Anulohet seanca ndaj Lushtakut në rastin “KEK”-u, mungojnë avokatët

Aktuale

Anulohet seanca ndaj Lushtakut në rastin “KEK”-u, mungojnë avokatët

Më: 9 janar 2019 Në ora: 10:58
Sami Lushtaku

Seanca gjyqësore ndaj Sami Lushtakut dhe gjashtë personave tjetër të akuzuar lidhur me tenderin gjashtë milionë eurosh për sigurimin e objekteve të KEK-ut, është anuluar shkaku i mungesës së avokatëve mbrojtës.

Kryetari i trupi gjykues Beqir Kalludra e ka anuluar këtë seancë shkaku i mungesës së avokatëve që me Odën e Avokatëve të Kosovës kanë nisur bojkotin e seancave.

Seanca e kaluar ishte anuluar për shkak të mungesës së Sami Lushtakut. Atë kohë Kalludra kishte paralajmëruar që Lushtaku të sillej me detyrim për seancën që nuk u mbajt sot.

Ky paralajmërim ka mjaftuar që Lushtaku sot të ishte i pranishëm në seancën gjyqësore.

“Mungon Prokurorja e shtetit, e cila është e pranishme në një seancë tjetër. Gjithashtu të gjithë avokatët mungesën e kanë arsyetuar me vendimin e marrë nga Oda. Bazuar në një gjendje të tillë, në mungesë të avokatëve, nuk ka kushte ligjore për mbajtje të seancës, andaj shtyhet për datën 11 mars në orën 9”, ka thënë Kalludra.

Megjithatë, jo të gjitha seancat janë anuluar. Gjykimi për terrorizëm te gjyqtari Vesel Ismajli është mbajtur seanca pasi ka pasur prani të avokatëve.

Avokati Haxhi Millaku ka konfirmuar se ka marrë pjesë në seancën ndaj klientit të tij, të akuzuar për terrorizëm, duke theksuar se seancat për paraburgim duhet të mbahen dhe nuk është shkelje e bojkotit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat