Një tjetër zyrtar i Qeverisë ndalohet në Merdare, reagon Haradinaj

Aktuale

Një tjetër zyrtar i Qeverisë ndalohet në Merdare, reagon Haradinaj

Më: 10 janar 2019 Në ora: 11:22
Qeveria e Kosovës

Nebojsha Jakovljeviq, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, është ndaluar në Merdare nga autoritetet serbe.

Këtë veprim e ka dënuar kryeministri i vendit Ramush Haradinaj i cili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky është presion dhe kërcënim i Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës.

Kujtojmë se javë më parë nga autoritetet serbe është ndaluar edhe zëvendësministri i Kulturës, Boban Stankoviqit.

Reagimi i Haradinajt në Facebook:

Ndalimi i Nebojsa Jakovljevic nga autoritetet e Serbisë në Mërdarë, është veprimi i radhës i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Jakovljevic është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë SLS dhe vëllai i nënkryetarit të Komunës së Obiliqit, familjen e të cilit e kam vizituar gjatë muajit dhjetor.

Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës.

Ky veprim, nuk është i vetmi dhe as i izoluar, por është pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb, për ta kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e vendit tonë.

Kosova është e përkushtuar për dialog, që mundëson arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare me shtetin fqinj dhe secili akt që pengon këtë frymë është i papranueshëm.

Apeloj tek zyrtarët e BE-së si dhe tek Bashkësia Ndërkombëtare, që të reflektojë për t’i bërë presion Beogradit të ndalojë menjëherë veprimet e tilla të njëpasnjëshme kundër qytetarëve të Kosovës, të cilat tregojnë qartë rrugën që ka zgjedhur Serbia kundër lëvizjes së lirë, frymës europiane të bashkëpunimit si dhe vlerave të përbashkëta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat