I ndodhur në arrati, nesër caktohet seancë gjyqësore ndaj Remzi Shalës

Aktuale

I ndodhur në arrati, nesër caktohet seancë gjyqësore ndaj Remzi Shalës

Më: 8 janar 2019 Në ora: 18:28
Remzi Shala

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar për nesër një seancë gjyqësore ndaj Remzi Shalës për rastin e vrasjes së Haxhi Perteshit, gjatë kohës së luftës.

Shala, i cili gjatë luftës mbajti nofkën “Molla e Kuqe”, në dhjetor kishte pranuar ftesë që më 17 janar të intervistohet në Hagë nga ana e prokurorëve të Gjykatës Speciale.

Kur e kishte marrë ftesën, Shala kishte deklaruar se nuk i beson kësaj Gjykate dhe u kishte bërë thirrje bashkëluftëtarëve të tij që të mos i përgjigjen ftesave për intervistim.

“Unë Komandant (Molla e Kuqe) i togut të njësisë speciale të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për t’u dorëzuar në Hagë. Deklaroj para gjithë popullit se nuk do të dorëzohem dhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese”, kishte thënë ai.

Por në të njëjtën kohë ndaj Remzi Shalës është duke u zhvilluar një tjetër proces gjyqësor në Gjykatën Themelore Prizren.

Remzi Shala është duke u gjykuar për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.

Gjykimi është duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Në seacën e paraparë për ditën e nesërme, Remzi Shala është planifikuar të japë mbrojtjen e tij, dhe do të jepej fjala përfundimtare, andaj kishte gjasa që me paraqitjen e Remzi Shalës, rasti edhe të merrte epilogun edhe para datës 17 janar.

Por Natal Bullakaj, avokati i Remzi Shalës, për kallxo.com ka deklaruar se nuk ka asnjë kontakt me Shalën, dhe se nuk e ka parë që nga muaji dhjetor kur e ka pranuar ftesën për Gjykatë Speciale.

Media ka raportuar në vazhdimësi për rastin e Remzi Shalës.

Të afërm të tij, që thonë të kenë kontaktuar me të, i kanë thënë medias se Shala është i vendosur mos t’i përgjigjet Gjykatës Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat