Fotografia që e nervozoi Fisnik Ismailin: S’po muj me besue, më erdhi me qajtë…

Aktuale

Fotografia që e nervozoi Fisnik Ismailin: S’po muj me besue, më erdhi me qajtë…

Nga: A.Zh Më: 10 janar 2019 Në ora: 08:45
Fisnik Ismaili

Deputeti i Partisë SocialDemokrate Fisnik Ismaili, ka kritikuar ashpër asamblisten e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Vjosa Hamiti-Krasniqi.

Kjo e fundit, në llogarinë e saj në Facebook, e kishte publikuar mbrëmë një fotografi prekëse të një pastrehë, i shtrirë në një nga sheshet e Prishtinës në mes të borës.

Ajo kishte kritikuar kryetarin e Komunës dhe drejtorët për këtë, duke thënë se ata flenë në dhoma të nxehta.

E deputeti Fisnik Ismaili, ka kritikuar Hamiti-Krasniqin, duke i thënë asaj se e ka verbuar smira dhe e ka njerzëllëkun deri në këtë masë.

Ai ka thënë se me të parë postimin e asamblistes, i ka ardhur të qajë.

“E ke fotografue një njeri në gjendje shumë të randë, edhe ke shkue e ke gjetë për vete një vend të ngrohtë, sepse jashtë është shumë ftohtë me shkrue, për me e përdorë këtë nevojtar me e sulmue Komunën, e rrjedhimisht Shpendin, në kryet e të cilit ke ba bé deri para një viti. E edhe atëherë ka pasë nevojtarë si ky, e gjithmonë ka me pasë, por ti s'ke bëza asnjiherë”, ka shkruar ndër tjerash Ismaili, përcjell Bota sot.

Më poshtë shihni reagimin e tij të plotë:

Vjosa, na njihemi edhe jemi (ose të paktën, kemi qenë miq, dikur). Më mirë e njoh burrin tand, Labin, prejse di për veten, edhe e kam konsiderue haver gjithmonë.

Kur e pash këtë postim prej teje, Vjosë, pasha dy djemtë që i kam në Londër, nuk mujta me i besue syve të mi. Thjesht, më erdhi me qajtë. S'po muj me besue se sa na ka verbërue smira, me na e humbë njerzëllëkun deri në këtë masë.

E ke fotografue një njeri në gjendje shumë të randë, edhe ke shkue e ke gjetë për vete një vend të ngrohtë, sepse jashtë është shumë ftohtë me shkrue, për me e përdorë këtë nevojtar me e sulmue Komunën, e rrjedhimisht Shpendin, në kryet e të cilit ke ba bé deri para një viti. E edhe atëherë ka pasë nevojtarë si ky, e gjithmonë ka me pasë, por ti s'ke bëza asnjiherë.

Je ASAMBLISTE e Komunës së Prishtinës, Vjosë. Ti e ke OBLIGIM me i ndejtë çdo qytetari të Prishtinës gati, aq sa edhe Komuna vetë! Ti E DIN ku janë strehimoret e Komunës, kuzhinat popullore, i din numrat emergjentë, njeh zyrtarë komune edhe krejt sistemin që funksionon për me strehue njerëz.

A e ke lajmërue dikë në institucionin ku ti PUNON, për i tregue për rastin, apo ky postim është mënyra jote e vetme me komunikue me Komunën?

Je qytetare e këtij shehri në të cilin jetojmë unë e ti shumë para se me ekzistue Vetëvendosjet e PSD-jat. Dreqi e marrtë, na dy jetojmë në Prishtinë hala pa lindë Albini e Shpendi, o hej!

Të lutem më thuej që nuk e ke lanë këtë njeri në këtë gjendje, e ke shkue në shpi pa i ndihmue! Labinot? Ty që të kam haver, të lutem, aman të lutem më thuej që i keni ndihmue! Të lutem më thuej se e keni shti në naj kafiq me u nxe, e keni thirrë dikë në Komunë apo polici me e marrë. Ose me thuej që e të paktën keni çue në zyrat e Vetëvendosjes, edhe mbasi e keni lanë në duer të sigurta, jeni kthye në shpi!

Sepse kjo është çka kisha me ba unë, pavarësisht kush e menaxhon qytetin tem. E kam ba për njerëz, e madje edhe për qenj, e tek mbasi jam sigurue që janë mirë, jam marrë me institucionin përkatës.

Të lutem thujëm se i ndihmuet, sepse në postim, Vjosë, nuk e përmende se çka ndodhi me këtë njeri. Ishe habitë tuj e shajtë Komunën! Kishe harrue që je edhe vetë qytetare e Prishtinës, edhe e zgjedhun e popullit me punue e përfaqësue atë njeri në Komunë! Harrove edhe me na tregue se KU është ky njeri, e qysh me i ndihmue NA tjerët, nëse as ti, as Komuna s'i pasket ndihmue.

Aman thujëm që i ke ndihmue, e nuk ke shkue drejt në shpi. Çoma naj foto të këtij njeriu tuj e pi një çaj që ia ke pague, Vjosë, të lutem, sepse nuk po due me besue që e ke lanë qaty, edhe më me rëndësi për ty ka qenë me e ba këtë postim me e sulmue Shpendin, se me ia gjetë qaren atij njeriu në borë.

Sepse nëse është qashtu, atëherë unë po e shpalli sonte Kosovën zonë ku ka vdekë njerzëllëku. Edhe po më thehet zemra që ka shkue puna aq larg, sa na me e harrue vetveten, e atë çka jemi, për sulme e pikë politike.

Nëse është qashtu, po e pshurri n'to, po e la politikën. Po e la krejt Kosovën, sepse s'paska mbetë pse me jetue ma në një vend ku s'ka njerëz.

S'po due me besue që e ke lanë qaty, Vjosë, sepse nëse e ka gjetë ata diçka sa ti ke qenë tuj e shkrue këtë postim, e jo tuj i ndihmue atij ose tuj e lajmërue Komunën, atëherë ti ke poaq faj sa edhe vetë Komuna për neglizhencë.

S'JEMI NA QETA! S'MUNDET nji Albin apo Shpend, e more as Hashim, me na e humbë njerzëllëkun kështu! S'GUXOJMË me e lanë veten me ra kaq poshtë KURRË!

Prandej qetu, me qet postim timin po i baj thirrje KREJT shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike të leshit, pavarësisht bindjeve fetare, nacionale e çfarëdoqofshin ato: MOS E MBYTNI NJERZËLLËKUN, se qatherë s'mbetet kurrgja prej neve!

Le të jetë kjo thirrje Lëvizjes VETËVENDOSJE e Partisë Socialdemokrate ME U NDALË MA, sepse edhe kjo betejë politike duhet me pasë kufinj, e duke i shpërfillë e (keq)përdorë qytetarët, për të cilët jemi edhe ARSYEJA pse jemi futë në politikë, këta kufinj janë tejkalue me natë të sontme!

Na jemi nda. Pikë. Ndahen gratë me burra, ndahen popuj e shtete. Ju ka dhimbtë juve, e na ka dhimbtë neve. Edhe qaty duhet me përfundue! Ndamja nuk e ka rrezikue jetën e asnjë qytetari, por kjo betejë që po vazhdon e s'po ndalet, tashma nisi me rrezikue jetë njerëzish, edhe sonte duhet me marrë fund!

Mbi të gjitha, po ju baj thirrje ty Vjosë, e ty Lab, dost, haver i jemi i moçëm, shok i klasës së motrës teme, shok i jemi i gyrbetit, që hala nuk ma ktheve kasetën e Ozzy Osbourne-it prej vitit 1992, dashamirë i stripave, bashkëqytetar i jemi tash e 40 e kusur vjet: nuk ia vlen për asnji parti politike, për asnji individ, e për asnji çashtje tjetër që e definon një grup njerëzish që lufton me një grup tjetër për pushtet a dominancë, me e humbë njerëzëllëkun, e me e humbë respektin, e shoqninë, që e kemi pasë shumë para se me ekzistue këto grupe njerëzish.

Edhe luftat kanë ligje e rregulla që s'ban me u shkelë.

Me zemër të thyeme,

Fisi

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat