I tha Thaçit të shkojë në Hagë, Haliti i reagon Kurtit

Aktuale

I tha Thaçit të shkojë në Hagë, Haliti i reagon Kurtit

Më: 9 janar 2019 Në ora: 23:09
Xhavit Haliti

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i është kundërpërgjigjur liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, që sot i kërkoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit që të shkojë në burgun e Hagës.

E ka quajtur të papranueshme dhe të ulët këtë deklaratë të Kurtit.

“Është degradim moral i individit i cili dëshiron ta çojë një njeri tepër të rëndësishëm të skenës politike në burg për luftën që e ka bo. Është tejet e papranueshme për mua. Nuk besoj që duhet gëzuar për ata që kanë luftuar e që shkojnë në burg. Nëse ka bërë krime, nëse ka vrarë njerëz të pafajshëm pas lufte, është tjetër muhabet, por duket tepër e ulët kjo, që t’i thuash në fund të fundit, një ish-kolegu tënd, shko në Hagë. Nëse e thërrasin, edhe ai shkon, nuk është prej atyre burrave që nuk shkon”, ka thënë Haliti në Rubikon të KTV-së.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka goditur fort presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai, nëpërmjet një shkrimi të gjatë në Facebook, ka thënë se Thaçi duhet të shkojë në Hagë për t'u përballur me Gjykatën Speciale.

"Po pra, shko Hashim. Në Hagë thuaje fjalën tënde me argumente e fakte, në mbrojtje të luftës çlirimtare, të UÇK-së, të shqiptarëve e të historisë sonë. Të takon. Je historiani që ishe në luftë. Bëhu presidenti që hyn në histori. Shko Hashim", ka shkruar më tej ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat