Haskuka flet për problemet në Vetëvendosje dhe ato në Prizren

Aktuale

Haskuka flet për problemet në Vetëvendosje dhe ato në Prizren

Më: 9 janar 2019 Në ora: 10:38
Mytaher Haskuka

Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka nga Vetëvendosje thotë se i është dukur absurd qëndrimi i ish-bashkëpartiakëve të cilët kanë thënë se do të largohen, nëse Albin Kurti kandidon për kryetar partie.

Duke folur për largimin e 12 deputetëve nga partia e Kurtit, Haskuka pranon se ka qenë sfidë e madhe largimi i atyre që veprimtarinë politike zgjodhën ta vazhdojnë në PSD.

Ai thotë se nuk ka qenë e shëndoshë logjika e kundërshtimit të Kurtit për postin e të parit të Vetëvendosjes.

Në një intervistë për Kp, Haskuka flet edhe për problemet që ka Prizreni.

Haskuka: Ata që u larguan kanë pas për qëllim formimin e një partie tjetër

“Logjika e kundërshtimit të kandidimit të Albin Kurtit për kryetar të Vetëvendosjes nuk ka qenë e shëndoshë. Në fillim kur kanë dalë deputetët e kanë kundërshtuar kandidimin e Albin Kurtit, kanë  thënë që nëse Albini bëhet kryetar ne do të dalim nga Lëvizja Vetëvendosje, mua më është dukur si absurd. Nëse nuk mundesh me u anku për demokratizim edhe me ja blloku dikujt tjetër të drejtën për kandidim. Nëse je i zoti del si kundër-kandidat, e paraqet platformën tënde, thua që platforma ime në Lëvizje Vetëvendosje është kjo, edhe kishin votuar edhe shumë më mirë kishte me qenë për demokracinë në Kosovë. Fillimisht u pa që është çështja e kësaj, e pastaj një qëllim tjetër për formimin e një partie tjetër”, thotë ai.

Largimet që prekën nivelin qendror të partisë, sipas Haskukës nuk kanë shkaktuar ndonjë problem në Prizren.

Haskuka: Largimi i deputetëve nga VV është sfidë

“Unë personalisht nuk kam menduar që do të ndodh një gjë e tillë, por njerëzit po kanë interesa të ndryshme dhe po ka gjëra të tilla që po ndodhin. Në Prizren fatmirësisht nuk kemi pasur një problem të tillë, ka pasur disa largime por, në përgjithësi nuk ka pasur problem në aspektin e strukturës organizative. Por, normal që ka qenë një sfidë e madhe. Sepse, cilado parti nëse një pjesë e deputetëve dalin nga ata, paraqet problem”, tha ai.

Duke thënë se e ka marrë drejtimin e komunës me shumë probleme, Haskuka tregon se Prizreni ka borxhe të mëdha.

Haskuka: 700 padi janë ndaj komunës

“Sfida kryesore e komunës së Prizrenit që do të mbetet në vitin e ardhshëm, është numri i padive që janë ndaj komunës. Në fillim të vitit kur kemi bërë analizën e gjendjes kanë qenë rreth 700 raste të gjykatës, që i bie që përfaqësuesi ligjor i komunës me u marrë me 5 raste deri në 10 në ditë që ka qenë e pamundur. Po pa marrë parasysh problemet pronësore, problemet  e uzurpimit dhe probleme me çështje të tjera, tash na mbetet puna e implementimit të projekteve dhe radhitjes së synimeve”, tha Haskuka.

Një nga premtimet e Haskukës ishte zvogëlimi i drejtorive, mirëpo kjo gjë ende nuk është realizuar. Sipas tij, fakti që është në koalicion me parti të tjera i pamundëson të realizojë shumë nga ato që premtoi.

Haskuka: Për shkak të koalicionit nuk kemi arritur të realizojmë këtë premtim

“Në një analizë që pata bërë gjatë premtimeve të mia ka qenë edhe kjo. Por, ju e dini që kemi qenë në balotazh edhe për shkak të problemeve që i ka komuna, për shkak të rregulloreve që na vyejnë, mendoj që duhet të ndryshojmë edhe statutin e komunës  vitin e ardhshëm edhe shumë çështje që duhet me u votu në asamblenë komunale. Ne kemi shkuar në një koalicion më të gjerë edhe për shkak të koalicionit normal që nuk kemi mundur me arrit. Por, kjo do të mbetet një synim, i kemi katër vite. Për këto gjëra duhet ndryshime statutore dhe do të shikojmë se sit a bëjmë edhe këtë”, ka thënë ai.

Përveç kësaj, Haskuka nuk ia doli as që të rrisë numrin e grave që udhëheqin me drejtoritë komunale. Një problem tjetër për të cilin kryetari i Prizrenit thotë se po punojnë që ta zgjidhin është trafiku në qytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat