MPJ: Regjimi në Serbi ngjallë frikë dhe urrejtje ndaj gjithçkaje që është shqiptare

Aktuale

MPJ: Regjimi në Serbi ngjallë frikë dhe urrejtje ndaj gjithçkaje që është shqiptare

Më: 8 janar 2019 Në ora: 20:41
MPJ

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhje të thellë dhe e dënon me forcë dënimin e tre të rinjve shqiptarë me pesëdhjetë e pesë ditë burg, vetëm pse kanë shkruar mbi borë tre inicialet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mbi disa vetura në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se në një shoqëri demokratike dhe shtet, që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian askush nuk mund të dënohet sepse mund të ketë shprehur mendim apo prezantuar bindje ndryshe dhe eventualisht shfaqur një ide a simbol, përderisa ajo nuk është e dëmshme për të tjerët.

Ministria e Punëve të Jashtme e konsideron si thellësisht të papranueshme që edhe njëzet vjet pas luftës dhe krimeve sistematike kundër njerëzimit të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës nga institucionet ushtarake dhe paraushtarake të shtetit serb dhe pothuaj njëmbëdhjetë vjet pas ekzistencës së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, regjimi jo-demokratik dhe jo-liberal në Serbi ngjallë frikë dhe ndjell urrejtje ndaj gjithçkaje që është shqiptare dhe buron nga Kosova.

Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe mekanizmave të mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, që të reagojnë menjëherë në dënimin e kësaj sjellje anti-evropiane dhe anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi plotësisht të padrejtë dhe tërësisht të paarsyeshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat