Kamberi: Nuk mund të ketë marrëveshje të drejtë pa trajtimin e çështjes së Kosovës Lindore

Aktuale

Kamberi: Nuk mund të ketë marrëveshje të drejtë pa trajtimin e çështjes së Kosovës Lindore

Nga: A.M Më: 10 janar 2019 Në ora: 16:21
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi

Përfaqësuesit e Kosovës Lindore, ditë më parë i janë drejtuar me një kërkesë, Përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica  Mogherini , Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe bashkëdrejtuesve të delegacionit shtetëror, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti për përfshirjen e Luginës Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi. Por, përkundër kësaj kërkese, ata ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje pozitive për përfshirje në dialog.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka potencuar për “Bota sot” se ende nuk kanë marrë përgjigje pavarësisht kërkesës për përfshirjen e çështjes së Luginës në dialog, por shprehet optimist se kjo kërkesë do të merret në konsideratë.

“Pavarësisht kërkesës tonë me shkrim, drejtuar institucioneve të Kosovës, akoma nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje. Megjithatë, ne shpresojmë që Presidenti dhe Delegacioni Kosovës do ta marrin konsideratë në mënyrën më serioze kërkesën që edhe Lugina e Preshevës dhe pozita e shqiptarëve do të shtrohen si teme e bisedimeve në Bruksel”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Kamberi ka ritheksuar se pa trajtimin e çështjes së Luginës së Preshevës nuk mund të  ketë marrëveshje të drejtë, e cila do të siguroj paqe në Ballkan.

“Ashtu siç e kemi kërkuar në vazhdimësi, ne mendojmë se mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë marrëveshje të drejtë e cila do të siguroje paqen afatgjate në Ballkanin Perëndimore derisa nuk do të trajtohet drejtë edhe çështja e Luginës së Preshevës”, ka theksuar kryetari Kamberi për “Bota sot”.

Më tutje, Kamberi është shprehur se, bisedimet në Bruksel shihen si mundësia e fundit për të gjetur zgjidhje për Luginën e Preshevës.

“Ne konsiderojmë si mundësi të fundit bisedimet e Brukselit për të gjetur zgjidhje për Luginën e Preshevës. Largimi në masë i popullsisë tonë, mungesa e perspektivës ekonomike dhe politike në mënyrën shumë serioze po cenon bërthamën tonë kombëtare në këtë rajon, prandaj, nëse nuk gjendet një zgjidhje në kuadër të këtij procesi, dyshoj se në pak vite do ta humbim pa kthim epërsinë demografike në këto komuna”, ka thënë  Kamberi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat