Berlini nuk bën presion për taksën, kërkon që palët t'i vazhdojnë bisedimet

Aktuale

Berlini nuk bën presion për taksën, kërkon që palët t'i vazhdojnë bisedimet

Më: 11 janar 2019 Në ora: 15:07
Angela Merkel dhe Heiko Mass

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, dje ka qëndruar për një vizitë në Gjermani, ku është takuar me homologun e tij gjerman, Heiko Mass, me të cilin kanë diskutuar për një seri çështjesh, përfshirë këtu edhe dialogun me Serbinë me taksën. Por, për dallim nga Washingtoni dhe Brukseli që kanë kërkuar heqjen e taksës Berlini si duket nuk është duke bërë presion ndaj Prishtinës.

Gjermania, shteti më i fuqishëm evropian deri së voni ishte në krye të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për dallim nga aktorët tjerë si Washingtoni dhe Brukseli, Berlini po shfaqet më i matur rreth taksës.

Kryediplomati gjerman Heiko Mass ndryshe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Federica Moherini i Johanes Hahn, të cilët vazhdimisht kanë bërë presion për heqje të vendimit për taksën, dje ka zgjedhur që të jetë më i butë në deklarata, duke mos kërkuar heqjen e saj.

Ai ia ka kujtuar Serbisë lobimin që ka bërë kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL, duke e konsideruar këtë si një veprim i cili ka shkaktuar ngecje në dialogun ndërmjet dy shteteve.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka bërë disa hapa mbrapa. Serbia ka kundërshtuar anëtarësimin e fqinjit (Kosovës) në Interpol, derisa Kosova ka vendosur një taksë prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë. Ne kemi folur edhe për faktin se në Gjermani kemi shqetësime për arsye se po punojmë më taksa ndëshkuese”, ka thënë Mass..

Përveç kësaj, duke parë barrikadimin e dy palëve dhe ngecjen e dialogut, zyrtari i lartë i Qeverisë së Merkelit, Heiko Mass, u ka bërë thirrje edhe Prishtinës edhe Beogradit që t’i kthehen bisedimeve.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë, që t’i kthehen një dialogu konstruktiv”, ka thënë Mass në takimin me Pacollin.

Sipas tij afrimi i raporteve ndërmjet vendeve është një nga kushtet më të rëndësishme për integrimin e të dy vendeve me Bashkimin Evropian.

Ministri gjerman ndër të tjera ka theksuar mbështetjen e plotë të Gjermanisë për Republikën e Kosovës dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por me kusht që Republika e Kosovës do të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Sidoqoftë, mbështetja është e bazuar në kushte të qarta. Ndër parakushtet më të rëndësishme për Kosovën janë, progresi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass.

Në këtë njoftim të zyrës së Mass, gjithashtu theksohet fakti që Republika e Kosovës njëjtë sikurse shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, është shumë larg anëtarësimit në BE, dhe ka një rrugë të gjatë për të bërë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat