanë vazhduar ti mbrojnë ato.

“Kemi pasur disa herë qëndrime dhe aksione që nuk janë përkrahur nga qytetarët, por ne i kemi mbrojtur ato sepse kemi besuar që kemi të drejtë, pra asnjë qëndrim i yni nuk kalkulohet me votë”.

“Shpendi bën deklarata të tilla sepse ai e di që nuk është asgjë tjetër, përveç shërbëtor i Hashim Thaçit në aventurat e tij të rrezikshme dhe tani gabimet e tij që do t’i kushtojnë vendit mundohet t’i pastrojë përmes këtyre deklaratave të pamatura”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu edhe njëherë ka theksuar se LVV nuk do të jetë pjesë e këtyre ‘pazareve’, përkundrazi do t’i kundërshtojnë fuqishëm.

“Ne nuk do të jemi pjesë e këtyre pazareve, përkundrazi do t’i kundërshtojmë fuqishëm. Vendi dhe qytetarët nuk mund të mbahen peng i interesave meskine të këtyre njerëzve”, ka përfunduar Haxhiu.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, ekipi negociator ka qëndruar në Bruksel ku janë takuar me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Frederika Mogherinin.

Nga Brukseli, udhëheqësit e ekipit negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, kanë theksuar edhe njëherë se taksa ndaj produkteve të importuara nga Serbia, nuk do të hiqet përkundër presionit të madh nga jashtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat