Pse Gjykata Speciale e Kosovës është e vendosur në Holandë?

Aktuale

Pse Gjykata Speciale e Kosovës është e vendosur në Holandë?

Më: 10 janar 2019 Në ora: 18:01
Gjykata Speciale

Kanë kaluar 20 vjet që kur ka mbaruar konflikti i armatosur mes shqiptarëve të Kosovës dhe forcave serbe. Mirëpo duke filluar nga data 14 janar, disa ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dëshmojnë para një prokurori special në Hagë.

Kjo nuk është një gjykatë për krime lufte e Kombeve të Bashkuara. Kjo është një gjykatë e Kosovës në tokën holandeze. Gjykata do të punojë me ligjet e Kosovës, mirëpo prokurorët dhe gjyqtarët do të jenë ndërkombëtarë. Gjykata është krijuar për të hetuar ish-ushtarët e UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Krijimi i Gjykatës pason publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për t’i hetuar krimet e supozuara të kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar se kanë bashkëpunuar me regjimin e Beogradit gjatë dhe para luftës, shkruan REL.

Por, pse një gjykatë e Kosovës është e vendosur në Holandë me prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë?

Ekspertët thonë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk konsiderohet mjaftueshëm i pavarur për t’i hetuar krimet e luftës, si dhe ka dyshime se mund të ketë kërcënime ndaj dëshmitarëve.

Puna e gjykatës financohet nga Bashkimi Evropian si dhe vende të tjera perëndimore. Shumica e liderëve kryesorë janë ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe ata shihen si heronj në Kosovë. Gjykata e re është përpjekja e katërt për t’i hetuar krimet e luftës që besohet se kanë ndodhur në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat